Debat lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi

Lajme

Debat lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi

Më: 25 maj 2022 Në ora: 23:16
Debat lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi

Njohës të zhvillimeve politike në Kosovë thonë se bisedimet me Serbinë duhet parë si mjet për të ardhmen që i hap rrugë vendit drejt integrimeve evropiane.

Këto komente u bënë gjatë një debati të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, lidhur me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas më shumë se njëmbëdhjetë vjet bisedimesh mes tyre.

Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës tha se gjatë dy viteve të fundit procesi i bisedimeve ka shënuar përparimin më të ngadalshëm që nga fillimi i tij. Ajo thotë se me situatën aktuale në botë ky proces mund të përshpejtohet.

“Pas zhvillimeve të fundit gjeopolitike për shkak të agresionit rus në Ukrainë veç se e kemi parë edhe një interesim të shtuar të shteteve perëndimore që Kosova dhe Serbia të përkushtohen më shumë ndaj procesit të dialogut dhe procesit të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe finale që do të përmbyllte njëherë e mirë të gjitha kontestet që kanë Kosova dhe Serbia me njëra tjetrën”, tha ajo.

Analisti, Dukagjin Gorani tha se një kohë shumë e çmueshme është humbur duke u diskutuar nëse duhet të ketë proces bisedimesh.

“Mendoj që gabimisht është kuptuar që procesi i dialogut është imponim ndërkombëtar, procesi i dialogut është interes ndërkombëtar nuk është imponim ndërkombëtar, procesi i dialogut është domosdoshmëri e dy vendeve, të Kosovës dhe Serbisë. Kto dy vende duhet me tregu kreativiteti, konstruktivitet edhe duhet me tregu vullnet meqenëse bëhet fjalë për to, bëhet fjalë për të mirën e tyre”, tha ai.

Ndërsa analisti, Visar Ymeri, që një kohë kishte drejtuar lëvizjen Vetëvendosje tashmë në qeveri thotë se duhet të ndryshohet botëkuptimi për bisedimet.

“Dialogun nuk duhet parë si mjet që i zgjidh çështjet e së kaluarës edhe ato natyrisht që duhet zgjidhur, dialogu nuk duhet të shihet si mjet i cili e mirëmban status-quon e së tashmes sepse për ashtu nuk ka nevojë për dialog, por mendoj që dialogu dhe marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet shihet nga perspektiva e së ardhmes. E tash cila është perspektiva e së ardhmes? Mendoj që në këtë pikë Kosova ka qenë dashur të ketë të qartë që perspektiva e së ardhmes është Bashkimi Evropian, por po ashtu duhet të jemi realist dhe të vetëdijshëm që rruga për në BE vjen përmes integrimeve edhe bashkëpunimit rajonal. Do të thotë, po nuk e kuptuam këtë atëherë në dialog do të kemi mangësi sepse nuk po e kuptojmë këtë interes të Kosovës”, tha ai.

Përgjatë debatit u tha se është në interesin e Kosovës që të arrihet një marrëveshje me Serbinë pasi që me të do të hapej ardhmëria euro-atlantike e vendit.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në bisedime të lehtësuara nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011 për arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, që për Kosovën nënkupton njohjen e ndërsjellë, por kundërshtohet nga Serbia./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat