Mësohen detaje të reja për takimin Vuçiq-Putin, temë diskutimi edhe Kosova – ja çfarë do kërkojë presidenti serb

Lajme

Mësohen detaje të reja për takimin Vuçiq-Putin, temë diskutimi edhe Kosova – ja çfarë do kërkojë presidenti serb

Nga: A.M. Më: 25 nëntor 2021 Në ora: 09:11
Aleksandër Vuçiq dhe Vladimir Putin

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, sot në Soçi do të takohet me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Presidenca serbe ka njoftuar se në orën 13 është planifikuar takimi ndërmjet dy presidentëve, e më pas është planifikuar edhe dreka.

Sipas agjencisë ruse TASS, Putin dhe Vuçiq kanë planifikuar të prekin çështjet e partneritetit strategjik ruso-serb në sferën politike, tregtare, ekonomike, kulturore dhe humanitare, si dhe të shkëmbejnë mendime për situatën në Ballkan, duke përfshirë perspektivat për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Se ky është një takim jashtëzakonisht i rëndësishëm për Serbinë, e ka theksuar edhe presidenti Vuçiq.

Tema kryesore e takimit është marrëveshja e ardhshme afatgjate me Rusinë për furnizimin me gaz. Presidenit serb nuk e fshehu faktin se do t'i kërkojë Putinit çmimin më të mirë për atë energji, sepse nga kjo do të varet edhe më tej zhvillimi ekonomik i Serbisë.

“Është një pyetje për të gjithë vendin tonë, sepse ardhja e investitorëve varet nga kjo, nëse do të kemi energji elektrike dhe rezerva”, tha Vuçiq para se të nisej për në Rusi, transmeton "Bota sot".

Takimi në Soçi, i cili është takimi i 19-të zyrtar i dy presidentëve, vjen në një kohë të sfidave të shumta me të cilat përballet Serbia - presioni i shtuar nga Perëndimi i "mbështjellë" me kritika ndaj shtetit të së drejtës, mediave, gjendjes së mjedisit, dhe qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare ndaj lëvizjeve të Prishtinës dhe komplikimi i situatës në rajon.

Vetë Vuçiq ka bërë të ditur se këto janë çështje të një rëndësie kyçe për të cilat do të diskutojë me presidentin rus, i cili, siç tha, do të informojë edhe për gjithçka që po ndodh në bisedimet për Kosovën, si dhe për situatën e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor.

“Kemi pyetje interesante nga rajoni, por është mjaft e sigurt që do të jem në gjendje të dëgjoj nga Putini se si e sheh ai situatën në Evropë, Azi dhe në botë, dhe si ne, si një vend i vogël, mund të gjejmë pozicionimin më të mirë në një botë të trazuar dhe të mbrojmë interesat tona”, tha Vuçiq.

Kremlini gjithashtu i sheh këto çështje si qendrore në bisedën mes dy liderëve. Dje, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Putin do të bisedojë me Vuçiqin në Soçi për "bashkëpunimin mes dy vendeve për përfitim reciprok", që, siç vlerësoi ai, do të jenë "bisedime shumë të rëndësishme me aleatin dhe mikun e Rusisë".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat