Parashikim: Kosova e mbaszgjedhjeve

Opinione

Parashikim: Kosova e mbaszgjedhjeve

Nga: Esat Myftari Më: 4 janar 2021 Në ora: 20:01
Esat Myftari

Emil Zola, në prak të shekullit XX, pati parashikue se ai do të ishte, mbi të gjitha, shekull i paqës. Por, dy luftat botnore dhe Depresioni i Madh që u shfaq midis këtyne dy luftave pikërisht në ket shekull, e nxorën atë nji naiv proverbial. Nji kritik francez i kohës, madje, pati shkrue se ky dështim i tij vinte ngase i kishte hy në pjesë Krijuesit, meqë vetëm Atij i përket ta devinojë misterin e së ardhmes.

E, megjithatë, parashikimi mbetet nji tundim i përhershëm i çdo njeriu, prandaj më kanda ta baj edhe unë ket mëkat në prak të zgjedhjeve të reja. Mendimi i parë që më ban me mendue kështu asht se këto zgjedhje dallojnë, në thelb, prej zgjedhjeve të tjera, këndej ato mund të jenë paralajmëruese të tabllosë politike të Kosovës për 10 vjetet e ardhshëm.

Arsyet janë të shumta, ndër to po veçoj:

1) Dorëzimi i udhëheqsve politikë të UÇK-s në Hagë, pamëvarësisht prej vendimit përfundimtar të Gjykatës Speciale, shënon edhe fundin e nji epoke në politikën zyrtare të Kosovës.

2) Forca e re e majtë e Albin Kurtit, pamvarësisht afërsisë ideologjike me të majtën e Shqipnisë (PS), ka dallime jo të vogëla e rastësore. Kurse fërkimet e reja publike midis tyne, idenë bazë të “bashkimit kombëtar” të VV do ta kthejnë në normalitet. Pra, do të shihet se shteti i Kosovës, qoftë edhe si krijesë e përkohshme në rrafshin historik, ka qenë nji domosdoshmëni. Hasan Prishtin dhe Ibrahim Rugova, këta dy kollosë të historisë modern të Kosovës, jo më kot qenë sulmue prej andej kah nuk e pritshin!

3) Korrupcioni, si “kalë beteje”, nuk do të vlejë ma për dy arsye bazë: e para, sepse ai asht pakësue shumë dhe, e dyta, sepse sllogani i BE-s për zbatim reformash si kusht afrimi e integrimi, u zhvleftësue prej vetë BE-s. Si rrjedhim, afirmimi i forcave politike të Kosovës do të kërkoj kritere të mirëqena, programe garuese elektorale dhe jo ma vetëm thirrje propagandistike.

4) Zgjedhjet në SHBA: riafrimi SHBA- BE mbi frymën e atlantizmit dhe bashkërendimit, nuk do t’i lanë ma askujt hapësinë për lojën me këto dy letra që, kajherë, patën tingëllime fëminore ose qesharake.

5) Zgjedhjet në Shqipni: sido që të jetë rezultati i këtyne zgjedhjeve, tashma kanë dalë prej tunelit në dritë të diellit mospajtimet me rrajë jo të reja; çdo përpjekje shpërdorimi i ka përgjigjet e gatshme, nji pjesë të të cilave patëm rastin me i pa. Si rrjedhim, edhe marrëdhaniet Kosovë-Shqipni do të jenë ma transparente, ma normale e ma frytdhanëse.

6) Inteligjenca e vlertë kosovare dhe potencialet e mërgatës, të cilat po përmirësohen e begatohen gjithnji e ma shumë, do të asimilohen në trupin e shëndosh të Kosovës pa asnji paragjykim apo frikë.

7) Në ket periudhë 10 vjeçare skenën politike kosovare do ta mbisundojnë LDK dhe VV. Të paktën në fazën e parë, A. Hoti dhe A. Kurti mendoj se do të jetë dy rivalët kryesorë, sepse ata dallojnë në koncept, në stil dhe në metodologji. Dhe të këtillë do të jenë jo vetëm për shkak të historisë së tyne, por edhe për shkak të përvojes së re.

Sidoqoftë, zgjedhjet e shkurtit janë kaq afër sa na e zbusin ankthin e pritjes. Veç kësaj, kemi edhe gabimin e Zolas që na ngushllon në rast të huqjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat