Reali futet në sherr me Ligën spanjolle

Futboll

Reali futet në sherr me Ligën spanjolle

Më: 19 nëntor 2021 Në ora: 13:57
Reali futet në sherr me Ligën spanjolle

Reali i Madridit nuk gjen paqe me Ligën spanjolle. Këtë herë shkak është bërë kalendari i ngjeshur i madrilenëve, të cilët deri në fund të vitit do të kenë përballje shumë të rëndësishme në kampionat dhe Champions. Liga spanjolle ka caktuar që takimet për kampionatin dhe Superkupën e Spanjës përballë Bilbaos të luhen më 1 dhe 22 dhjetor, duke e kthyer kalendarin e madrilenëve në një ferr të vërtetë.

Që përpara përcaktimit të sfidave ndaj Bilbaos, në Madrid kishin ngritur zërin për ngjeshjen e takimeve. Por tani duket se kupa është mbushur. Në tri javët në vijim Reali i Madridit do të luajë një pjesë të rëndësishme të sezonit si në La Liga ashtu dhe në Ligën e Kampioneve.

Reali do të luajë më 28 nëntor kundër Seviljes në “Bernabeu” dhe fillimisht kishte kohë deri më 4 dhjetor për sfidën me Sociedadin në “Anoeta”. Megjithatë, planet janë hedhur në erë, sepse me afrimin e ndeshjes kundër Bilbaos më 1 dhjetor, në harkun e një jave Reali do të luajë 3 ndeshje të rëndësishme Sevilja, Bilbao dhe Sociedadi.

Turi i forcës vijon më tej, teksa më 7 dhjetor Reali pret Interin në Champions. Natyrisht, nëse Reali kalon javën e ardhshme Sherifin, mund t’i lejojë vetes pak “relaks”.

Në të kundërt, sfida ndaj zikaltërve mund të kthehet në jetë-a-vdekje. Por në nëntor, veç takimit në Champions kundër Sherifit (24.11), në fundjavë përballet me Atletikon e Madridit. Maratona e ndeshjeve të Realit mbyllet më 12 dhjetor, që në 15 ditë do të luajë 5 takime ku luhen fatet në kampionat e Ligën e Kampioneve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat