Ashensori i Thaçit dhe teologu i Kurtit

Opinione

Ashensori i Thaçit dhe teologu i Kurtit

Lis Bukuroca Nga Lis Bukuroca Më 2 janar 2021 Në ora: 14:55
Hashim Thaçi dhe Albin Kurti

Autokrati 

“Si LDK nuk iu besoj fare, sa përrallave, aq iu besoj këtyre sondazheve.“ Isa Mustafa

Jo si kryetar i LDK-së, por “si LDK nuk iu besoj fare…“ Pse u citua ai mendim? U citua për të dëshmuar se kryetari LDK-së e percepton vetveten si pronar të partisë, jo si njëri prej shumë vetave. Ai është partia! Kjo është arsyeja pse ai përjashton anëtarë, që nuk pajtohen me të. Autokrati mospajtimin e konsideron qëndrim kundër partisë, një lloj irredentizmi, apo kundërrevolucioni, por në fakt, refuzohet labiliteti i tij dhe gatishmëria për t’u nënshtruar dhe abuzuar! 

Ai duke menduar se është LDK-ja personalisht, mori guximin edhe t’u thotë votuesve të vet, ju zgjidhni deputetët e mi, por unë ua ndërtoj Qeverinë, si më konvenon mua, jo si ju kam premtuar juve! Domethënë, jo vetëm se është ngritur mbi partinë, por edhe mbi votuesit duke  pretenduar të drejtën për t’i manipuluar ata. Po pse e duron kryesia një kryetar që ka shkelur të gjitha parimet politike të Rugovës, të gjitha vijat e kuqe që ia kishte vënë vetes dhe pse duron njeriun që shndërroi LDK-në në ashensor karriere të Hashim Thaçit? Utilitarizmi dhe hedonizmi i rrethit të ngushtë, por mund të jetë edhe për shkak tl margjinalizimit të  rugovistëve të hershëm.

Pasoja e nënshkrimit pa lexuar dhe pa ditur se çfarë nënshkruan

Kosova pas këtyre zgjedhjeve duhet të themelojë „Bashkësinë Serbe“ të cilën e ka nënshkruar akademiku Isa Mustafa, ku Kushtetuta e Kosovës është shkelur 23 herë. Për ta qetësuar Serbinë, tashmë  të përkëdhelur nga Perëndimi, fal maskarallëkut në politikën shqiptare, fal injorancës legjendare dhe korrupsionit të madh, Kosova mund të detyrohet jo t’i korrigjojë ato 23 shkelje të „Zajednicës“, por 23 herë të ndryshojë Kushtetutën e vet.  

Ramushi, Isa dhe Thaçi, Çakorrin. Mustafa dhe Thaçi autonominë serbe me disa katunde dhe me një gjysmë qytet. Edhe atë, pa e kërkuar të njëjtën për shqiptarët në Luginë dhe pa theksuar mundësinë e humbjes së stabilitetit në Maqedoni kur të drejta e serbeve avancohen sa të asnjë pakice në Serbi.

(Në Perëndimi nuk është mundur të gjendet një akademik, që është anëtar i ndonjë partie politike, apo kryetar i saj. Akademia e Shkencave dhe Arteve është një qendër e njohurive të mëdha dhe i dijes, një institucion i lartë moral, i humanizmit, maja e intelektualizmit të një kombi, prej ku njeriu me dinjitet, integritet dhe virtyte, nuk do të zbriste kurrë për t’iu bashkangjitur politikanëve, që manipulojnë popullin për t’u bërë milionerë vet. Te ne po, por sipas njësive matëse të Perëndimit, as gjysma nuk kanë vepra të rëndësishme për të fituar atë titull!)

Pse u rizgjodh Hoti?

Shtirja e inskenuar mori fund dhe e rikandidoi atë që kishte humbur njëherë dhe i cili pa pikë turpi, me votat e Vjosës, u bë Kryeministër. Se do të jetë Hoti, dihej, por krejt ajo maskaradë shërbente për të manipuluar anëtarësinë e vet.  Nuk e zgjodhi atë pse shpreson se ai mund të fitojë. Jo! Ai është i vetëdijshëm se Hoti do të humbë më keq se herën e fundit, por kjo kandidaturë për Kryeministër i shërben vetëm asgjësimit të konkurrencës së brendshme për kryetar të LDK-së. 

Merreni me mend: nesër bëhet kryetari LDK-së njeriu që ishte kandiduar në vitin 2004 në partinë e Bukoshit me numrin 078 kundër partisë së Rugovës! Këtë e pat bërë publike ish-bashkëpunëtori i presidentit Rugova, Qazim Bajgoraliu. Dhe, ai thotë se Hoti, e kishte sharë Rugovën dhe shtëpinë tij, e kishte quajtur vend të krimit. Tani Rugova është i vdekur, nuk mund të kundërshtojë dhe nuk mund të refuzojë ata që i kishte refuzuar si i gjallë, prandaj Kryeministri ilegal i „Partisë Institucionale“ shkon te varri i tij për 31 vjetorin e themelimit të LDK-së dhe në fb shkruan: 

„Faleminderit, President Rugova!

Zoti e bekoftë jetën dhe veprën tënde!“

E lexuat mirë. „Zoti e bekoftë jetën dhe veprën tënde!“ Pra zoti ta bekoftë jetën pas vdekjes! Se si mund të bekohet jeta e të vdekurit, mund ta dijë vetë profesori i ekonomisë! Mrekulli profesor! Mrekulli! 

Por pse autokrati e rizgjodhi Hotin? Me atë vendim deshi vetëm të përforcojë synimin e tij për ta bërë Hotin edhe kryetar partie,  por assesi  jo për të përforcuar pozitën e LDK-së në zgjedhje.  Me atë akt, Mustafa zvogëlon Lutfi Hazirin, Lumir Abdixhikun dhe Kujtim Shalën. Ata e pranuan vendimin e autokratit si nxënës të zellshëm. Sigurisht nga frika se mund ta pësojnë si Vjosa Osmani, por padyshim edhe edhe për shkak të mungesës së sedrës dhe ambicieve. Kalkulimi makiavelist: nënshtrimi mund të jetë më pak i dëmshëm, sesa kundlërshtimi!

Qëllimi i Mustafës është të pamundësojë në parti ndikimin e lëdëkistëve të epokës së Rugovës.  Meqenëse ai vetë nuk ishte anëtar derisa ishte gjallë Rugova, e as Hoti jo, ai përpiqet të defaktorizojë, të mënjanojë, apo përjashtojë rugovistët e vërtetë nga partia.  

Partinë duhet ta marrë përgjithmonë fraksioni i Bukoshit, domethënë rivalët e djeshëm të Rugovës. A është kjo e drejtë? Po, në politikë është e drejtë, por jo e moralshme! Pse?  Sepse ata dy shkojnë te varri i tij dhe gjoja përkulen dhe gjoja falënderohen dhe i shajnë të tjerët me antirugovistë, çfarë ishin dikur që të dy, por nga ato përkulje, nga ato falënderime, ata fitojnë pozita, fitojnë në imazh, ndoshta edhe vota, prandaj qëndrimi i tyre është tej për teje i pamoralshëm.

Me dëshirën e Mustafës Qeveria ilegale e Hotit ka ndarë një shumë prej njëzet milionëve për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë. Ata akuzohen edhe për vrasje të shqiptarëve. Meqenëse Gjykata e Posaçme deklaron se do të ndjekë edhe serbet, që kanë bërë krime lufte ndaj shqiptarëve, atëherë për shkak të kësaj Qeverie, sipas analogjisë, Kosova nesër duhet të ndajë edhe nja 20 milionë tjerë për t’i mbrojtur qytetarët e vet serb nga akuza për masakra ndaj shqiptarëve! Si „Zajednica“ e Mustafës pa konsultuar asnjë jurist (një ish-këshilltari tij u anëtarësua në PDK ) edhe ajo shumë, do t’i krijojë Kosovës probleme dhe bëhet gazi i botës.

Nuk mund të ndihmohet një shqiptar, i cili dyshohet se ka vrarë shqiptarë, por jo edhe një serb që dyshohet për vrasje të shqiptarëve. Ndoshta edhe arsyeja pse u ofruan ato lekë, është pikërisht kjo e dyta.

Po thuhet se VV do të fitojë 50%, 60% e më shumë dhe në panik, po shpërndahen lajme për diktaturën në ardhje, Evgjeni Thaçi), se Kurti po bëhet si Vuçiqi e Erdogani nëse fiton aq shumë, Anton Berisha, se ish i burgosuri Kurti është tuc, Baton Haxhiu etj., etj.

