Studentët thirren në polici, thonë se janë denoncuar nga profesoresha Besiana Mehmedi

Maqedonia

Studentët thirren në polici, thonë se janë denoncuar nga profesoresha Besiana Mehmedi

Më: 16 prill 2022 Në ora: 21:04
Besiana Mehmedi

Studentët e Fakultetit të Arteve në UT, Bleron Veliu edhe Ardi Lena, janë ftuar në stacionin policor të Tetovës pas një denoncimi që është bërë nga profesoresha e tyre Besiana Memhedi për incizim të paligjshëm. Studenti i vitit të tretë në degën e muzikës, Bleron Veliu, që është nga Kosova, për TV21 thotë se denoncimi i është bërë pasi profesoresha Mehmedi dyshon se ai e ka incizuar dhe publikuar zënkën në fakultet.

“Profesoresha Besiana më ka akuzuar mua se më datë 21 mars 2022 e kam incizuar unë dhe në të njëjtën datë e kam bërë publikimin në YouTube. Kjo nuk është e vërtetë. Unë nuk e kam incizuar dhe nuk e di se kush e ka bërë atë publikim, atë e kam marr vesht nga ju. Ne ishin në kafe edhe ju na lajmëruar për deklaratë”, tha Bleron Veliu, student.

Edhe studenti tjetër, Ardi Lena, ka qenë i ftuar në polici për të dhënë deklaratë, por për shkak se gjendet në qytetin e lindjes Strugë, deklaratën para zyrtarëve në policisë do ta japë atje.

“Unë isha i ftuar edhe studenti Ardi Lena, jo nuk është paraqitur do i shkojë letra në Strugë, do të japë deklaratë në Strugë”, pohoi Bleron Veliu, student.

Biseduam edhe me studentin Lena i cili na tha se ende nuk ka marr asnjë ftesë nga policia e Strugës.

Rreth kësaj TV21 kërkoi qëndrim nga profesoresha Mehmedi, por nuk morëm përgjigje.

Për rastin në fjalë ka reaguar edhe opozitarja Aleanca për Shqiptarët.

“Akuza për incizim dhe publikim të paligjshëm ndaj studentëve nuk mban, pasi incizimi është bërë në institucion publik dhe jo në shtëpinë private, ndërsa interesi publik është më i rëndësishëm se ai personal. Pas denoncimit të bërë nga studentët policia duhet të shkojë në Kërçovë dhe të arrestojë atë që dhunonte studentët dhe jo studentët të cilët guxuan të denoncojnë këtë skandal“, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Para tre ditësh në Youtube u publikua një audio-incizim ku dëgjohet një debat i tensionuar mes studentit Ardi Lena dhe profesoreshës Besina Mehmedi. Studenti Ardi Lena konfirmoi se zënka ka ndodhur, ndërsa profesoresha Mehmedi përmes një statusi në Facebook incizimin e quajti montazh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat