Bie qeveria e Malit të Zi: Abazoviq nis bisedimet, ja si do të jetë kabineti i ri

Lajme

Bie qeveria e Malit të Zi: Abazoviq nis bisedimet, ja si do të jetë kabineti i ri

Më: 5 shkurt 2022 Në ora: 09:58
Zdravko Krivokapiç dhe Dritan Abazoviq

Ka rënë në orët e para të mëngjesit të sotëm qeveria proserbe e Malit të Zi- e drejtuar nga inxhinieri Zdravko Krivokapiç.

Me një shumicë mëse dërrmuese- 54 deputetë, nga 41 që është mazhoranca parlamentare e 80 deputetëve, kanë votuar pro mocionit të mosbesimit për qeverinë.

Deputetët e katër partive proserbe: “Fronti Demokratik, “Lëvizjes për Ndryshim”, “Partisë Popullore Socialiste” dhe Demos u larguan nga salla para votimit të mosbesimit.

Ndërkaq, një parti e koalicionit aktual “Demokratët malazezë” ka votuar për rrëzimin e qeverisë.

Si përfundim: ishin të pranishëm në votim 54 deputetë, pro mocionit votuan 43 deputetë, kurse 11 votuan kundër.

Deputeti i një partie nacionaliste proserbe, Marko Milaçiç, i cili ka edhe një OJF që financohet nga Moska, ka shpërthyer në gjeste të dhunshme, duke akuzuar Dritan Abazoviqin dhe Amerikën për “tradhti”.

Pas rrëzimit të qeverisë, kreu i grupit parlamentar të partisë “Ura”, Millosh Konatar, tha se kryeministër i ri duhet të jetë lideri i lëvizjes URA, Dritan Abazoviq. Ai tha se bisedimet do të nisin sot.

Kryetari i lëvizjes qytetare “Civis” dhe anëtari i koalicionit “Bardhezi” Srdjan Paviçeviç u ka bërë thirrje mbështetësve të DPS-së së Gjukanoviçit që të mos festojnë për shkak të rënies së qeverisë, sepse nuk kanë arsye ngaqë kjo nuk është fitorja e tyre.

Ai u ka bërë apel qytetarëve që të mos dalin as për t’u gëzuar as për t’u hidhëruar, sepse “është e qartë se nuk ka fitore për partitë opozitare”.

Kreu i “Malit të Zi Demokratik” dhe kryetar i parlamentit, Aleksa Beçiç, i cili është me koalicionin proserb akuzoi opozitën se ka rrëzuar qeverinë për të shmangur zgjedhjet e reja.

“Kur rrëzon qeverinë dhe je i vetmi që ulesh me opozitën, kur nisin të festojnë me fishekzjarre”, nuk ka nevojë për koment”, tha Beçiç.

Ndërkaq, kreu i grupit parlamentar të partisë më të madhe të opozitës, DPS-së së Milo Gjukanoviçit- Danijel Zhivkoviç, tha se janë të gatshëm të bisedojnë me të gjithë ata që i duan të mirën Malit të Zi, për ta nxjerrë vendin nga kriza e vështirë politike.

Ai tha se janë gati për  bisedime menjëherë. Zhivkoviç nuk ka kundërshtuar versionin që qeveria e re të bëhet pa pjesëmarrjen e tyre, por ta mbështesin nga jashtë.

Mediat ruse dhe ato serbe, ende nuk kanë komentuar ngjarjen, por thjesht kanë dhënë lajmin e rrëzimit të qeverisë.

Ndërkaq, ‘Vijesti’, media më e rëndësishme e Malit të Zi, e cila ka qenë ndër kritikueset e akuzueset më të mëdha ndaj Milo

Gjukanoviçit dhe klanit të tij, shkruan se vendi ka hyrë në një epokë të re dhe u mbyll epoka post Milo.

“Nga Eksperimenti në eksperiment”- e titullon ‘Vijesti’ editorialin e saj për rrëzimin e qeverisë.

Lideri i partisë më të flaktë proserbe, që e quan veten “Duka çetnik” Andrija Mandiç, tha për televizionin serb ‘Pink’, se “tradhtia është shqiptare”, duke akuzuar Dritan Abazoviqin. Por ai akuzoi edhe Krivokapiçin se e llastoi “tradhtarin”.

Por i gjithë problemi është se qeveria e Dritan Abazoviqit nëse krijohet, do të ketë presione të forta si nga proserbët, ashtu edhe nga DPS e Gjukanoviçit, e cila e mban në këmbë kabinetin.

DPS-ja nuk do të marrë pjesë në qeveri, veçse është realisht partia që e mban në këmbë ekzekutivin.

Abazoviq dhe Gjukanoviç nuk është hera e parë në një aleancë me njëri-tjetrin, pasi në vitin 2006, në referendumin për pavarësinë, Milo e Dritani ishin përballë të gjithë partive proserbe që drejtonin qeverinë, të cilën e rrëzuan mbrëmë.

Opozita pro-serbe kërkon zgjedhje të reja, por është e vetëdijshme se, siç po ndodhin gjërat tani, kjo do të varet nga vullneti i DPS-së – lexo Milo Gjukanoviç.

Pas këtij përfundimi – nëna e të gjitha pyetjeve është se çfarë do të ndodhë me Milo Gjukanoviqin para përfundimit të mandatit të tij presidencial.

Mediat malazeze shkruajnë se kryebashkiaku i Podgoricës Ivan Vukoviç tashmë është përgatitur për të marrë trashëgiminë e Milos.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat