Arsene Wenger mund të sfidojë Gianni Infantinon

Futboll

Arsene Wenger mund të sfidojë Gianni Infantinon

Më: 7 nëntor 2026 Në ora: 14:03
Arsene Wenger - majtas dhe Gianni Infantino në mes

Ish-trajneri legjendar i Arsenalit, Arsene Wenger, po shqyrton mundësinë e kandidimit për president të FIFA-s, duke u shfaqur si një kundërshtar i mundshëm i presidentit aktual, Gianni Infantino.

Sipas raportimeve të mediumit francez “L'Équipe”, Wenger është gjithnjë e më afër hyrjes në garën për kreun e institucionit më të lartë të futbollit botëror.

Francezi 77-vjeçar, i cili aktualisht mban pozitën e drejtorit të FIFA-s për zhvillimin global të futbollit, ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Vendimi pritet të bëhet i ditur në mesin e javës së ardhshme, pas disa takimeve që mund ta bindin të hyjë në garë.

Wenger gëzon mbështetje në Afrikë dhe Azi

Sipas “L'Équipe”, Wenger gëzon reputacion të madh në Afrikë dhe Azi. Përvoja e tij ndërkombëtare dhe fakti që nuk vjen nga rrethet e UEFA-s mund t'i ndihmojnë atij të sigurojë mbështetjen e disa federatave kombëtare që janë kundër drejtimit aktual të FIFA-s.

Madje, sipas raportimeve, kandidaturën e tij e mbështesin edhe disa punonjës brenda vetë FIFA-s.
Duke pasur parasysh moshën e tij, në rast të fitores, Wenger pritet të synojë vetëm një mandat katërvjeçar.

Infantino mund të ketë dy rivalë

Gianni Infantino po përgatitet për të kërkuar një mandat të ri në krye të FIFA-s, por gara mund të bëhet më interesante nëse Wenger vendos të kandidojë.

Një tjetër emër që ka shprehur synimin për ta sfiduar Infantinon është Kozo Tashima, president i Federatës Japoneze të Futbollit.

Nëse të dy kandidaturat konfirmohen, Infantino mund të përballet me dy kundërshtarë në garën për drejtimin e futbollit botëror.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat