Festimi i golit të tij vazhdon të shfaqet në ekranet televizive: Ishte golashënuesi më i mirë nigerian i të gjitha kohërave...

Futboll

Festimi i golit të tij vazhdon të shfaqet në ekranet televizive: Ishte golashënuesi më i mirë nigerian i të gjitha kohërave...

Nga: B.S Më: 15 nëntor 2026 Në ora: 15:48
Kështu festonte Rashidi Yekini pas golit, duke u futur brenda portës dhe duke kapur rrjetën me duar

Rashidi Yekini ishte golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares së Nigerisë dhe futbollisti që mbeti i paharruar për festimin e golit në Kupën e Botës në SHBA, në vitin 1994.

Festimi i tij pas golit në ndeshjen kundër Bullgarisë vazhdon edhe sot të shfaqet në shumë sekuenca hyrëse të emisioneve sportive.

Bota e njohu Rashidi Yekinin në Kampionatin Botëror të vitit 1994 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku, në debutimin e Nigerisë në këtë kompeticion, ai shënoi edhe golin e parë të kësaj përfaqësueseje afrikane në historinë e Kupës së Botës.

Pasi mposhti portierin bullgar Boris Mihajlov, Yekini festoi duke futur duart në rrjetën e portës. Kjo pamje mbetet edhe sot një nga momentet më të paharrueshme, që prej shumë vitesh shfaqet në sekuencat televizive të emisioneve të ndryshme sportive. Në atë ndeshje, Nigeria triumfoi me rezultat 3:0.

Nigeria luante një futboll shumë tërheqës në atë kohë, ndërsa Yekini, gjatë periudhës 1993-1994, shënoi 34 gola në 32 ndeshje.

Ai jo vetëm që e ndihmoi kombëtaren e tij të kualifikohej për herë të parë në një Kampionat Botëror, por me golat e tij e udhëhoqi deri në fazën e 1/8 së finales, ku Nigeria u eliminua në vazhdime nga Italia, finaliste e mëvonshme e turneut.

Në vitin 1993, Yekini u shpall futbollisti më i mirë afrikan, duke u bërë nigeriani i parë që fitoi këtë çmim.
Deri më sot, ai mbetet golashënuesi më i mirë në historinë e përfaqësueses së Nigerisë, me 37 gola në 58 paraqitje.

Rashidi Yekini luajti me Nigerinë edhe në Kampionatin Botëror të vitit 1998 në Francë, por në atë kohë nuk ishte më në nivelin që kishte treguar në SHBA.

Karrierën klubore e nisi në vitin 1981 te Kaduna, skuadër nga qyteti me të njëjtin emër në veri të Nigerisë.

Pas nëntë vitesh karrierë profesionale në Afrikë, ai u transferua te skuadra portugeze Vitoria Setubal, ku ishte golashënuesi më i mirë për katër sezone radhazi, duke realizuar plot 90 gola në 108 paraqitje në kampionat.

Më pas luajti për periudha të shkurtra në Greqi, te Olympiacos, dhe në Spanjë, te Sporting Gijón, ndërsa qëndroi më gjatë në Zvicër, te Zürich.

Në fund, talentin e tij e shfrytëzoi edhe financiarisht përmes një kontrate të pasur në Arabinë Saudite, ku për disa sezone luajti për Al-Shabab.

Më pas u kthye në Afrikë, ndërsa karrierën e përfundoi në vitin 2003 te klubi nigerian Julius Berger.

Më 4 maj të vitit 2012, në qytetin nigerian Ibadan, në moshën 48-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë, ndërroi jetë Rashidi Yekini.

Megjithatë, kujtimi për njërin prej golashënuesve më të mëdhenj afrikanë të të gjitha kohërave vazhdon të jetojë. Ndërsa festimi i tij ikonik i golit mbetet një nga momentet më të paharrueshme të karrierës së tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat