“We Are Youth | Talenti i Muajit” është një rubrikë mujore në portalin Juventus.com që njeh me yjet në rritje të skuadrës “Next Gen” dhe ekipeve të të rinjve të klubit rekordmen italian.
Dhe talenti i zgjedhur nga kjo rubrikë për muajin tetor te Juventusi ishte pikërisht Arman Durmishi.
Djaloshi 18-vjeçar shqiptar, i cili kohët e fundit është bërë temë diskutimi pasi po refuzon vazhdimisht ftesat që i kanë ardhur nga U21 për ndeshjet miqësore, ka treguar të gjithë rrugëtimin e tij te Juventusi,.
Nga transferimi nga Koper në Slloveni bashkë me të vëllain Dajan, deri në grumbullimin me ekipin e parë të bardhezinjve për miqësore apo ndeshje zyrtare. Ai ka zbuluar edhe nga cilët lojtarë frymëzohet, si dhe ëndrrën e tij të madhe të karrierës.
Nga sportet e tjera te gëzimi i golit të parë
“Fillova të luaja futboll kur isha shumë i vogël. Provova shumë sporte të ndryshme – volejboll, hendboll dhe basketboll – por në fund, futbolli ishte ai që e doja më shumë. Nuk e mbaj mend herën e parë që kam prekur topin, por kujtimi im i parë i qartë vjen nga një ndeshje kur isha fare i vogël: po binte shi dhe unë shënova golin tim të parë. Isha shumë i lumtur atë ditë; është një kujtim i mrekullueshëm.
Si fëmijë, kam luajtur në pozicione të ndryshme, por në momentin që shënova atë gol të parë, e kuptova menjëherë se ky ishte vendi im”.
Rëndësia e familjes dhe rrugëtimi me vëllain
“Familja ime ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme. Babai im na ka mbështetur gjithmonë, si mua ashtu edhe vëllain tim. Ai është një shembull që nuk do ta harroj kurrë, pasi dha gjithçka për të na ndihmuar të arrinim në këtë nivel. Pa të, nuk do të kisha arritur kurrë deri këtu.
Unë dhe vëllai im e kemi ndarë një pjesë të madhe të rrugëtimit tonë së bashku; ishte fantastike të luaja përkrah tij, sepse ai më njeh shumë mirë. Shpresoj që një ditë të mund të luajmë sërish së bashku, ose ndoshta edhe të përballemi si kundërshtarë në një ndeshje të madhe”.
Zhvendosja në Torino dhe përshtatja me botën bardhezi
“Të mbërrija në një klub të madh si Juventusi, së bashku me vëllain tim, e bëri këtë përvojë edhe më të bukur. Gjithçka këtu ishte e re, njerëz të rinj, një mjedis i ri, por duke qenë se erdhëm së bashku, mundëm ta mbështesnim njëri-tjetrin.
Në fillim, mungesa e njohjes së gjuhës i bëri gjërat paksa të vështira, por gjatë atij viti të parë, dy bashkatdhetarët e mi, Rafaele Huli dhe Kris Gecaj, më ndihmuan jashtëzakonisht shumë.
Po jashtë fushës? Më pëlqen shumë Torino; është një qytet i bukur. Te Juve ke absolutisht gjithçka që të duhet; nuk të mungon asgjë. Në kohën e lirë, më pëlqen të luaj PlayStation me miqtë e mi dhe të mbaj kontakte me njerëzit më të afërt në Slloveni. Sa herë që kam disa ditë pushim, kthehem për t’i vizituar”.
Në fushë: nga Mesi te Suarez dhe Ibrahimoviç
“Nëse do të më duhej t’i përshkruaja vetveten dikujt që nuk më njeh, do të thosha se jam një lojtar që jeton për të shënuar gola. Që i vogël, Mesi ka qenë gjithmonë idhulli im, edhe pse nuk luaj në pozicionin e tij. Mes sulmuesve që më kanë frymëzuar më shumë, spikat Luis Suarez. Ai ka qenë gjithmonë shumë efikas para portës, i talentuar teknikisht dhe i shkëlqyer në bashkëpunimin me ekipin, ai di të bëjë pothuajse gjithçka. Zlatan Ibrahimoviç është një tjetër burim i madh frymëzimi për mua”.
