Statistikat favorizojnë Partizanin

Futboll

Statistikat favorizojnë Partizanin

Më: 30 mars 2024 Në ora: 12:07
Pamje nga një ndeshje

Laçi-Partizani do të jetë një nga duelet delikate të ditës së sotme që do të luhet në Laç në orën 15:00. Kjo përballje është e vlefshme për javën e 29-të të Superiores dhe vë përballë dy skuadra që kërkojnë rikthimin te fitorja.

Gjithmonë sfidat mes kurbinasve dhe demave kanë qenë të luftuara dhe e tillë pritet të jetë edhe dueli i ditës së sotme, me ekipet që do të përplasin “brirët” për 3 pikët. Bardhezinjtë luajnë në shtëpi dhe synojnë vetëm triumfin, i cili do të ishte i pari për Armando Cungu në stolin e Laçit.

Ndërkohë nga krahu tjetër kryeqytetasve nuk u lejohen më hapa fals, pasi në të kndër do të largohen akoma më shumë nga dy vendet e para dhe mund të rrezikojnë edhe “Final Four”.

Por të kuqtë janë mjaft optimist se do të largohen me 3 pikë nga Laçi.

Kjo edhe për shkak të kaluarës dhe statistikave mes dy ekipeve.

Në 61 përballje direkte mes tyre në të gjithë historinë, Partizani ia ka dalë të triumfojë në 29 ndeshje, 16 kanë përfunduar në barazim dhe po kaq ndeshje janë fituar nga Laçi.

Kurbinasit kanë shënuar në portën e të kuqve 57 gola, ndërsa kanë pësuar nga kryeqytetasit plot 85 të tillë. Ndërkohë në 3 përballjet e këtij sezoni shikojmë që Partizani ka triumfuar në dy të parat, ndërsa kurbinasit kanë fituar ndeshjen e fazës së 3-të. Mbetet të shihet se në cilën anë do të ndryshojnë statistikat pas sfidë së sotme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat