Kombëtarja U-16 zyrtarizon dy miqësore kundër Malit të Zi

Futboll

Kombëtarja U-16 zyrtarizon dy miqësore kundër Malit të Zi

Më: 1 dhjetor 2022 Në ora: 19:41
Kombëtarja U-16 zyrtarizon dy miqësore kundër Malit të Zi

Kombëtarja shqiptare U-16 do të zhvillojë dy ndeshje miqësore kundër përfaqësueses së Malit të Zi U-16.

Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata Malazeze e Futbollit kanë arritur marrëveshjen që këto dy sfida të zhvillohen në datat 7 dhe 9 dhjetor. Takimi i parë do të luhet në kompleksin e Federatës Malazeze në Podgoricë, të mërkurën e 7 dhjetorit në ora 13:00 ndërsa miqësorja e dytë do të luhet dy ditë më vonë, më 9 dhjetor në stadiumin ‘Reshit Rusi’ në Shkodër në ora 12:00.

Trajneri Kërçova do të zbardhë të shtunën listën e lojtarëve të grumbulluar për këto dy ndeshje, teksa synimi është vëzhgimi dhe testimi i lojtarëve të vitlindjes 2007, të cilët janë brezi që do të përgatiten për të përfaqësuar Shqipërinë U-17 në kompeticionet zyrtare të vitit të ardhshëm.

Grumbullimi është planifikuar të nisë ditën e hënë në Durrës, ku ekipi do të qëndrojë dy ditë e më pas do të niset drejt Podgoricës, për ndeshjen e parë të datës 7 dhjetor. Veç lojtarëve që aktivizohen në kampionatin shqiptar, trajneri Kërçova ka ftuar edhe futbollistë shqiptarë që luajnë në kampionatet jashtë vendit.

Këto miqësore përbëjnë një mundësi shumë të mirë për trajnerin Agron Kërçova dhe stafin kuqezi për të vëzhguar e testuar nga afër lojtarët e kësaj grupmoshe, të cilët pritet të përbëjnë edhe boshtin e ri të ekipit kombëtar U-17 për sezonin e ardhshëm.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat