Erzeni ndal Kukësin në Niko Dovana

Futboll

Erzeni ndal Kukësin në Niko Dovana

Nga: K. G. Më: 18 mars 2023 Në ora: 19:02
Pamje nga një ndeshje

Merr fund në stadiumin Niko Dovana, ecuria prej tre fitoresh radhazi e Kukësit.

Verilindorët u ndalën në një barazim 1-1 përballë Erzenit teksa shijakasit ishin të parë që kaluan në avantazh me anë të Ilirid Ademit në minutën e 27-të.

Sulmuesi shfrytëzoi një asist të Osmanllarit dhe nuk fali përballë portierit Tafas.

Në vijim është Gjelbrim Taipi ai i cili provoi të surprizonte portierin Xhika nga një goditje dënimi megjithatë gardiani shijakas priti i sigurt.

Kështu përfunduan 45-minutat e para teksa në fraksionin e dytë, verilindorët fituan të drejtën e një penalltie. Ishte Basa ai që fitoi 11-metërshin edhe pas konfirmimit të sistemit VAR.

Por, Kukësi nuk ia doli të përfitonte pasi topi i goditur nga Gjelbrim Taipi u stampua në shtyllë.

Nga ana tjetër, Erzeni i afrohet golit të dytë sërish me anë të Ademit por këtë herë sulmuesi ishte i pafat pasi topi u ndal në traversë. Gjithsesi, miqtë nuk ishin dorëzuar dhe në minutat shtesë gjetën golin e barazimit me anë të Barbosas.

Sulmuesi shfrytëzoi maksimalisht një harkim të Hasës dhe nga fare pranë portës mposhti portierin Xhika.

Kështu, skuadrat ndanë nga një pikë me Kukësin që mbetet në vendin e gjashtë me 35 pikë ndërsa nga ana tjetër, Erzeni është në kuotën e 37 pikëve në vend të katërt po aq sa edhe Egnatia e Vllaznia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat