Shkon në ndërmjetësim lënda ndaj dy të akuzuarve për dëmtim të pasurisë në Kamenicë

Lajme

Shkon në ndërmjetësim lënda ndaj dy të akuzuarve për dëmtim të pasurisë në Kamenicë

Më: 2 shkurt 2022 Në ora: 12:10
Foto nga vendi i ngjarjes

Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, të mërkurën, e ka dërguar në procedurë ndërmjetësimi lëndën ndaj Fatbardh Prekorogjës dhe E.M, të cilët akuzohen se në prill të 2020-ës, në Busavatë të Kamenicës, në pronën e të dëmtuarës D.S, kanë prerë një lis, i cili gjatë rrëzimit e kishte goditur një shtyllë elekrtike të drurit, duke e këputur përgjysmë.

Dërgimi i lëndës në ndërmjetësim, është vendosur nga gjykatësi Sadri Krasniqi, pas propozimit nga të akuzuarit, si dhe me pëlqimin e të dëmtuarës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këtë propozim nuk e ka kundërshtuar prokurorja Huma Jetishi dhe më pas, gjykatësi Sadri Krasniqi mori aktvendim, me anë të së cilit këtë rast penal do ta dërgojë në Qendrën e Ndërmjetësimit në Gjilan.

“Nëse brenda afatit ligjor nuk kemi ndonjë konfirmim për procedurën e ndërmjetësimit, atëherë gjykata do të caktojë shqyrtimin gjyqësor”, deklaroi gjykatësi Krasniqi.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 19 maj 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj F.P dhe E.M, me arsyetimin se ata më 4 prill 2020, në Busavatë të Kamenicës, te vendi i quajtur “Steza”, në pronë të dëmtuarës D.S, me dashje dhe me veprimet e tyre të kundërligjshme, kanë asgjësuar-dëmtuar, kanë prerë një lis, i cili gjatë rrëzimit e kishte goditur një shtyllë elekrtike të drurit duke e këputur përgjysmë dhe në këtë mënyrë, të akuzuarit me veprimet e tyre, të dëmtuarës i shkaktojnë dëm material në vlerë të papërcaktuar.

Me këtë, F.P dhe E.M akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, nga neni 321, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vjet /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat