Eksperti i SRF-së për kombëtaren zvicerane, Beni Huggel, ka dhënë një vlerësim pozitiv pas rikthimit në Ligën A të Ligës së Kombeve.
Në fund, Zvicra bëri vetëm aq sa ishte e nevojshme. Me një barazim pa gola ndaj Sllovenisë, në një ndeshje të vështirë dhe jo shumë tërheqëse, skuadra e Murat Yakinit siguroi ngjitjen në Ligën A të Ligës së Kombeve.
Edhe pse pas disa javësh pak kush do ta kujtojë ndeshjen e zhvilluar në Maribor, rikthimi në ligën më të fortë mbetet mbi gjithçka tjetër.
“Zvicra u kualifikua në Ligën A në mënyrën më të shpejtë të mundshme”, thekson eksperti i SRF-së, Beni Huggel, pas barazimit 0:0.
“Vetëm një gol i pësuar në pesë ndeshje, katër fitore dhe një barazim – më mirë se kaq nuk mund të bëhet”, vlerëson Huggel, duke ia atribuar këtë sukses trajnerit Yakin dhe ekipit të tij.
Zëvendësimi i duhur i lojtarëve të rëndësishëm
Huggel është impresionuar veçanërisht nga mënyra se si Zvicra i ka përballuar mungesat e lojtarëve të rëndësishëm.
Kapiteni Granit Xhaka mungoi edhe në grumbullimin e fundit, sulmuesi Breel Embolo u rikthye pas mungesës, ndërsa kësaj radhe mungon talenti Johan Manzambi.
“U dalluan lojtarë të ndryshëm dhe pati golashënues të ndryshëm. Kjo tregon se sa e gjerë dhe e kompletuar është aktualisht kombëtarja zvicerane. Sidomos pas paraqitjes shumë të suksesshme në Kampionatin Botëror gjatë verës», shprehet i kënaqur Huggel.
Shumë futbollistë fituan pikë
Sipas Huggelit, njëri nga fituesit e mëdhenj të kësaj fushate në Ligën e Kombeve është sulmuesi Zeki Amdouni, i cili “e zëvendësoi shumë mirë Embolon gjatë mungesës së tij”.
Eksperti i SRF-së vlerëson edhe Dan Ndoyen, Johan Manzambin dhe Ardon Jasharin, si dhe mbrojtësit e krahut Zachary Athekame dhe Sascha Britschgi.
“Ka disa lojtarë që gjatë vjeshtës kanë fituar vend në rrethin e ngushtë dhe më të gjerë të përfaqësueses”, thekson Huggel.
Megjithatë, angazhimet e Zvicrës në Ligën B të Ligës së Kombeve nuk kanë përfunduar ende. Të hënën, në St. Gallen, zviceranët do të përballen me Skocinë, në ndeshjen e fundit të këtij edicioni, e cila transmetohet drejtpërdrejt në SRF zwei.