Conte-Juventus, një histori e papërfunduar

Futboll

Conte-Juventus, një histori e papërfunduar

Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 20:19
Trajneri Antonio Conte

Antonio Conte dhe Juventusi, një histori që mund të mos ketë përfunduar ende.

Trajneri italian, aktualisht pa skuadër pas aventurës te Napoli, rikthehet të flasë për lidhjen e veçantë me klubin torinez, duke rindezur shpresat e tifozëve për një ribashkim të mundshëm në të ardhmen.

“Mendoj se herët a vonë, cikli im me Juventusin duhet të mbyllet. E di që kam lënë diçka pas në këtë klub. Ka pasur dy raste kur mund të ishim ribashkuar, herën e parë kur Juventusi zgjodhi Maurizio Sarrin. Unë isha i lirë, por në fund përfundova te Interi. Rasti i dytë ishte kur erdhi Giuntoli dhe vendosi të besonte te Thiago Motta.

Në atë rast, unë shkova te Napoli. Për t’u rikthyer, duhet të përputhen kushtet e duhura, unë duhet të jem i lirë dhe Juventusi duhet të jetë në kërkim të një trajneri”, tha Conte.

Italiani ka zbuluar gjithashtu një prapaskenë që daton në vitin 2009, kur, pas eksperiencës te Bari, ishte shumë pranë marrjes për herë të parë të drejtimit të Juventusit. Marrëveshja dështoi për shkak të një mosmarrëveshjeje taktike, që kishte të bënte me afrimin e brazilianit Diego Ribas.

“Më thanë se Diego dëshironte të luante me skemën 4-3-1-2. Çdo trajner tjetër do të kishte pranuar, por unë nuk bëj kompromise. I thashë klubit se, nëse një futbollist duhej të vendoste se si do të luanim, atëherë unë nuk isha trajneri i duhur për ta”, tha Conte.

Një histori me Juventusin e ndërtuar fillimisht si futbollist, me 13 trofe e më pas si trajner, nga viti 2011 deri në 2014.

Tre tituj kampion radhazi, dy Superkupa të Italisë dhe një rekord historik, 102 pikë të grumbulluara në sezonin 2013-2014.

Më pas, largimi në korrik të vitit 2014. Sot, megjithatë, ky kapitull rikthehet në vëmendje. Për momentin, megjithatë, nuk ka kontakte konkrete mes palëve.

Juventusi vazhdon t’i besojë Luciano Spallettit, pa shfaqur vullnetin për një tjetër ndryshim në pankinë. Rikthimi i Contes mbetet kështu një mundësi për të ardhmen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat