Berisha nuk bën më pjesë në planet e Torinos

Futboll

Berisha nuk bën më pjesë në planet e Torinos

Më: 16 korrik 2023 Në ora: 19:37
Berisha

S’ka më sekret në këtë gjë; Etrit Berisha nuk është pjesë e planeve të Torinos. Madje, qysh sezonin e kaluar, portieri shqiptar u “syrgjynos” nga trajneri i “granatave”.

“Gardiani” ynë kuqezi, duke qenë jashtë planeve të skuadrës së Serie A, nuk po stërvitet as në Filadelfia, as në kampin stërvitor në Pinzolo.

Berisha në fakt është hedhur në treg, por për momentin shitja duket shumë e vështirë. Për të ngadalësuar një blerës të mundshëm, raporton edicioni i sotëm i “Tuttosport”, është paga që ai merr. Kontrata e Berishës skadon në vitin 2024 dhe paga e tij është 800.000 euro neto.

Një rrogë e lartë, duke pasur parasysh që portieri është jashtë planeve të trajnerit kroat Ivan Juric.

Me pak fjalë, ai paguhet për të mos bërë asgjë. Deri tani ka pasur negociata të pasuksesshme me Spezia, Reggina, Salernitana dhe Fathi Karagumruk.

I ardhur nga Spal në korrik 2022 për 300 mijë euro, në sezonin 2021-2022 ishte portieri i dytë te Torino. Mirëpo, kur Vanja Milinkoviç-Savic bënte keq dhe vihej në dyshim, ai përgjigjej gjithmonë i gatshëm.

Në ndeshjen Torino-Napoli, shqiptari priti edhe një penallti të Insigne.

Prandaj, në sezonin 2022-2023 ai priste një trajtim tjetër. Në vend të kësaj, Vanja i luajti të gjitha ndeshjet. Tani është i tepërt, ndaj mbetet për t’u çliruar sa më shpejt nga Torino.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat