Kafshim i lirisë së kushtëzuar

Opinione

Kafshim i lirisë së kushtëzuar

Nga: Gëzim Muçolli Më: 1 janar 2021 Në ora: 07:48
Ilustrim

Sonte në minutin kur ende nuk kishte hyrë mirë viti i ri, filluan fishekzjarret. Drita e tyre plot ngjyra flakëruese po e shëndriste qiellin si në vitet më të mira.

Plasjet e fuqishme të petardeve ishin lajmëruese se viti i frikshëm duhej të ikte sepse ishte i mbrapshtë edhe pse nuk pati asnjë ditë më pak ose më shumë se të tjerët.

Me një fjalë, zhurmë, plasje petardash të fuqishme, drita fishekzjarresh dhe tym që plotësonin tabllonë e asaj që në popull njihet me shprehjen pordhë e piskamë.

E gjithë kjo në qytetin tim në verilindje të Italisë, ku jo pak të mëdhenj e të vegjël kishin dalur nga shtëpitë si për të sfiduar orën policore si status i gjendjes së detyruar nga qeveria dhe kryeministri Conte, duke qenë i gjithë vendi në zonën e kuqe.

Dukej sikur kafshim i një copë lirie të kushtëzuar, përballë premtimeve të përsëritura se dy javët e ardhshme përherë duhej të ishin ato vendimtaret.

Dikush kushte harruar maskat mbrojtëse nga Covid -19 e situata dukej përtej realitetit tashmë dhjetë mujor.

Evazioni i minutave të para të vitit të ri 2021 do të ishte domethënës sikur pas 20 minutave mos të shiheshin dritat blu të sinjalit ndriçues të dritave të makinës së policosë të skuadrës së intervenimit të shpejtë

Tuta ka burimin në parajsë, e paqja duket se ka hise në frikën nga ligji.

Përnjëhere të gjithë i vunë maskat që i nxorrën nga xhepat dhe dalëngadalë me hapa të nxituar zbrazën hapësirën e cila boshëllëkun e saj sonte e kishte plotësuar me tym, mbeturina të fishekzjarreve e petardave të fuqishme dhe kujtimin e një thyerje të orës policore që më solli ndërmend kohët kur në Kosovë gjatë një viti numri i ditëve e netëve policore ishte më i madh se i atyre pa ndalim të qarkullimit dhe lëvizjes.

Nesër prap jemi zonë e kuqe e etapës së pandemisë që theu në kurriz vitin që mori shumë njerëz që duhej ta kishin gëzuar edhe këtë vt të ri deri në fatin e (para) caktuar nga ora biologjike që nuk njeh ligjet e shoqërive e të njerêzve të pushtetshëm.

Në nderim të kujtimit të të gjithë viktimave të pandemisë, duke shpresuar se vaksina do ti jep njerëzimit mundësinë e fitores, mbetet aktuale përshëndetja kuazi ideologjike :

“Vdekje Covidit”

“Liri popujve”!!!!!!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat