Hakan Çalhanollu është një nga elementët kyç të këtij Interi dhe deri pak kohë më parë, mesfushori shihej si një lojtar i cili mund të vazhdonte të jepte kontributin e tij për zikaltrit.
Por një rinovim që diskutohet prej kohësh nuk vjen dhe situata tashmë rrezikon të përfundojë me një lamtumirë mes palëve në mbyllje të këtij edicioni.
Talenti i turkut është i padiskutueshëm, ashtu si ajo që i jep mesfushës së Interit, por sipas mediave italiane, në klub janë të pavendosur për shkak të problemeve fizike të tij.
Shifrat thonë se ai ka humbur një total prej 38 ndeshjesh në 6 sezone te Interi.
Dhe duke llogaritur se ka një rol kyç, zikaltrit nuk kanë luksin të kenë mungesa të tilla. Ndaj ka nisur të shihet me skepticizëm vazhdimësia e tij, meqë edhe numri i dëmtimeve ka nisur të shtohet ndjeshëm në dy sezonet e fundit.
“Gazzetta Dello Sport:” ka argumentuar se tashmë nuk është aspak çudi që futbollisti t’i japë lamtumirën me parametër zero skuadrës në verë dhe se zikaltrit kanë 9 muaj kohë të gjejnë një zëvendësues të denjë.