“Diplomatë” politikë, diplomaci pasive

Opinione

“Diplomatë” politikë, diplomaci pasive

Nga: Adea Hasi Më: 5 dhjetor 2020 Në ora: 21:47
Adea Hasi

Pak muaj më parë, në një videokonferencë të kryeministrit tonë me ambasadoret kosovarë nëpër botë, u fol për rëndësinë që ka Diplomacia dhe përgatitja e duhur diplomatike për Kosovën. Eshtë kërkuar që ambasadorët të punojnë fort dhe të jenë zë i fuqishëm i Kosovës në Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

Duke marrë parasysh që Kosova është ende në periudhë të konsolidimit të përgjithshëm, të avancimit të marëdhënieve ndërkombëtare dhe ndërtimit të një imazhi sa më pozitiv në sytë e shteteve botërore, atëherë Diplomacia Kosovare duhet të jetë fort e kordinuar për të arritur qëllimet shtetërore.

Ambasadorët e zgjedhur janë ata që përfaqësojnë Kosovën jashtë kufijve, dhe puna dhe angazhimi i tyre përfaqëson shtetin dhe seriozitetin e tij në marëdhënie të jashtme.

Për tu zgjedhur Ambasador, një person duhet të ketë shumë merita dhe shumë arritje profesionale, dhe mbi të gjitha të ketë bagazh të gjërë njohurish të përgjithshme. Nga një diplomat pritet të jetë shumedimensional, të ketë njohuri nga gjeografia, historia, kultura,politika, institucionet, ekonomia, demografia, financat etj. Pastaj, të ketë aftësi analizuese, aftësi për raportim, negocim, komunikim, prezantim dhe bisedim, kulturë debati dhe të njohë disa gjuhë të huaja. Poashtu, kërkohet të jetë person me sjellje të kontrolluara, i matur, ambicioz në punë dhe i njohës i mirë i protokolleve përkatëse.

Diplomacia është shtylla kurrizore e një shteti, boshti kryesor, dhe mjeti kryesor për arritjen e qëllimeve të shtetit në sferen e jashtme ndërkombëtare.

Mirëpo, sa është në dijeni Kosova për rëndësinë e Diplomacisë dhe rolin tepër të rëndësishëm të një diplomati? Sa e sheh Kosova Diplomacinë si një art të zgjidhjes së problemeve përmes bisedimeve dhe negociatave? Sa e vlerëson Kosova një person të përgatitur profesionalisht për ta zgjedhur diplomat, e çfarë kritere aplikohen në shtetin tonë “meritokratik”?

“Republika e Kosovës synon një politikë të jashtme aktive” – bukur është e formuluar kjo fjali në portalin shtetëror, por krejt çfarë prodhon elita politike kosovare është politikë e jashtme pasive, me njerëz pasivë që nuk ia kanë idenë se çfarë mund të arrihet me një diplomaci të fortë dhe të konsoliduar. Cështjet që neve na preokupojnë si popull, mund të zgjidhen me Diplomaci, duke i shpalosur në tavolinat e duhura, përballë njerëzve të duhur, dhe me përgatitjen më dinjitoze të mundshme – me fakte dhe argumente.

Diplomacia jonë është rehatim i partiakëve, familjarëve dhe të njohurëve të qeveritarëve nëpër pozita që as nuk i meritojnë e as nuk janë të kualifikuar për to. Shumica e personave që zgjidhen as nuk ia kanë idenë se çfarë misioni duhet të kryejnë dhe çfarë përgjegjësi mbajnë si të deleguar të shtetit.

Sot po zgjidhen “diplomatë” politikë e jo diplomatë të karrierës, që me rregull duhet të jenë se paku 50 përqindëshi, e në Kosovë diplomatë të karrierës janë vetëm 25 përqind. Sot zgjidhen diplomatë që nuk e dinë as gjuhën e shtetit në të cilin shkojnë, nuk kanë njohuri të zgjeruara të historisë së shtetit të tyre amë e as që bëhet fjalë për historinë e shtetit ku shkojnë. Duhet diplomatë që janë të përkushtuar në punë e jo të bëjnë lukse me buxhetin e shtetit, diplomatë që do jenë të përgatitur për çdo lloj situate,e jo të atillë që paraqiten nëpër konferenca e mbledhje vetëm për të bërë foto e për ta postuar në rrjete sociale. Duhen diplomatë që në çdo rast që u jepet, do e shfrytëzojnë, duke lobuar për shtetin dhe avancimin e tij.

Megjithatë, këto padrejtësi do vazhdojnë derisa të bëhet një reformim i politikës kosovare. Nuk do ketë ndryshim përderisa kemi ende këto elita politike, servilizmin politik dhe kapjen e shtetit nga politika. Kur të ndërrohet mentaliteti i të bërit politikë dhe karriget shtetërore të zihen njerëz që e meritojnë, atëherë më diplomacia nuk do mirret si e mirëqenë por do fillohet të konsiderohet si një instrument tepër i rëndësishëm për plotësimin e qëllimeve shtetërore. Atëherë, do krenohemi me të rinjtë diplomatë, me të atillë që do na përfaqësojnë denjësisht në çdo tavolinë ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat