Hansi Flick: Asgjë nga ajo që bën Real Madridi nuk më shqetëson

Futboll

Hansi Flick: Asgjë nga ajo që bën Real Madridi nuk më shqetëson

Nga: B.S. Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 14:02
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka folur para ndeshjes së së dielës kundër Villarrealit, duke komentuar gjendjen e skuadrës, problemet me lëndimet dhe ngarkesën e madhe të kalendarit.

Trajneri gjerman konfirmoi mungesën e Andreas Christensenit, ndërsa për Pau Cubarsín tha se ende nuk është e sigurt nëse do të jetë pjesë e skuadrës për udhëtimin ndaj Villarrealit.

Flick gjithashtu refuzoi të komentojë situatën e Real Madridit, duke theksuar se vëmendja e tij është e përqendruar te Barcelona.

Problemet në repartin defensiv dhe lëndimi i Christensenit

Duke folur për situatën e mbrojtësve, Flick pranoi se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për formacionin.

“Edhe unë nuk e di ende. Nuk kam një plan përfundimtar. Situata është ndryshe nga ajo që mund të prisnim. Christensen ishte në një moment shumë të mirë. Vendosëm që të mos shkonte me kombëtaren dhe të stërvitej këtu. Në fillim të javës ndjeu diçka dhe do të mungojë në dy ndeshje”, deklaroi Flick.

Sa i përket Cubarsít, trajneri bëri të ditur se problemi nuk është serioz, por duhet të tregohen të kujdesshëm.

“Duhet të shqetësohemi për situatën e tij dhe do të shohim nëse do të udhëtojë me skuadrën. Koundé është rikthyer, sikurse edhe Eric García. Klubet e mëdha evropiane kanë të njëjtat probleme për shkak të ngarkesës së ndeshjeve. Duhet ta menaxhojmë gjithçka në mënyrën më të mirë”, shtoi ai.

A do të transferojë Barcelona një mbrojtës?

Flick u pyet gjithashtu nëse lëndimi i Christensenit mund ta detyrojë Barcelonën të kërkojë një përforcim në repartin defensiv.

“Lëndimi i Christensenit nuk e ndryshon situatën. Është një gjendje që e njohim. Duhet ta ndihmojmë dhe t'i bëjmë të qartë se llogarisim tek ai kur është i gatshëm. Ai është i mërzitur, sepse kur është në 100 për qind të formës, është një nga mbrojtësit më të mirë që ekzistojnë”, u shpreh trajneri.

Ai vlerësoi edhe paraqitjet e Pau Cubarsít, duke kujtuar sezonin e kaluar të shkëlqyer të talentit spanjoll, i cili është vetëm 19 vjeç.

Flick flet për Raphinhën dhe Lamine Yamalin

Trajneri gjerman konfirmoi se ka biseduar me Raphinhën dhe se është i kënaqur me gjendjen e tij.

“Sigurisht që kam folur me të. Unë kam mendimin tim, por nuk është e rëndësishme. Ata morën vendimin e tyre dhe unë e respektoj, sepse është një lojtar shumë i rëndësishëm për Brazilin. Nëse këtu vazhdon të luajë në nivelin 100 për qind, siç po bën, jam i kënaqur. Ai është i qetë dhe i gatshëm për ndeshjen e nesërme”, tha Flick.

Ndërkohë, për Lamine Yamalin, trajneri kishte vetëm fjalë pozitive.

“Arsyeja pse nuk luajti në ndeshjen e parë ishte e qartë dhe gjithçka u konfirmua edhe nga kombëtarja. Jam i kënaqur me këtë situatë. Ai ishte i gatshëm për ndeshjen e dytë. Ky është Lamine. Është në një nivel të jashtëzakonshëm dhe është fantastike ta shohësh duke luajtur”, deklaroi trajneri i Barcelonës.

Kalendari i ngjeshur dhe menaxhimi i minutave

Flick pranoi se skuadrën e pret një periudhë e vështirë, me ndeshje në Ligën e Kampionëve dhe La Liga.

“Është pjesë e punës sonë, por njëkohësisht edhe privilegj. Luajmë në Ligën e Kampionëve për ta fituar atë dhe garojmë edhe në La Liga. Kjo është puna jonë dhe na pëlqen, ashtu si edhe lojtarëve”, tha ai.

Ai vlerësoi gjithashtu atmosferën dhe punën e stafit të klubit, përfshirë mjekët, fizioterapeutët dhe personelin tjetër që kujdeset për skuadrën.

Trajneri theksoi se objektivi i Barcelonës është të luftojë për të gjitha trofetë, por pa rrezikuar gjendjen fizike të futbollistëve.

“Është e rëndësishme që të gjithë lojtarët të jenë të gatshëm. Do të rikuperojmë gradualisht futbollistët: Rodrin, Cubarsín, Christensenin. Dani Olmo tashmë është rikthyer”, u shpreh Flick.

Flick: Duhet të vazhdojmë të përmirësohemi

Trajneri foli edhe për objektivin e rritjes së nivelit të skuadrës, duke theksuar se puna për përmirësim duhet të jetë e përditshme.

“Sigurisht. Çdo ditë kërkojmë të përmirësohemi dhe ta ngremë nivelin. Kjo varet nga secili futbollist individualisht dhe secili duhet të vazhdojë të përmirësohet”, deklaroi ai.

Në fund, Flick u pyet për Real Madridin dhe situatën e rivalit të përjetshëm, por nuk dëshiroi të përfshihej në diskutime.

“Asgjë nga ajo që bën Real Madridi nuk më shqetëson”, ishte mesazhi i trajnerit gjerman.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat