Pse Edi Rama në stilin e Vuçiç i bën karshillëk Europës!

Opinione

Pse Edi Rama në stilin e Vuçiç i bën karshillëk Europës!

Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Më 8 janar 2021 Në ora: 08:26
Edi Rama dhe Recep Tayyip Erdogan

Dje dhe sot Edi Rama dhe gjysma e qeverisë së tij janë për vizitë zyrtare në Ankara. Fillimisht dua të them se çdo marrëdhënie midis Turqisë dhe Shqipërisë është shprehje e interesit të përbashkët dhe si e tillë e mirëpritur nga shumica dërmuese e shqiptarëve. Asnjëherë nuk kam menduar dhe nuk besoj në teoritë konspirative, sipas të cilave marrëdhëniet e tona me Turqinë mund të rrezikojnë qoftë dhe potencialisht integritetin territorial apo sovranitetin e Shqipërisë.

Por vizitat e Edi Ramës në Ankara ose në Stamboll më parë i kam parë gjithnjë me skepticizëm dhe gjykoj se ato nuk vihen në funksion të interesave të Shqipërisë aq sa vihen në shërbim të ushtrimit pervers të pushtetit nga ana e Edi Ramës. Ndërsa për vizitën e tanishme të tij në Ankara nuk kam as më të voglin dyshim se ajo vlen si vizitë kortezie ose çoke në ndihmë të fitores së zotit Rama në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Këtë të vërtetë e zbuloi me sinqeritet presidenti turk, RexhepTayp Erdogan, i cili së paku në dy raste përmendi zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Në rastin e parë premtoi hapur se do të ndërtonte spitalin e Fierit para zgjedhjeve të 25 prillit, ndërkohë që edhe në mbyllje të fjalës së tij uroi që zgjedhjet të jenë të dobishme për (kë?!,) ndoshta Shqipërinë.

E gjithë ceremonia, kuajt me flamurin shqiptar në krye, limuzina, sallonet e mëdha sulltanore, premtimet për investime, fjalimet e dy shefave, Erdogan dhe Rama, ishin përgatitur me një regji të hollë për të dhënë mesazhin që ta paraqesin kryeministrin shqiptar si “të vetmen shpresë” për shqiptarët dhe ardhmërinë e vendit tonë. Ndërsa mediet lëpirëse tek ne nuk reshtën pa folur me superlativa, për t’u thënë shqiptarëve se “Edi Rama nuk ka alternativë”!

Më vjen keq të shënoj ndjesinë se presidenti Erdogan me këtë rast po shfrytëzon vështirësitë që kalon kreu i ekzekutivit shqiptar për shkak të izolimit europian dhe dështimeve spektakolare në të gjitha drejtimet në qeverisjen e tij në vend. Duke i njohur mirë rrethanat në të cilat gjendet Edi Rama, presidenti turk po shfrytëzon terrenin e krijuar që t’ia kundërvejë ShqipërinëEuropës, thjesht për të plotësuar disa interesa të tijat në këto raporte. Ndërsa bashkërendimi i përpjekjeve të përbashkëta kundër “organizatë terroriste të FETO-s” ishte thjesht kupertura e asaj që synohet të arrihet nga presidenti Erdogan. Por me kërkesën për luftë të përbashkët kundër Fetuhllah Guelen, presidenti i Turqisë teston edhe gatishmërinë e Edi Ramës se deri ku mund të shkojë servilizmi i tij ndaj Erdogan. Kjo do të thotë se Rama dhe qeveria e tij, në kushte emergjence për t’i shpëtuar ndëshkimit të qytetarëve më 25 prill po keqpërdoren nga ana e Ankarasë dhe keqpërdorja po na shitet si “sukses i jashtëzkonshëm” i kryeministrit tonë.

Ka disa vite, së paku nga viti 2018 e këtej, që qeveria Rama është e izoluar nga pikëpamja politike dhe në aspektin e ndihmave ekonomike e financiare nga Bashkimi Europian dhe vendet kryesore të tij. Gjermania është më e zhgënjyera prej vendeve të tjera në raport me Edi Ramën, sepse shpresat e saj ishin të mëdha, ndërkohë që mashtrimi i kryeministrit tonë ishte spektakolar! Humnera midis pritshmërive gjermane për shkak të mashtrimit të Ramës me realitetin e kundërt që krijoi ky i fundit është e jashtëzakonshme. Me mashtrimet e tij kryeministri ynë ka tronditur besimin e të gjithë politikanëve shqiptarë, përfshirë dhe ata të Kosovës, te partnerët europianë.Në Europë është krijuar përceptimi se "të gjithë politikanët dhe liderët e politikës shqiptare duhen parë me skepticizëm dhe se atyre nuk u duhet besuar lehtë"! Kjo falë mashtrimeve të paskrupullta të kryeministrit aktual, Edi Rama!

Ndërkaq zoti Rama po reagon pa kurrëfarë maturie diplomatike e politike për situatën që vetë e krijoi me europianët. Ai edhe në Ankara kontrastoi aftësitë e presidentit Erdogan me “paaftësitë” e BashkimitEuropian. Kritikoi ashpër qëndrimet e Brukselit, duke lavdëruar marrëdhëniet e partneritetit strategjik të Shqipërisë me Turqinë si "të suksesshme" dhe marrëdhëniet kontraktuale për shkak të integrimit me BE-në si "të pasuksesshme". Pse duhej që kreu ynë i ekzekutivit të fliste në Ankara kundërEuropës dhe kujt I shërben kjo përveçse interesave të tij përpushtet me ndihmën e Turqisë?!

Edi Rama nuk flet krejt rastëisht. Ai beson se mund ta luajë rolin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, kur ai dëshiron të “frikësojë” europianët,e t'u thotë se po shkon "të flejë në Kremlin"! Edhe Rama dëshiron ta luajë të njëjtën kartë dhe përpiqet ta kërcënojë Brukselin, Berlinin, Parisin, Londrën etj me “mbështetjen” që ai gjen te Erdogan. Por kryeministri ynë është shumë fat keq. Ai në panik dhe i pashpresë është gati të pranojë çdo lloj oferte, mjafton që të mbahet me thonj në karriken e pushtetit.

Megjithatë kryeministri Rama nuk ka mundur që të bëjë llogari të sakta. Shqipëria nuk është Serbi dhe as Rama nuk është Vuçiç. Shqipëria është orientuar drejt integrimeve europiane, ndërkohë që Serbia drejt Rusisë. Kësisoj Rama i kundërvihet jo vetëm Europës, por dhe interesave të qytetarëve zgjedhës të tij kur injoron Europën, ndërkohë që presidenti serb fiton përkrahjen e elektoratit të tij kur afrohet me Moskën e largohet me BE-në. Rama nuk ka asnjë mundësi reale që të përballet me Bashkimin Europian dhe Gjermaninë, sikur të thërrasë në ndihmë jo vetëm Erdoganin, por dhe Rusinë e Putinit si dhe gjithë lindjen së bashku.

Kjo vizitë në Ankara e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, do të shpejtojë dhe thellojë humbjen e tij më 25 prill 2021! Nuk ka asnjë shans që atij t’i vijë në ndihmë as Erdogani, as Vuçiç, as ndonjë lider tjetër autoritar i kontinetit ose planetit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat