Futbollisti shqiptar asiston në golin e tretë, RB Leipzig fiton

Futboll

Futbollisti shqiptar asiston në golin e tretë, RB Leipzig fiton

Nga: K.G. Më: 24 tetor 2026 Në ora: 17:30
Pamje nga ndeshja e sotme mes RB Leipzig dhe Elversberg

Futbollisti shqiptar Brajan Gruda ishte protagonist në fitoren e RB Leipzigut ndaj Elversbergut, me rezultat 4:0, në ndeshjen e javës së shtatë të Bundesligës I.

Gruda u aktivizua në minutën e 62-të dhe kontribuoi në golin e tretë të skuadrës vendase, duke asistuar pas një harkimi nga këndi.

Pjesa e parë e takimit u mbyll pa gola, ndërsa në pjesën e dytë Leipzigu shënoi tri herë, duke siguruar një fitore bindëse.

Golin e parë vendasit e shënuan në minutën e 48-të.

Pas një rivënieje anësore, Antonio Nusa depërtoi me shpejtësi dhe kaloi disa futbollistë të Elversbergut. Rreth 18 metra larg portës, norvegjezi pasoi te Tidiam Gomis, i cili, i lënë i lirë nga mbrojtja kundërshtare, e dërgoi topin ulët në rrjetë me prekjen e parë për 1:0.

Epërsia u dha edhe më shumë besim vendasve, të cilët vazhduan të sulmonin.

Në minutën e 66-të, Nusa dërgoi një pasim të shkëlqyer për Romulo Cardoson. Sulmuesi u nis nga gjysma e fushës së vet, fitoi duelin e shpejtësisë ndaj Pinckertit dhe depërtoi drejt portës.

Goditja e tij e ulët i kaloi mes këmbëve portierit Nicolas Kristof dhe përfundoi në rrjetë për 2:0.

Në minutën e 89-të, pas një harkimi nga këndi të Brajan Grudës, mbrojtja e Elversbergut arriti ta largonte fillimisht topin, por lojtari i Leipzigut e riktheu atë në qendër të zonës. Aty, Baumgartner fitoi duelin ajror dhe shënoi me kokë nga afërsia për 3:0.

Rezultatin përfundimtar e vulosi (4:0) Romulo Cardoso në minutën e 90+4.

Me këtë fitore, RB Leipzigu renditet në vendin e gjashtë me 12 pikë, ndërsa Elversbergu gjendet dy pozita më poshtë, me 10 pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat