Interi e fillon sezonin e ri për të rikonfirmuar veten, duke e ditur se ta bëjë këtë do të jetë edhe më e vështirë. Kështu e pagëzon Alessandro Bastoni sezonin e ri zikaltër, që do të hapet të shtunën në “Marassi” kundër Genoa.
Titulli dhe ylli i dytë janë një pikënisje për mbrojtësin e zikaltërve, i intervistuar nga “SportMediaset”:
“Trajneri na e përsërit çdo ditë, e dimë sa e vështirë do të jetë ta përsërisim veten, pas një sezoni si ai i kaluari.
Të gjithë duhet të bëjmë një hap përpara, qoftë edhe mendërisht. Të fitojmë sërish në Itali dhe të provojmë në Europë.
Në fund të sezonit do të jem i lumtur nëse nuk pendohemi për gjëra që i nënvlerësuam, nuk i bëmë me përkushtimin e duhur”.
Gëzimi i arritjes së sezonit të kaluar është një nxitje shumë e fortë dhe arsye për të përqafuar projektin zikaltër gjithë karrierën: “Është bukur të kesh vlerësimin e skuadrave të mëdha, por ndihem mirë këtu, ndjej besimin e të gjithëve. Kjo është shtëpia ime dhe këtu do të qëndroj”.