Kalimi te të rriturit dhe rritja me skuadrën “Next Gen”
“Në Slloveni, pasi kalova nëpër të gjitha grupmoshat e reja, bëra hapin drejt ekipit të parë dhe e ndjeva vërtet ndryshimin.
Në mjedise të tilla, ti rritesh jo vetëm fizikisht, por ajo që është më e rëndësishme, edhe mendërisht. Mentaliteti është gjithçka; nëse ke vetëbesim, luan me më shumë qetësi dhe gjërat në fushë vijnë natyrshëm. Kalimi nga niveli U-20 te skuadra profesioniste “Next Gen” ka qenë një ndihmë e madhe për zhvillimin tim. Seria C është një kampionat jashtëzakonisht sfidues: mbrojtësit janë më të fuqishëm e më me përvojë dhe i kushtohet një rëndësi e madhe taktikës.
Së bashku me stafin e trajnerit Brambilla, po punojmë konkretisht në fazën mbrojtëse. Si sulmues, mund të kesh dëshirë vetëm të sulmosh, por në futbollin modern është thelbësore të ndihmosh edhe ekipin. Është një rrugëtim zhvillimi që synon, në fund, arritjen tek ekipi i parë. Aktualisht po shkoj shumë mirë me shokët e skuadrës; kam marrëdhënie të mira me të gjithë, përfshirë trajnerin. Flas shpesh me stafin e tij, të cilët më japin këshilla të përditshme për të më ndihmuar të vazhdoj të rris nivelin tim. Të luash për Juven nuk është njësoj si të luash për çdo klub tjetër; klubi ka një histori vërtet të madhe. Fakti që klubi ka besim tek unë më bën jashtëzakonisht të lumtur dhe më jep një shtysë të vërtetë. Deri tani jam në rrugën e duhur, por varet nga unë që të vazhdoj të kem performanca të mira”.
Grumbullimi veror dhe turneu në Azi e Australi
“Përgatitja me ekipin e parë ishte një përvojë fantastike. Niveli është jashtëzakonisht i lartë dhe topi lëviz më shpejt, por kur luan krah bashkëlojtarëve kaq të fortë, ata të ndihmojnë të shfaqësh edhe ti një lojë të mirë. Në fillim mund të ndihesh një hap pas, por përshtatesh shpejt, sepse lojtarët e tjerë të flasin dhe të bëjnë të ndihesh rehat. Turi në Kinë dhe Australi ishte i mrekullueshëm; madje pata mundësinë të luaja edhe në një ndeshje.
Të ndash fushën dhe vijën e sulmit me lojtarë të kalibrit të Jilldiz dhe Zhegrovës, apo të përballesh me kundërshtarë si Estevao, është thjesht e pabesueshme.
Ndonjëherë duhet të pyesësh veten nëse është e vërtetë, duke parë se sa shpejt po ndodhin të gjitha. Në fillim kishte pak emocion, por nga ai lloji i mirë, pa ankth. Sapo shkel në fushë, harron gjithçka tjetër dhe përqendrohesh vetëm te loja”.
Objektivat dhe aspiratat
Nuk kam vendosur objektiva specifike për këtë sezon, por qëllimi im kryesor është të bëj një paraqitje të mirë me skuadrën “Next Gen”, duke u rritur si ekip, ashtu edhe si lojtar individualisht. Përtej kësaj, do të ishte e mrekullueshme të bëja debutimin tim dhe të shënoja një gol për ekipin e parë.
Ëndrra ime më e madhe është të fitoj diçka të rëndësishme me këtë fanellë. Ëndrra ime e fëmijërisë? Epo, besoj se është e njëjtë si e gjithë të tjerëve: të fitoj ‘Topin e Artë'”.