Do të vuajë katër vjet burgim për sulm seksual

Futboll

Do të vuajë katër vjet burgim për sulm seksual

Nga: K. G. Më: 25 shtator 2026 Në ora: 10:29
Santi Mina

Ish-sulmuesi i Celtas dhe Valencias, Santi Mina (30), do të vuajë katër vjet burgim për sulm seksual, pasi Gjykata e Lartë e Andaluzisë ka konfirmuar dënimin e tij.

Ngjarja për të cilën u dënua Mina ka ndodhur më 16 qershor 2017, rreth orës 04:30 të mëngjesit, pranë një klubi nate në Mojacar, në provincën e Almerías. Sipas dokumenteve gjyqësore, incidenti ndodhi në automjetin e një tjetër futbollisti, David Goldar.

Vendimi i shkallës së parë ishte dhënë në vitin 2022, ndërsa avokatët e Minës kishin bërë ankesë. Gjykata e Lartë e Andaluzisë tashmë e ka refuzuar ankesën sa i përket dënimit me burgim. Ndryshimi i vetëm lidhet me kompensimin për viktimën, i cili është ulur nga 50 mijë në 25 mijë euro.

Mina e nisi karrierën te akademia e Celta Vigos, ndërsa debutoi me ekipin e parë në moshën 17-vjeçare. Më pas kaloi te Valencia, për t'u rikthyer disa vite më vonë te Celta. Gjatë periudhës së procesit gjyqësor luajti edhe si i huazuar te Al-Shabab në Arabinë Saudite.

Karrierën profesionale e përfundoi në korrik të vitit 2023.

Në La Liga, Mina zhvilloi 268 ndeshje, shënoi 63 gola dhe regjistroi 25 asistime. Në Ligën e Kampionëve pati tetë paraqitje dhe shënoi dy gola. Ai ishte pjesë e reprezentacioneve të moshave të Spanjës, por nuk arriti të debutonte me kombëtaren A.

Në vitin 2019, vlera e tij në tregun e transferimeve kishte arritur në 30 milionë euro.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat