Pavarësia e Shqipërisë, fitore historike e popullit shqiptar!

Opinione

Pavarësia e Shqipërisë, fitore historike e popullit shqiptar!

Sami Arifi Nga Sami Arifi Më 27 nëntor 2020 Në ora: 15:07
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë si dhe Ngritja e Flamurit në Vlorë më 28 nëntor 1912

 

Luftërat e pandërprera nuk u ndalën nëpër shekuj të popullit shqiptar për liri, që nga Agroni e Teuta të mbretërisë Ilire; Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në mbrojtje të shtetit Arbërisë; e deri te rilindasit gjatë viteve 1878-1913. Asnjëherë nuk pushuan përpjekjet në luftë kundër armiqve në mbrojtje të simboleve kombëtare, heronjve kombëtar si dhe të gjuhës amtare e deri në pavarësinë e vendit. Nën udhëheqjen e Ismail Qemalit më 28 nëntor 1912, në ora 14°°, u hap Kuvendi Kombëtar në Vlorë, quhej Nëntori i Dytë, në rrethana të jashtëzakonshme, Kuvendi, shpalli Pavarësinë e Shqipërisë për tërë territoret shqiptare dhe ngriti flamurin kombëtar.

Përkundër përpjekjeve të shqiptarëve, me kompromisin që bënë Fuqitë e Mëdha, më se gjysma e trojeve shqiptare mbeti nën sundimin e shteteve fqinje, Serbisë, Malit të Zi dhe të Greqisë. Kjo mbetje jashtë Shqipërisë u legjtimua me vendimin e Fuqive të Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.

Ky ishte Nëntori i Dytë i ngritjes së flamurit në Vlorë, derisa në këtë datë dhe po në këtë muaj heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, për herë të parë e kishte ngritur flamurin në Kështjellën e Krujës më 28 nëntor të vitin 1443, që te shqiptarët quhet Nëntori i Parë i ngritjes së flamurit nga heroi ynë kombëtar, kryetrimi Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Në fjalimin që mbajti Ismail Qemali, ndër të tjera thoshte: “E vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia”. Ndërkohë çështja shqiptare ishte ndërkombëtarizuar mjaftë shumë përmes kryengritjeve shqiptare për liri, por edhe përmes Krizës së Adriatikut, sa që shteti shqiptar ishte bërë imperativ i kohës.

Mendimi i Ismail Qemalit përputhej me mendimet e gjithë delegatëve të Kuvendit Kombëtar të Vlorës dhe u miratua njëzëri prej tyre. Ismail Qemali në unitet të plotë me kuvendarët e pranishëm, shprehu aspiratat e gjithë popullit shqiptar. Në këto momente historike, Ismail Qemali me bashkëpunëtorët doli në ballkonin e ndërtesës, ku mbahej Kuvendi pranë mitingut popullor, ngriti Flamurin Kombëtar Shqiptar, i njoftoi ata dhe përmes tyre të gjitha krahinat e Shqipërisë, shtetet ballkanike dhe Fuqitë e Mëdha të botës për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. 

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore kundër zgjedhës së huaj për mbrojtjen dhe çlirimin e atdheut, tërësisë tokësore të tyre për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Pra, me vendimin e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, populli shqiptar fitoi të drejtën për të qenë i lirë dhe i pavarur krahas popujve të tjerë të Ballkanit dhe të Evropës.

Më 28 nëntor të vitit 1912 shënohet një kthesë historike e popullit shqiptar. Mori fund sundimi pesëshekullor i Perandorisë Osmane, u krijuan kushte për të dalur nga prapambeturia që kishte lënë sundimi osman, por edhe u krijuan kushte për zhvillim të shpejt, ekonomik, shoqëror e kulturor.

Shpallja e Pavarësisë ishte fitore e madhe kundër sundimit osman, kundër politikave antikombëtare të monarkive fqinje ballkanike (Serbisë, Malit të Zi si dhe Greqisë), kundër synimeve të planit të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë.

Kjo ishte fitore e përbashkët e gjithë shqiptarëve për të gjitha forcat që kishin luftuar me pushkë e pendë për çlirimin kombëtar në të gjitha trojet shqiptare, nga Kosova në Veri, e deri në Çamëri në Jug; nga Adriatiku e Joni në Perëndim dhe deri në Ohër, Kërçovë, Shkup, Kumanovë në Lindje si dhe për të gjithë shqiptarët e diasporës kudo në botë.

Kuvendi zgjedhi njëzëri kryetar të qeverisë Ismail Qemalin, i cili do të ishte edhe ministër i Punëve të Jashtme. Me 4 dhjetor 1912 kuvendi zgjedhi përbërjen e plotë të qeverisë, ku, në këtë përbërje ishin: Kryetar, Ismail Qemalit, Nënkryetar, Don Nikollë Kaçorri, ministër i Punëve të Brendshme, Myfit Bej Lipohova, ministër të Financave, Abdi Bej Toptani, ministër i Luftës ose të Mbrojtjes Kombëtare, Mehmet Pashë Dërralla, ministër të Drejtësisë, Petro Pago, ministër të Arsimit, Luigj Gurakuqi, ministër të Punëve Botërore, Mithat Frashëri, Ministër i Postëtelegrafit, Pandeli Cale. 

Kuvendi bëri edhe themelimin e Pleqësisë prej 18 anëtarëve, me në krye Vehbi Dibrën. Pleqësia nuk kishte të drejtë të rrëzoi qeverinë, por vetëm të këshillojë dhe të kontrollojë punën e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat