Humbi babain, rrëfimi i trishtë i sulmuesit

Futboll

Humbi babain, rrëfimi i trishtë i sulmuesit

Më: 1 dhjetor 2021 Në ora: 15:36
Humbi babain, rrëfimi i trishtë i sulmuesit

Shënoi gol, por festa i mbeti në gjysmë. Nuk mundi ta shijonte ashtu si duhet, pasi mori një lajm vërtet të dhimbshëm. Nëse të dielën në drekë i dha udhë fitores së Shkumbinit përballë Turbinës në “Nexhit Trungu”, në mbrëmje mësoi se i ati kishte ndërruar jetë.

Duke qenë se familja e tij jeton në Afrikë, nuk pati mundësinë t’i jepte lamtumirën e fundit dhe as t’u qëndronte pranë njerëzve të dashur. Kjo është drama e sulmuesit të peqinasve, që e rrëfen për “Panorama Sport”.

“Më vjen keq që nuk mund të flas dot shumë për golin e shënuar në Cërrik dhe emocionet e përjetuara nga fitorja. Atë mbrëmje, në orët e vona, kam marrë lajmin e dhimbshëm të ndarjes nga jeta të babait tim. Ashtu siç bëja zakonisht kur shënoja, doja t’i tregoja atij për golin e radhës me Shkumbinin, por fatkeqësisht nuk munda dot të flisja më me të.

Dhimbja është e madhe edhe për faktin që nuk munda dot të isha pranë familjarëve të mi në këto momente të vështira. Por e tillë qenka jeta. Duhet të gjej forca që të vazhdoj përpara”, thotë mes lotësh 29-vjeçari. Nigeriani i sulmit bardhekaltër ka arritur që të gjejë rrugën e rrjetës 5 herë deri tani.

Ai është bërë protagonist së bashku me brazilianin Barbosa dhe mesfushorin Dushaj. Sakaq, ekipi ka nisur përgatitjet për javën e 12-të. Luajnë në shtëpi, teksa presin Pogradecin. Qëllimi është fitorja e tretë radhazi dhe konsolidimi i pozitave në renditje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat