Vuçiq si Putini, e ka për qëllim të krijojë “Botën Serbe”

Lajme

Vuçiq si Putini, e ka për qëllim të krijojë “Botën Serbe”

Më: 10 maj 2022 Në ora: 08:20
Aleksander Vuçiq

Kur flitet për sinjalet më të reja që vijnë nga Evropa Lindore dhe Juglindore, Ministria e Jashtme austriake ka një nuhatje shumë të fortë. Tek e fundit, qyteti i Lvivit, i quajtur dikur Lemberg, u sunduan së bashku me Sarajevën dhe Banjallukën në Bosnje nga Vjena deri në vitin 1918.

Ndaj diplomatët austriakë po shohin këto ditë me shqetësim jo vetëm situatën në Ukrainë, por edhe zhvillimet në Ballkan. “Ne e dimë se Moska ka aftësinë të shkaktojë probleme edhe në zona të tjera të botës”- thotë Alexander Schallenberg, shefi i diplomacisë austriake.

Në Ballkan, thotë ai, më e rrezikuar është Bosnja dhe Hercegovina.

Nëse konflikti zgjerohet nga Ukraina në vendet e ish-Jugosllavisë, pasojat në Evropë do të ishin shkatërrimtare, paralajmëron Schallenberg. “Nëse në Ballkanin Perëndimor do të shpërthen një luftë e re, kjo do të nënkupton në thelb një konflikt në oborrin e pasmë të BE-së”- thekson ai.

Prandaj ai këmbëngul se 6 vendet e mbetura jashtë BE-së në Ballkan, duhet të integrohen në bllok sa më shpejt që të jetë e mundur. “Kjo është vetëmbrojtje, dhe jo altruizëm”- thotë ai. Sinjalet që vijnë nga rajonet e populluara nga serbët – të afërmit ortodoksë të Rusisë – janë realisht shqetësuese. Përveç Serbisë, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Situata është veçanërisht e zymtë në entitetin me shumicë serbe të Bosnje Hercegovinës, në Republikën Serbe. Me bekimin e Moskës, kryeministri i saj, Millorad Dodik, i ka intensifikuar muajt e fundit përpjekjet e tij për të arritur qëllimin e tij afatgjatë: shkëputjen nga federata.

Si anëtar i presidencës trepalëshe, ai është një përfaqësues zyrtar i Bosnjës, por i referohet vendit si një “foshnje e vdekur që në bark”. Në një fjalim të mbajtur në mes të prillit para mbështetësve të tij në Bijelinë, ai thirri: “Të fala Serbisë!”, duke mos e përmendur as edhe një herë emrin e Bosnje Hercegovinës.

Pikërisht 30 vjet pas shpërthimit të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, ku u vranë rreth 100.000 njerëz, po shtohen shenjat për një konflikt të ri të armatosur në Ballkan. Disa analistë janë të shqetësuar për një bosht luftarak që shtrihet nga Moska në Beograd dhe deri në kryeqytetin e Republikës Serbe, Banjallukë.

Ata janë të shqetësuar se separatistët e Serbisë së Madhe, mund të jenë të sigurt për mbështetjen e Kremlinit. Zhivko Budimir, ish-përfaqësuesi kroat në presidencën trepalëshe, beson se Kremlini do ta mbështetës nëse Republika Serbe e shpall pavarësinë nga Sarajeva.

A do të përpiqet Vladimir Putin të zbatojë në Bosnje modelin e krijuar në Ukrainën Lindore, me “Republikat Popullore” të Luhanskut dhe Donetskut? Që nga vjeshta e vitit të kaluar, Republika Serbe, nën udhëheqjen e Dodikut, ka bllokuar shumicën e institucioneve shtetërore të Bosnjës. Janë pezulluar më shumë se 200 ligje dhe akte ligjore.

Po ashtu, Republika Serbe, e cila përbën afro gjysmën e territorit të vendit, dëshiron të krijojë ushtrinë e saj, dhe të mos njohë më juridiksionin e sistemit gjyqësor federativ dhe të organeve tatimore. Në thelb, plani është shkatërrimi i shtetit të brishtë që u krijua nga Marrëveshja e Dejtonit e vitit 1995: Federata e Bosnje Hercegovinës, brenda së cilës boshnjakët, serbët dhe kroatët duhet të jetojnë nën një çati të përbashkët, dhe sipas rregullave të përbashkëta.

Një atentat në Sarajevë në vitin 1914, shkaktoi Luftën e Parë Botërore. Tre breza më vonë, Sarajeva ishte epiqendra e luftës më të përgjakshme që shoqëroi shpërbërjen e Jugosllavisë. Çfarë mësimesh ka nxjerrë që atëherë bota? Misioni ushtarak evropian, EUFOR e ka dyfishuar praninë e tij në rajon.

SHBA dhe Britania e Madhe kanë vendosur sanksione ndaj Dodikut dhe udhëheqësve të tjerë të Republika Serbe. Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka shmangur deri më tani marrjen e ndonjë mase. Edhe nëse ndodh, vetoja nga Hungaria e Victor Orban është pothuajse e sigurt. Po ashtu edhe nga Kroacia.

Me pretekstin se popullsia kroate po diskriminohet, sidomos në Hercegovinë, lideri i kroatëve të Bosnjës, Dragan Çoviq i është bashkuar vazhdimisht Dodikut në sulmin ndaj institucioneve të federatës. Unioni Demokratik Kroat (HDZ), që është anëtar i grupit të Partisë Popullore Evropiane të qendrës së djathtë në Parlamentin Evropian, lobon në emër të Çoviq në Bruksel.

Dodik është thjesht një peng në skakierën e madhe gjeopolitike të Vladimir Putinit. Ultra-nacionalisti serb po luan me zjarr para syve të Brukselit, dhe krenohet me lidhjet e tij të ngushta me shefin e Kremlinit, që e priti Dodikun sërish në Moskë në dhjetor 2021.

Udhëzimet strategjike i komunikohen rregullisht Dodikut nga ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov ose ambasadori rus, Igor Kalabuchov. Ky i fundit e ka bërë të qartë se çfarë mund të presë Bosnja nëse do kërkojë të kalojë nga Partneritetit për Paqe tek anëtarësimi në NATO.

“Ne e kemi treguar në Ukrainë. Nëse ka kërcënime, do të reagojmë!”- tha ambasadori rus. Por Sarajeva nuk ishte i vetmi kryeqytet, që i interpretoi si një kërcënim të hapur fjalët e tij.

“I thashë Dodikut të mos formojë ushtrinë e vet dhe ai pranoi!”. Me këtë fjali, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka tentuar të sqarojë se kush e ka fjalën e fundit në kampin serb. Edhe ai ka lidhje të ngushta me Kremlinin dhe takohet rregullisht me Putinin.

Ai e mbështeti dënimin e pushtimit rus të Ukrainës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, përpara se të vendoste të mos pranonte kërkesat e BE-së për t’iu bashkuar sanksioneve të saj. Vuçiq cilësohet si një mjeshtër në artin e shmangies së qartësisë. Lideri autokrat e sundon me vendin e tij me një dorë të fortë, dhe me një akt balancues të kalibruar me kujdes.

Serbia është kandidate për anëtarësim në BE, por kjo nuk e ka penguar presidentin të flirtojë me Kremlinin, apo të lavdërojë miqësinë serbo-kineze, duke u shtirur në Uashington sikur është “spiranca” e vetme e stabilitetit në Ballkan. I sapo zgjedhur për një mandat tjetër, presioni ndaj Vuçiq është rritur që nga fillimi i pushtimit rus.

Atij i kërkohet të ketë një qëndrim të qartë. Por Vuçiq vazhdon të luajë me 2 porta. Kohët e fundit Serbia u armatos me një sistem kinez të mbrojtjes ajrore. Po ashtu mijëra njerëz marshuan pak kohë më parë nëpër Beograd duke brohoritur: ”Putin! Serbia dhe Rusia, përgjithmonë vëllezër!”.

Vuçiq-it i duhet Rusia për bllokimin e çdo lloj rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që synon një njohje formale të Kosovës. Ashtu si Rusia, që po i forcon ambiciet e saj perandorake me frazën mbresëlënëse “Russkiy Mir” (Bota ruse) – termi “Srpski Svet” (Bota Serbe) – mund të dëgjohet gjithnjë e më shumë në Serbi, një emërtim që përfshin me kujdes të gjitha zonat ku jetojnë serbët.

Vuçiq është i etur të ruajë pjesërisht retorikën e Serbisë së Madhe, të përdorur që në vitet e 1990-ta nga Sllobodan Millosheviqi. Sipas një sondazhi të kryer në muajin prill, shumica e serbëve janë shprehur për herë të parë ndër dy dekada kundër anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Vuçiq ëndërron “një Serbi të madhe, të fuqishme”, të cilës t’i frikësohen të tjerët thotë politologu Vedran Xhihiq, profesor në Vjenë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat