Interi do ta nisë sonte aventurën në edicionin e ri të Ligës së Kampionëve me përballjen ndaj Real Madridit në “Santiago Bernabeu”, por zikaltërit do të zbresin në fushë pa sponsorin kryesor në fanellë.
Arsyeja lidhet me legjislacionin spanjoll, i cili ndalon promovimin e kompanive të basteve dhe lojërave të fatit në sport. Për këtë arsye, logoja e sponsorit kryesor të Interit, Betsson Sport, nuk do të shfaqet në fanellat e ekipit italian në përballjen e sontme në Madrid.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Interi luan në Ligën e Kampionëve me fanella pa sponsor. Në sezonin 2022/23, që përfundoi me finalen e Stambollit ndaj Manchester Cityt, zikaltërit zhvilluan disa ndeshje me fanella tërësisht pa sponsor, pas ndërprerjes së bashkëpunimit me DigitalBits për shkak të pagesave të papërmbushura.
Në fund të atij sezoni, Interi gjeti një zgjidhje të përkohshme, pasi Paramount+ u shfaq si sponsor në disa nga ndeshjet e fundit të kampionatit italian dhe në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Manchester Cityt.