Huliganët serbë shkaktojnë kaos në Gjermani

Futboll

Huliganët serbë shkaktojnë kaos në Gjermani

Më: 26 tetor 2023 Në ora: 14:40
Huliganët serbë

Tifozët serbë kanë ditur të tregohen skandalozë gjatë udhëtimeve të tyre jashtë vendit.

Një gjë të tillë e bënë edhe dje tifozët e Crvena Zvezdës, të quajtur “Delije”.

Ata udhëtuan drejt Gjermanisë për ta mbështetur ekipin e tyre të zemrës, ndërsa shkaktuan kaos në udhëtimin e tyre të radhës.

Policia e Leipzigut njoftoi se i ka nisur një sërë hetimesh ndaj tifozëve serbë për përdorimin e mjeteve të palejueshme piroteknike, për dëmtim të pronës së të tjerëve, për lëndime trupore dhe për vjedhje të pijeve alkoolike në një super-market.

Policia, tutje në një deklaratë të lëshuar sot tha se trazirat nisën para ndeshjes Leipzig – Crvena Zvezda, e vlefshme për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, të mërkurën mbrëma.

“Rreth orës 18:20, afro 3 mijë tifozë të Crvena Zvezdës marshuan nga qendra e qytetit në drejtim të stadiumit.

Tifozët janë përcjellë nga një numër i madh i efektivëve. Gjatë shëtitjet, tifozët kanë brohoritur dhe kanë nisur të gjuajnë mjete të palejueshme piroteknike, të cilat janë hedhur edhe gjatë lojës.

Po ashtu, është konstatuar se janë dëmtuar edhe disa shenja të komunikacionit”, njofton Policia e Leipzigut.

“Më vonë u mësua se një numër i vogël tifozësh e kishin vjedhur një sasi të papërcaktuar alkooli nga një dyqan lokal, gjë që u hetua gjithashtu”, shton Policia.

Kjo e fundit gjithashtu njofton se gjatë ndeshjes janë angazhuar 800 policë nga Leipzigu dhe nga policia e ndërhyrjes së provincës afër këtij qyteti, të cilët e kanë penguar kontaktin e tifozëve, por megjithatë janë regjistruar disa lëndime.

“Policia e patrulloi qytetin edhe gjatë natës për ta ruajtur rendin dhe qetësinë”, thuhet tutje në deklaratë.

Ndeshjen e mbrëmshme e fitoi Leipzigu me rezultat 3:1, ndërsa huliganët serbë i qitën hije të keqe kësaj loje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat