Spanja fiton edhe pa shkëlqyer në Pragë ndaj Çekisë

Futboll

Spanja fiton edhe pa shkëlqyer në Pragë ndaj Çekisë

Më: 12 nëntor 2026 Në ora: 22:54
Baena feston golin e parë të ndeshjes së bashku me lojtarin Yeremy Pino

Kombëtarja e Spanjës ka shënuar fitore në udhëtim ndaj Republikës së Çekisë, duke triumfuar me rezultat 2:0 në Pragë në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve.

Kampionët treguan se dinë të fitojnë edhe në ditët kur nuk shkëlqejnë, ndërsa golat e Alejandro Baenas dhe Marc Pubillit vendosën fatin e takimit.

Spanja kaloi në epërsi falë një penalltie në pjesën e parë. Futbollisti çek Ambros preku topin me dorë brenda zonës në një situatë që nuk paraqiste rrezik të madh, ndërsa pas ndërhyrjes së VAR-it u akordua penallti.

Alejandro Baena mori përgjegjësinë dhe u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke kaluar Spanjën në epërsi në minutën e 39-të.

Pas golit, spanjollët patën mundësi ta thellonin rezultatin. Fabián Ruiz goditi shtyllën, ndërsa një gol i Yeremy Pinos u anulua.

Megjithatë, pjesa e dytë solli vështirësi për skuadrën e Luis de la Fuentes. Çekia rriti presionin, sidomos në situatat nga ndërprerjet, duke e vënë disa herë në vështirësi mbrojtjen spanjolle.

Rasti më i mirë për vendasit erdhi pas një goditjeje me kokë të Hlozekut, por topi përfundoi në traversë pas një daljeje jo të sigurt të Unai Simonit.

Spanja pati gjithashtu një mundësi të mirë përmes sulmuesit Roberto, por ndërhyrja e Krejçit ndaj tij u ndëshkua me karton të kuq pas rishikimit të VAR-it në minutën e 72-të.

Me një futbollist më shumë, Spanja nuk arriti të vendoste plotësisht kontrollin e lojës, por në aksionin e fundit të ndeshjes (90+6’) Marc Pubill shënoi dhe vulosi fitoren e skuadrës së tij.

Kështu, Spanja mori tri pikë të rëndësishme në Pragë, duke dëshmuar se edhe kampionët dinë të fitojnë në ndeshje të vështira, pa pasur domosdoshmërisht paraqitjen e tyre më të mirë.

Spanja kryeson renditjen me 15 pikë në Grupin 3 të Ligës A të Kombeve dhe çekët janë vend të katërt me 0 pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat