Ish-trajneri i Gjilanit tregon çfarë po i mungon kësaj skuadre për t’u bërë kampion i Kosovës

Futboll

Ish-trajneri i Gjilanit tregon çfarë po i mungon kësaj skuadre për t’u bërë kampion i Kosovës

Më: 9 nëntor 2026 Në ora: 20:02
Ish-trajneri i Gjilanit, Musa Selimi

Ish-trajneri i Gjilanit, Musa Selimi, ka folur për gjendjen aktuale të klubit gjilanas, investimet e bëra ndër vite dhe arsyet që, sipas tij, po e pengojnë skuadrën ta bëjë hapin përfundimtar drejt suksesit.

Në një intervistë në emisionin SportCast, Selimi ka vlerësuar se Gjilani nuk ka probleme të mëdha sa i përket organizimit, promovimit dhe marketingut, por se klubit i mungon një qasje më profesionale në menaxhim dhe në punën brenda skuadrës.

Ai ka theksuar se financat janë të rëndësishme, por ato duhet të shoqërohen me njerëz kompetentë, menaxhim të drejtë dhe analiza profesionale që përfshijnë edhe shkencën sportive dhe testimet e performancës.

“Meqë unë nga viti 2015 nuk jam pjesë e Gjilanit, ka 10 vite, fatkeqësisht që nuk është se më kanë kontaktuar, por edhe unë jam tip që nuk i imponohem. Kanë marrë trajnerë të ndryshëm, njerëz të ndryshëm, mendoj që financat janë të rëndësishme, por më tepër duhet t'i kushtohet kujdes anës profesionale, menaxhimit të drejtë, njerëzve kompetentë, e që nuk po them që nuk kanë, sepse nuk kanë probleme sa i përket organizimit, promovimit e marketingut, por i mungon diçka sikur brenda për brenda, nuk është një grup i njerëzve që ndoshta e shohin pak më ndryshe organizimin e klubit. Kjo mendoj që po i penalizon, sepse klubi mund të ketë financa të mjaftueshme, por që pjesa profesionale që bazohet pak më tepër edhe në matje, dhe shkon edhe pak te shkenca, te testimi në performancë, sikur i mungon Gjilanit kjo pjesë, dhe, fatkeqësisht, kjo ndoshta është pjesa kryesore ku ata nuk po arrijnë ta bëjnë atë hapin përfundimtar përkundër organizimeve të mira që i kanë”, tha Selimi.

Sipas tij, investimet e mëdha financiare nuk po arrijnë të përkthehen në rezultate dhe suksese të rëndësishme sportive, për çka ai pret ndryshime në mënyrën e funksionimit të klubit, duke kërkuar analiza më të thelluara të punës së trajnerëve dhe akademisë.

“Nuk po arrijnë ta kurorëzojnë me një sukses që do të ishte mëkat, sepse vërtet po investohet shumë, jepen para marramendëse edhe për paga, edhe për organizime, edhe për përgatitje. Por që shpresojmë që në të ardhmen ndoshta do të ketë ndryshime, edhe në këtë aspekt që të plotësohet kjo zbrazëti, do të thosha, ky boshllëk që nuk e kanë për momentin dhe të analizohen gjërat më mirë, në mënyrë profesionale, edhe puna e trajnerëve, edhe puna e akademisë, dhe kështu, Gjilani do të bëhet një klub serioz siç është edhe sot, por që po i mungon suksesi”, u shpreh Selimi.

Musa Selimi ka lënë gjurmë në historinë e klubit gjilanas edhe gjatë kohës kur ishte në krye të skuadrës, pasi nën drejtimin e tij Gjilani kishte fituar Kupën dhe Superkupën e Kosovës.

Megjithatë, titulli i kampionit të Kosovës vazhdon të mbetet një objektiv i parealizuar për këtë klub, pavarësisht investimeve dhe ambicieve të vazhdueshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat