Zhegrova ndryshon derbin ndaj Napolit, Muçi shkëlqen në Turqi: Si u paraqitën shqiptarët në fundjavë

Futboll

Zhegrova ndryshon derbin ndaj Napolit, Muçi shkëlqen në Turqi: Si u paraqitën shqiptarët në fundjavë

Nga: bota sot Më: 2 nëntor 2026 Në ora: 12:57
Edon Zhegrova dhe lojtarët e Juventusit festojnë golin e Kerim Alajbegoviqit ndaj Napolit në Serie A

Fundjava e futbollit europian solli paraqitje të ndryshme për futbollistët shqiptarë që luajnë jashtë vendit. Disa prej tyre ishin vendimtarë për skuadrat e tyre, ndërsa yje si Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe Vedat Muriqi përjetuan humbje.

Edon Zhegrova ishte protagonist në fitoren 2-0 të Juventusit ndaj Napolit, në xhiron e 10-të të Serie A. Ylli i Kosovës nisi nga stoli, por pas hyrjes në fushë e ndryshoi rrjedhën e ndeshjes. Ai driblioi mbrojtësin kundërshtar dhe i dha asist Kerim Alajbegoviqit, i cili shënoi me një goditje nga distanca në minutën e 70-të. Fitoren e vulosi Jeremie Boga në minutën e 87-të, gjithashtu me gol nga distanca.

Te Napoli, mbrojtësi kosovar Amir Rrahmani hyri në lojë në pjesën e dytë, pasi ishte i sëmurë dhe nuk ishte gati të niste si titullar. Pavarësisht paraqitjes së Zhegrovës, konkurrenca në sulmin e Juventusit mbetet e fortë: trajneri Luciano Spalletti preferoi që nga minuta e parë Alajbegoviqin, Woltemaden dhe Kolo Muanin.

Në Turqi, Ernest Muçi ishte lojtari më i mirë në fushë në fitoren 2-0 të Trabzonsporit ndaj Gaziantepit. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare dha një asist në fund të pjesës së parë dhe shënoi një gol të bukur nga distanca në minutën e 61-të. Ai numëron tashmë tre gola dhe gjashtë asiste në kampionat këtë sezon, ndërsa Trabzonspori vazhdon serinë e fitoreve radhazi.

Në Superligën e Zvicrës, dy kosovarët e Sionit ishin në qendër të vëmendjes në barazimin 1-1 me Luzernin. Kreshnik Hajrizi e dërgoi topin në portën e vet në minutën e 65-të, por Rilind Nivokazi, i futur në lojë në minutën e 72-të, barazoi shtatë minuta më vonë. Për Sionin luajtën edhe Donat Rrudhani dhe Benjamin Kololli, ndërsa portieri Simon Simoni e ndoqi ndeshjen nga stoli i Luzernit. Nivokazi ka tashmë katër gola dhe tri asiste në të gjitha garat, ndërsa Sioni renditet i treti me 23 pikë.

Në Itali, Cristian Shpendi shënoi golin e barazimit për Çezenën në transfertën ndaj Südtirolit, e cila përfundoi 1-1. Sulmuesi shqiptar realizoi në minutën e 65-të dhe ka tetë gola në dhjetë ndeshje kampionati. Ndërkohë, në Slloveni, Indrit Tuci vendosi derbin e Mariborit ndaj Olimpijas së Lubjanës me golin e tij të katërt sezonal.

Fundjava ishte e hidhur për Granit Xhakën. Sunderlandi, me Xhakën kapiten, u mposht 3-1 në transfertë nga skuadra e sapongjitur Coventry City dhe në fund mbeti edhe me një lojtar më pak. Sunderlandi ka vetëm pesë pikë pas nëntë xhirove. Pas ndeshjes, Xhaka tha se skuadra luftoi dhe se është në rrugën e duhur, ndërsa paraqitja e tij u kritikua nga mediat angleze.

Edhe Xherdan Shaqiri doli i mundur, pasi Baseli humbi 2-1 në Lugano. Kapiteni i Baselit luajti rreth 65 minuta dhe mori kartonin e katërt të verdhë të sezonit, ndaj do të mungojë në ndeshjen e të dielës së ardhshme ndaj Thunit.

Në Stamboll, Fenerbahçe e Vedat Muriqit u mposht 2-1 në shtëpi nga Göztepe, pasi kishte qenë në avantazh. Kapiteni i Kosovës u fut në lojë nga stoli, por nuk arriti ta ndryshonte rezultatin. Te Beşiktaşi, Milot Rashica u rikthye pas lëndimit dhe luajti disa minuta ndaj Kasımpaşës.

Nga lojtarët e Kombëtares shqiptare, si titullarë me klubet e tyre u aktivizuan edhe Etrit Berisha, Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Marash Kumbulla, Klisman Cake, Samuele Sina, Stavro Pilo, Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Qazim Laçi, Juljan Shehu, Arbër Hoxha, Nedim Bajrami, Jasir Asani, Taulant Seferi, Sabah Kerjota dhe Rey Manaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat