Edicioni shqiptar i UEFA CFM, një histori suksesi!

Futboll

Edicioni shqiptar i UEFA CFM, një histori suksesi!

Më: 25 qershor 2022 Në ora: 15:04
Edicioni shqiptar i UEFA CFM, një histori suksesi!

Është përmbyllur me ceremoninë e diplomimit edicioni shqiptar i programit të njohur “Certificate in Football Management” (UEFA CFM), që organizohet nga Akademia e UEFA-s, Shkolla Zvicerane e Administrimit Publik (IDHEAP) e Universitetit të Lozanës, dhe në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit.

Një edicion i suksesshëm që u zhvillua për herë të parë në vendin tonë e që zgjati 9 muaj, ku morën pjesë profesionistë të botë së futbollit nga disa vende të botës si nga Gjermania, Hungaria, Bullgaria, Kroacia, Bullgaria, Azerbajxhani, Lituania, Kosova si edhe nga Shqipëria.

Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e stadiumit “Air Albania” morëm pjesë edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, përfaqësuesi i UEFA-s, Denis Bastari, si edhe përfaqësuesit e Akademisë së UEFA-s, profesorë dhe lektorë të këtij programi.

Presidenti Duka në fjalën përshëndetëse vlerësoi organizimin e këtij programi mjaft të rëndësishëm mësimor në Shqipëri për të parën herë dhe theksoi se ky program është mjaft i rëndësishëm e i domosdoshëm për çdo individ që punon në një institucion futbolli, për të rritur nivelin e menaxhimit dhe performancës.

“Unë uroj dhe në fakt jam i sigurt se ky program i CFM-së të ketë vlejtur për studentët shqiptarë, por edhe ato të huaj, në rritjen e tyre profesionale. Programi i ‘Certifikimit të Menaxhimit në Futboll’ është shumë i rëndësishëm dhe unë për këtë do të doja të falënderoja UEFA Academy, që ia besoi Federatës Shqiptare të Futbollit organizimin e këtij edicioni për herë të parë në Shqipëri.

Kjo është shumë e rëndësishme për trajnimin tuaj, për përmirësimin tuaj, për rritjen tuaj profesionale, por është shumë e rëndësishme edhe për vetë Federatën, sepse është një eksperiencë që rrit aftësitë organizative të organizatës së FSHF-së që së fundmi ka zhvilluar disa aktivitete të përmasave internacionale”, – tha Presidenti i FSHF-së.

Ndërsa, drejtuesja e këtij edicioni shqiptar në Akademinë e UEFA-s, Alexandra Doncila, u shpreh mjaft e kënaqur për nivelin e organizimit të ofruar nga FSHF si edhe për përkushtimin e treguar nga të gjithë pjesëmarrësit në këtë program, duke i nxituar ato që të synojnë edhe kualifikime të mëtejshme akademike, që mund të përmirësojnë edhe më tej aftësitë e tyre menaxheriale në botën e futbollit. Gjithashtu, gjatë ceremonisë mbajtën fjalë përshëndetëse edhe përfaqësuesi i UEFA-s, Denis Bastari, profesori i Universitetit të Lozanës, Mickaël Terrien dhe Zëdhënësi i FSHF-së, Fatjon Kodra në emër të pjesëmarrësve të këtij edicioni.

Në përfundim u shpërndanë edhe diplomat për të gjithë pjesëmarrësit e këtij programi, të cilët i kaluan me sukses edhe tre provimet e detyrueshme përgjatë 9 muajve.

CFM (Certificate in Football Management) synon të zhvillojë njohuritë teorike dhe praktike të një menaxheri, të rrisë performancën e një drejtuesi të lartë dhe ta afrojë atë me praktikat më të mira të futbollit europian. Ky program është krijuar nga Akademia UEFA dhe partneri i saj akademik, Shkolla Zvicerane e Administrimit Publik (IDHEAP) e Universitetit të Lozanës, dhe prej kohësh u ofrohet federatave anëtare të UEFA-s.

Duhet theksur se ky ishte një test tjetër i kaluar me sukses në rang ndërkombëtar për Federatën Shqiptare të Futbollit, duke iu shtuar eksperiencave pozitive të bashkëpunimit konstant me UEFA-n, që vazhdon t’i besojë FSHF-së organizimin e aktiviteteve apo kompeticioneve të rëndësishme europiane. Një tregues i rritjes së vazhdueshme që FSHF ka pasur vitet e fundit në drejtim të menaxhimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat