Tirana kërkon sigurimin e titullit

Futboll

Tirana kërkon sigurimin e titullit

Më: 5 prill 2022 Në ora: 13:58
Tirana kërkon sigurimin e titullit

“Abissnet Superiore” është në fazën më të rëndësishme të sezonit, nëntë javë nga fundi i sezonit, me skuadrat dhe kampionatin që futet kështu në “sprintin” final.

Pas 27-të javësh shumë gjëra kanë ndryshuar, por jo vendi i parë. Tirana kryeson, tani pothuajse e vetme, në arrati të plotë nga ndjekësit më të afërt, me “bardheblutë” të cilët e kanë çuar në 14-të diferencën me vendin e dytë. Për momentin, skuadra e Shehit ka vetëm një “kundërshtar”, Tiranën, shkruan Supersporti.

Matematikisht asgjë nuk është mbyllur, 27-pikë janë në lojë dhe ky sezon ka treguar se Tirana pak gabon dhe skuadra ka arritur të ruajë ekuilibrat, por edhe euforinë. Vetëm 9 ndalesa në këtë sezon, 6 barazime dhe 3 humbje, janë statistika që për rivalët e Tiranës nuk japin shpresë, ndërkohë në krahun tjetër kundërshtarët kanë bërë hapa fals, duke i dhënë javë pas jave “asist” kryeqytetasve, të cilët i kanë shfrytëzuar në maksimum.

Matematika mban të hapur garën për titullin kampion, por deri diku është një front ku vështirë se mund të luftohet në nëntë javët e fundit, ndërsa sa i përket zonës europiane dhe mbijetesës, gjithçka është e hapur dhe pritet të jetë shumë e luftuar. Po e nisim nga kreu, në zonën e Europës, aty ku janë në garë katër skuadra, Laçi, Kukësi, Vllaznia dhe Partizani, tre prej të cilave kanë dhe një rrugë alternative, Kupën e Shqipërisë.

Laçi, Kukësi dhe Vllaznia kanë gabuar në javët e fundit, me skuadrat që nuk kanë arritur të përfitojnë nga gabimet, por gjithashtu nuk kanë asgjë të sigurt tanimë nga kampionati. Në heshtje dhe pa zhurmë, Partizani ka përfituar nga luhatja e këtyre tre skuadrave, me kryeqytetasit të cilët tani janë vetëm 1 pikë larg shkodranëve dhe 8 nga vendi i dytë, Laçi. Natyrisht për kurbinasit vlen të përmendet fakti se kanë hedhur një hap të rëndësishëm drejt finales së Kupës, ndërsa Vllaznia dhe Partizani do të diskutojnë biletën e finales në ndeshjen e dytë gjysmëfinale.

Teuta, do të provojë “rrugën” e Kupës, por disfata ndaj kurbinasve rëndon disi, ndërsa në kampionat, Europa duket shumë larg dhe gati e pamundur. Por, kjo nuk është e gjitha, matematika dhe ecuria jo e mirë e ka futur skuadrën kampione të Shqipërisë në “vallen” e mbijetesës. Teuta, Kastrioti dhe Egnatia ndahen me vetëm 2 pikë në klasifikim dhe gjithçka është e hapur, kjo për meritë të krutanëve dhe rrogozhinasve, të cilët kanë interpretuar një fazë të tretë fantastike, duke dalë nga fundi i tabelës dhe duke vendosur në lëvizje mekanizmat e kundërshtarëve direkt. Gjithsesi, një verdikt i vërtet pritet që në javën e ardhshme në zonën e mbijetesës, me takimin e javës së 28-të, Dinamo -Kastrioti.

“Blutë” e kryeqytetit janë në rënie të lirë, në vendin e nëntë dhe rrezikojnë rënien e sigurt, pasi hapat fals e kanë çuar në 7 diferencën me vendin e 8-të (Play-Out) dhe qëndron me vetëm tri pikë mbi Skënderbeun. Korçarët mbyllin klasifikimin dhe qëndrojnë prej javësh në vendin e 10-të dhe pavarësisht tre barazimeve të fundit, korçarët janë në vështirësi, pasi tani “rrethi” sa vjen dhe ngushtohet me kalimin e javëve, ndërsa edhe kalendari është kundër skuadrës së Gegës, pasi në krye të listës janë Tirana dhe Partizani.

Faza e katërt dhe e fundit do të marrë “jetë” shumë shpejtë dhe në çdo cep të kampionatit, matematika jep shpresë dhe asgjë nuk ka përfundar, ndaj “sprinti” final i sezonit premton shumë emocione.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat