Sulmuesi i Manchester Cityt, Erling Haaland, u përfshi papritur në diskutimin rreth flokëve dhe i tha tifozit të njohur të Manchester Unitedit, Frank Ilett, të shkonte te berberi. Ilett, i cili drejton kanalin e tifozëve “The United Strand”, kishte premtuar që në tetor 2024 se nuk do t’i qethte flokët derisa Unitedi të arrinte pesë fitore radhazi.
Në shkurt, 30-vjeçari ishte shumë pranë përmbushjes së premtimit. Unitedi atëherë mposhti Manchester Cityn, Arsenalin, Fulhamin dhe Tottenhamin, por në ndeshjen e pestë barazoi 1:1 me West Hamin. Gati 300 mijë njerëz e ndoqën drejtpërdrejt reagimin e tij ndaj atij rezultati në platformën Kick.
Sezoni në Old Trafford ka nisur keq. Unitedi aktualisht ndodhet në vendin e 12-të në Premier League, me vetëm një fitore në pesë ndeshje.
Nga ana tjetër, rivali lokal Manchester City është i pamposhtur dhe ka regjistruar fitore në të pesë ndeshjet e para kundër Bournemouthit, Crystal Palaceit, Coventryt, Manchester Unitedit dhe Sunderlandit.
Forma e shkëlqyer e Cityt bëri që tifozët të krijonin një teori se Erling Haaland e kishte planifikuar qethjen e tij pas fitores së pestë radhazi në kampionat, me qëllim që të provokonte rivalët.
Pasi në rrjetet sociale u shtrua pyetja nëse koha e qethjes ishte thjesht rastësi apo nëse Haaland e dinte saktësisht se çfarë po bënte, reagoi edhe Ilett. Ai nuk ishte i bindur nga kjo teori.
“Personalisht nuk mendoj se ka ndonjë lidhje me këtë.
Nëse do të ishte kështu, do të ishte qethur pas fitores së pestë kundër Unitedit, dhe jo pas të shtatës kundër Sunderlandit”, shkroi Ilett.
Pak më vonë erdhi edhe përgjigjja e Haalandit. Norvegjezi shkroi shkurt:
“Qethu, o burrë".