Në fakt nëse shihet dëmi i shkaktuar - le të harrojmë të tërin pos arsimit-  atëherë Albin Kurti dhe Vjosa Osmani do të duhej të fitonin së paku 90%! Jo pse ata dy vërtetë i meritojnë ato vota, por sepse të tjerët nuk meritojnë asnjë! Nëse ti voton ato parti që kanë dëmtuar skajshmërisht arsimin (PDK, LDK, AAK dhe Nisma) domethënë fëmijët tu, atëherë ti je kontribuuesi kryesor i eksodit!  48% e popullsisë nuk dëshiron të ikën pse është mirë, por pse nuk ka siguri, pse nuk ka shtet dhe pse jetën politike e dominon korrupsioni, krimi dhe nepotizmi! Nëse ti voton ato parti që krijuan këtë gjendje, ti kontribuon në zbrazjen e Kosovës, mu si dikur  Serbia. Ti duhet të kuptosh se vota jote ka peshë dhe ajo nuk duhet t’i falet milionerëve, jo atyre që dëmtojnë vazhdimisht vendin!

Çfarë dëshiron teologu i VV-së?

Teologu i sapo anëtarësuar në VV në kundërshtim me logjikën, - fetarët profesionalë nuk e duan të majtën, nuk i çmojnë ligjet e njeriut- mban qëndrimin pro PDK-së, që arsyeton shndërrimin e Kosovës në vilajet të Erdoganit. Siria e ka vendin e parë,  Iraku e ka vendin dytë, Afganistani te ka të tretin dhe Turqia e ka vendin e katërt me refugjat që kanë kërkuar azil politikë në Gjermani. Tri vendet e para janë në luftë, kurse Erdogani është në luftë me turqit e vet, që nuk pajtohen me të. Teologu i rekomandon Albin Kurtit dorëzimin e kurbaneve tjerë nëse i kërkon tirani! 

Gati gjysma e banorëve të Kosovës kanë qenë refugjatë, por  Perëndimi nuk ia dorëzonte MIllosheviqit. Dorëzimin nuk e lejon as e drejta zakonore shqiptare, sepse do të konsiderohej tradhti! Edhe sot falënderohemi nga Izraeli dhe bota për mosdorëzimin e hebrenjve në LDB, kurse nesër, nesër do të gjykohemi si të pa-kurrizorë për dorëzimin e të dobëtit te tirani! Erdogani një ditë varroset, por jo Turqia. Krahasimi me një kërkesë të SHBA-ve, nuk qëndron sepse SHBA ka gjykata të pavarura, por jo Turqia e Erdoganit.

Vendet e Perëndimit nëse kërkojnë një terrorist, e bëjnë kur kanë prova, jo pse dëshiron kryetari i shtetit, por pse e kërkon gjykata e pavarur. Nëse Kosova dëshiron të mbetet shtet, e jo vilajet i Erdoganit siç e bëri Thaçi, atëherë ajo duhet të bazohet në sjelljet e Amerikës dhe të Europës Perëndimore, jo në sjelljet e Libisë, apo Turkmenistanit. Aq sa më shumë që i nënshtrohet Kosova Erdoganit, aq më shumë pengohet anulimi i vizave dhe aq më shumë largohet nga Europa. Turqisë nuk i hiqen vizat tash e 75 vjet. Ekziston interes i përbashkëta me Perëndimin, por jo dashuri ndërsjellë.

Dhe, synimi i Kosovës nuk është t’i bashkohet despotizmit lindor, por demokracisë perëndimore. Mustafa, teologu, jo akademiku, nëse i është bashkangjitur VV-së me shpresë se ndikon në shndërrimin definitiv të Kosovës në vilajet të Erdoganit,  atëherë ka mundur të anëtarësohet në partinë turke. Aty angazhimi do t’ishte më legjitim. Kosova nuk ekziston si shtet pse e dëshiroi Turqia, për të do të ripushtohej brenda ditës, por pse e dëshiroi SHBA! Dhe, SHBA dhe BE i vejnë sanksione Turqisë, sepse ajo me njërën këmbë gjendet në NATO, me tjetrën në Rusi! 

Kur ishte Thaçi, kryetar Erdogani arrestoi njerëz si në Anadoll dhe, pak veta dinin për kidnapimin e tyre. Nuk kuptohet aderimi i teologut në një parti që akuzohet për komunizëm radikal, për enverizëm e stalinizëm. Pas një viti teologu, do të largohet edhe nga VV, si u largua nga AAK, apo ndoshta aty nuk e ka anuluar aderimin me shkrim dhe zyrtarisht gjendet ende edhe tek AAK-ja.

Pse do të fitojnë Albini Kurti dhe Vjosa Osmani? Sepse ata dy tani për tani janë institucione të vetme morali, të tjerët kanë vjedhur tepër shumë, ose zvarriten tepër shumë! Domethënë, nuk kanë kokërr sedre dhe morali!

Sidoqoftë, urime Vitin e Ri 2021 dhe mos harro se vota është mundësia kryesore për të ndëshkuar kleptomanët! Shfrytëzoje këtë mundësi!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat