Edon Zhegrova ka reaguar në rrjetet sociale pas paraqitjes së shkëlqyer ndaj Sassuolos, ku realizoi dy gola për Juventusin, por nuk arriti ta festonte edhe fitoren me skuadrën e tij.
Ylli kosovar, i cili ishte një nga protagonistët kryesorë të ndeshjes, ka shprehur keqardhjen që golat e tij nuk u shndërruan në një fitore për “Zonjën e Vjetër”, ndërsa ka theksuar se ekipi do të vazhdojë të luftojë për më shumë.
Në reagimin e publikuar në Instagram, Zhegrova ka shkruar:
“Është për të ardhur keq që golat e mi nuk u shndërruan në fitore, por ne vazhdojmë të shtyjmë për më shumë. Po e prisja këtë moment për të shënuar për këtë klub.”
Dy golat ndaj Sassuolos shënuan një moment të veçantë për Zhegrovën, i cili po pret të bëhet një nga armët e rëndësishme të Juventusit në vazhdim të sezonit.
Paraqitja e tij ka marrë vëmendje të madhe edhe në mediat italiane, me vlerësime për cilësitë e tij në situatat një kundër një dhe aftësinë për të qenë i paparashikueshëm në fazën sulmuese.