Viti i maskave, shkarkimeve e arrestimeve!

Opinione

Viti i maskave, shkarkimeve e arrestimeve!

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 31 dhjetor 2020 Në ora: 14:01
Qeveria e Kosovës

I nisur me plotë shpresë e entuziazëm pozitiv, viti 2020 ndërroi kahje me “kryeveprën”, pandeminë COVID-19, që na e dhuroi që në muajt e tij të parë.

Për Kosovën, ky vit pandemik, ishte gati rrënues. Me një shëndetësi të dobët, faktori vendimtar në përballjen me koronavirusin, mbeti imuniteti i njerëzve. Megjithatë, shumë e humbën jetën, përfshirë stafin shëndetësor në frontin e luftës me virusin. Lamtumira për ta, qe e pazakontë, për shkak të kufizimeve me të cilat hyjmë në vitin e ri.

Zhvillimet dramatike politike ishte të ngjeshura këtë vit, që në muajt  e parë të vitit, ku e kishim VV-në dhe LDK-në në muajin janar që rrinin pezull e nuk e nënshkruanin marrëveshjen e shpresës, e cila më në fund u nënshkrua më 2 shkurt, e që një muaj më pas na e vërtetuan që nuk kishte qenë koalicion i shpresës.

Filloi me Albin Kurtin i cili hoqi taksën ndaj Serbisë dhe vendosi reciprocitetin, gjë që nuk e pranonte ish emisari i SHBA-ve për dialogun Kosovë - Serbi, Richard Grenell. Në fakt, këtu filloi çarja e koalicionit VV-LDK, ku këta të fundit e akuzuan Kurtin se po i prish marrëdhëniet me aleatin tonë të përjetshëm, Amerikën.

Duke qenë në mes këtyre presioneve, Albin Kurti i dha vet vulën shkarkimit të tij, ku në mes të muajit mars shkarkoi ministrin e tij nga LDK-ja, Agim Veliun, i cili ishte njeriu kyç i LDK-së.

Në pikun e pandemisë që kishte kapluar botën e gjithashtu edhe vendin tonë, filluan trazimet në koalicionin e shpresës, ku i dhanë fund kësaj të fundit.

Shkarkimi i Veliut revoltoi LDK-në e cila u tërhoq nga koalicioni dhe ia pamundësuan Kurtit ta vazhdojë qeverisjen, ku pastaj edhe iniciuan mocionin e mosbesimit, e që në seancën e këtij mocioni, Kurti u rrëzua me 86 vota pro shkarkimit të tij.

Tre muaj vendi mbeti pezull me një qeveri në detyrë pa mundësi për të vepruar me kompetenca të plota, për shkak se pritnin vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit më 29 maj vendosi që Kurtin ta rrëzojë definitivisht, e në të njëjtën kohë i hapi rrugë LDK-së që t’i marrë frenat e qeverisë së re.

Më 1 qershor, u arrit marrëveshja mes LDK-së, AAK-së dhe Nismas, për koalicion bashkëqeverisës. Dy ditë më vonë, më 3 qershor, në Kuvendin e Kosovës, u votua qeveria e re Hoti, e cila menjëherë ndoqi këshillat e miqve tanë amerikan.

Në muajt e verës, pas një zbehje të tij, virusi COVID-19 filloi përsëri të marrë hov, ku e detyroi qeverinë e re t’i rikthej masat.

Në fund të qershorit, prokurori i Gjykatës Speciale ngriti aktakuzat ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit, ku pritej konfirmimi i tyre, konfirmim ky i cili zgjati gjashtë muaj. Në atë kohë, vendi u kaplua nga këto zhvillime politike, e cila mori vëmendje në atë kah.

Gjithashtu në fundin e muajit qershor, zhvillim tjetër dramatik erdhi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përmes një votimi online nga anëtarët e këshillit të përgjithshëm, shkarkoi nga të gjitha pozitat kyçe brenda saj, Vjosa Osmanin. Këtu edhe nisi distancimi i krahut të Vjosa Osmanit me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Në fillim të muajit shtator, në Uashington të SHBA-ve, me ndërmjetësimin e ish presidentit amerikan, Donald Trump, u nënshkrua marrëveshja historike Kosovë-Serbi në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë.

Avdullah Hoti dhe Aleksandër Vuçiq arritën të pajtoheshin në pikat e paraqitura nga SHBA-të, ku njëra prej tyre ishte edhe njohja e Izraelit për Kosovën. Kjo marrëveshje, ndonëse nuk gjeti zbatim të plotë, është marrëveshja e parë Kosovë-Serbi që nënshkruhet në Shtëpinë e Bardhë.

Muaji tetor solli lajmin e shumëpritur për të gjithë njerëzimin, ku kompania gjermane “Pfizer” edhe zyrtarisht doli me vaksinën e saj e cila kishte efekt kundër koronavirusit. Me nxitim të gjitha shtetet e botës u mobilizuan dhe filluan ta siguronin vaksinën, ku ndër shtetet e para që morën atë ishin Amerika dhe Gjermania.

“Pfizer” po shënon fundin e pandemisë globale, e cila çrregulloi shumë sistemi në të gjithë botën.

Muaji nëntor ishte edhe me më vëllim nga ngjarjet politike vendore e ndërkombëtare.

Joe Biden mori postin më të rëndësishëm të botës, atë të presidentit të Amerikës, ku mposhti presidentin paraprak, Donald Trump. Zhvillimet në SHBA u përcollën me vëmendje të plotë nga Kosova.

Pikërisht në muajin nëntor, Gjykata Speciale filloi “gjahun”, ku konfirmoi aktakuzat për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, e të katërtit për një ditë u dërguan në Hagë. Ky zhvillim hynë në rangun e “top zhvillimeve” në Kosovë brenda vitit 2020. Arrestimi i ish komandantëve të UÇK-së bëri jehonë edhe në mediat ndërkombëtare, teksa ata tashmë kanë filluar t’i mbajnë seancat në Gjykatën Speciale. Të katër ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë krime edhe kundër shqiptarëve dhe zyrtarëve të LDK-së.

Në fundin e muajit nëntor, filloi të hidhen në shesh apetitet për postin e presidentit, pasi që Vjosa Osmani u emërua si u.d e presidentes sipas ligjeve dhe kushtetueses. Duke e ditur që nuk munden pa të, Ramush Haradinaj qëndroi i prerë në vendimin e kryesisë së AAK-së, se vetëm ai do të bëhej president i Kosovës ose vendi do të shkonte në zgjedhje.

“Pazaret” dhe pritshëmritë e Haradinajt ua prishi Gjykata Kushteteuese, e cila me një vendim të “befasishëm”, shpalli qeverinë Hoti të jashtëligjshme dhe e dërgoi drejtpërdrejtë vendin në zgjedhje.

Pas këtij zhvillimi, Vjosa Osmani dhe Lidhja Demokratike e Kosovës zyrtarisht ndanë rrugët, ku Osmani konfirmoi se do fillojë me iniciativën qytetare dhe do të bashkëpunoj me VV-në e Albin Kurtit, ndërsa dhjetëra zyrtarë të LDK-së dhanë dorëheqje nga kjo parti, për t’iu bashkuar Osmanit dhe për ta konfirmuar ndarjen e saj.

Në vitin 2021, po hyjmë me sytë kah zgjedhjet, kandidatët për kryeministër, Avdullah Hotin (LDK), Albin Kurtin (VV), Enver Hoxhaj (PDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK). Zgjedhjet e reja që priten të mbahen më 7 shkurt të vitit të ardhshëm, do t’i japin epilog përfundimtar edhe zhvillimeve të vitit që po e lëm pas.

Gjithashtu, viti që po e lëmë pas u karakterizua edhe me tragjedi të shumta në vend, ku kishim vrasje familjare, e disa familje u shuan të tëra për shkak të vrasjeve të shumëfishta brenda familjes. Sigurisht që efekt në këtë gjë kishte edhe presioni psikologjik nga pandemia dhe izolimi, gjë që e paralajmëruan edhe mjekët.

Ky vit në përgjithësi ishte për t’u harruar, e shpresat i kemi të forta që do të nisim një vit të ri me plotë pozitivitet e dalje nga izolimet. Ta festojmë shumë që po shkon, e të festojmë edhe më shumë për vitin e “premtuar”.

Gëzuar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat