Policia e Kosovës bëri të ditur se në kuadër të planit operativ kundër trafikimit me qenie njerëzore realizoi një sërë kontrollesh në lokale të muzikës, qendra masazhi dhe prostitucion- eskorta.
Me këtë rast, Policia mbylli tetë lokale me muzikë live.
“Kontrollimi i 40 lokaleve (Muzikë Live) në tërë territorin e Republikës së Kosovës, ku janë hasur gjithsej 285 persona (223 femra dhe 62 meshkuj), prej tyre 117 shtetas të Kosovës ndërsa 168 shtetas të huaj (155 femra shtetase të Shqipërisë, 9 femra shtetase të Serbisë, 3 femra shtetase te Maqedonia e Veriut, 1 femër shtetase e Kolumbisë).
Prej këtyre lokaleve të inspektuara 8 janë mbyllur për shkelje administrative nga inspektorët e MINT”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia mbylli edhe shtatë Qendra masazhi.
“Kontrollimi i 62 ‘Qendrave të Masazhit’, në tërë territorin e Republikës së Kosovës, ku janë hasur gjithsej 120 persona (94 femra dhe 26 meshkuj), prej tyre 73 shtetase të Kosovës ndërsa 47 shtetase të huaj ( 19 femra shtetase te Shqipërisë, 27 femra shtetase të Tajlandës, 1 femër shtetase e Serbisë).
Prej këtyre lokaleve ‘Qendra Masazhi’, 7 janë mbyllur për shkelje administratave nga inspektorët”, njoftoi Policia.
Njëhërësh, u evidentuan edhe katër raste të kundërvajtjeve “Marrje me prostitucion” – Eskorta, me ç’rast u arrestuan gjithsej tetë persona: tre kosovarë, një shtetas i Shqipërisë), një shtetase e Brazilit dhe tri shtetase të Kolumbisë.
“Për kundërvajtjet “Marrje me prostitucion”, janë dorëzuar fletëparaqitjet në Gjykatë ku të dyshuarve u është shqiptuar dënimi me gjobë, ndërsa shtetaseve të huaja me vendim të Gjykatës u është shqiptuar edhe masat plotësuese ‘Dëbim nga territori i Republikës së Kosovës ‘ dhe ndalës hyrje ne RKS prej 6 muaj deri në 3 vite. Gjatë realizimit të këtij plani të gjitha punëtoreve të hasura duke punuar në Lokale muzikës, Qendra masazhi dhe Esacorta u është dhënë mundësia e deklarimit nëse ndonjëra nga to është viktimë e ndonjë forme të shfrytëzimit (trafikimit), mirëpo nuk ka rezultuar me ndonjë rast të kësaj natyre”, njoftoi Policia.
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, kanë hartuar Planin Operativ ‘Vjeshta 2026’ dhe e kanë realizuar nga 3 deri më 17 nëntor, në koordinim me inspektorë nga Inspektorati Qendror i Tregut -MINT, Inspektorati Qendror i Punës, inspektorë nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe inspektorë sanitarë, mbështetur nga Departamenti i Kufirit –Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, Njësitë Speciale NJSO, NJRSH dhe zyrtarë nga Drejtoritë Rajonale përkatëse.