Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar klubet dhe opinionin për datën e tërheqjes së shortit për fazën e 1/16 së finales së Kupës së Kosovës.
Përmes Komisionit të Garave, FFK ka bërë të ditur se shorti do të tërhiqet të premten, më 27 nëntor, duke filluar nga ora 14:00, në selinë e federatës.
Në këtë fazë të garës do të marrin pjesë skuadrat e Superligës, Ligës së Parë dhe Ligës së Dytë, ndërsa fituesit e përballjeve do të sigurojnë kalimin në fazën e 1/8 së finales.
Pas tërheqjes së shortit do të mësohen çiftet që do të përballen në këtë fazë të garës për trofeun e Kupës së Kosovës.
Kujtojmë se fitues i edicionit të fundit të Kupës së Kosovës ishte Dukagjini, që në finale kishte triumfuar ndaj Ferizajt.