Lideri/Liderja që GUXON!

Opinione

Lideri/Liderja që GUXON!

Nga: Zejnullah Jakupi Më: 8 janar 2021 Në ora: 11:04
Zejnullah Jakupi

Liderët e vërtetë janë të guximshëm! Ose në anglisht: “A  person  who  refuses  to risk change, fails to grow” (Një person i cili nuk pranon të rrezikojë ndryshimin, nuk arrin të rritet).

Këtë e thotë shkenca, ndërsa publicistja Kimete Berisha e mohon. Edhe Dr. Fadil Sahiti ligjerues në A.U.K mendon se Vjosa por as Albin Kurti Përvec fjalimeve politike të mira (shpeshherë populiste) në parlament dhe televizion, nuk ka ndonjë fakt tjetër material që e i bën ata super-kandidatë. Vjosën, përçudi e urrejnë edhe edhe gratë, pra, edhe ato janë xheloze ndaj njëra-tjetrës. A ka të drejtë Vjosa Osmnai PSE GUXON dhe pse e kundërshtojnë?

Këtë fenomen do ta analizojmë në mënyrë shencore duke u mbështetur në disa autorë, mbrenda kornizave të cilat i lejon ky trajtim këtu në rrjete sociale dhe medie online.

Shkenca e Lidershipit rekomandon se lidërët duhet të jenë aktiv dhe të guxojnë të përballen me konfliktin, nuk duhet të struken në qoshe, ata duhet të qendrojnë vertikalisht karshi ideve të tyre, të jenë të gatshëm edhe për kompromise, por jo vetëm të dëshirojnë që subordinuesit/vartësit të mbeten në pozitën e tyre thjesht si të nënshtruar. Zatën Vjosës i kërkohet të jetë komformiste ndaj kryetarit të partisë Isa Mustafa. Vartësit por edhe lideri/ liderja duhet ta shohin njëri tjetrin krashi vartësit/publikut/votuesit si qenie njerëzore. Ndikimi nga lideri/liderja drejt vartësve duhet të jetë i lirë dhe të pranohet me vullnet nga parkrahësit (followers).

__________

Gjatë këtij viti, të quajtur si një vit elektoral, ne duam "një lider/lidere ose „udhëheqës, udhëheqëse " për president, në vend se të dëshironim "një politikan tjetër" të zakonshëm. Kur i themi lider/ lidere, ne i japim vlerësim moralist personalitetit në fjalë. Shprehja “udhëheqës” në këtë trajtim përdoret si synonym me shprehjen lider/lidere.

Termi “lidership” (udhëheqja) përfshin vetë-imazhet dhe kodet tona morale. Me këtë ne e lidhim termin me njerëz si Gorbachev, Walesa, De Klerk dhe Mandela, njerëz që i admirojmë për vlerat, guximin, përkushtimin dhe aftësinë e tyre. Lider, lidere nuk mund t´i themi një politikani, udhëheqësi të inkriminuar në veprime kriminale, në korrupsion dhe punë tjera të liga.

Shpesh termat e lidershipit janë të ngarkuara me përmbajtjen emocionale, mbajnë me vete norma dhe vlera të nënkuptuara dhe ato normative. Pra duhet të kemi kujdes ndaj atyre të vetquajtur lider të cilët nuk kanë as vlera, por as nuk mund të jetë të tillë, sepse nuk kanë kapacitet intelektual dhe professional, anipse gojën e kanë të mbushur me premtime dhe patriotizëm vulgar dhe një vetekënaqësi permanente duke e menduar veten në maje të olimpit.

Pikërisht tani edhe Diaspora ka filluar të prezantoj ose disa e kanë marrë iniciativën të prezantohen si të tillë. Edhe Diaspora ashtu si pjesa vendore, nëse mund të thuhet kështu i ka liderët e saj. Dhe kur jemi tek Diaspora, ate nuk nuk duhet ta trajtojmë si ´farën e humbur´, por një potencial kadrovik i edukuar e arsimuar në shtetet më të përparuara të botës, ku një pjesë e mërgatës sonë jeton. Por akoma nuk është studjuar struktura e saj sociale, politike, demografike, religjioze, kulturore etj. Ky është edhe shkaku i cili na pamundëson t´i përgjithësojmë gjërat. Ajo ka luajtur një rol vendimëtar gjatë gjithë historisë jo vetëm në rastin tonë, që nga unjësimi i gjuhës dhe kombit nga shoqëria kulturo-arsimore në vendet e ndryshe si në Rumani, Turqi, Austri dhe SHBA etj. Edhe tek popujt tjerë, Diaspora ka qenë motori i formimit të gjuhës amëtare dhe e kombit dhe i formimit të identitetit kombëtar dhe atij shtetëror.

Pikërisht mendohet se po nga kjo diasporë mund të vijnë edhe liderë për ta bërë ndryshimin. Pjesë e kësaj diaspore është edhe Prof Çitakut dhe Prof. Hetem Ramadanit nga instituti Academy of Leadership Sciences Switzerland (ALSS) të cilët jepin këshillime në seminare lidhur me kompetencat e lidershipit, të cilat çdo lider/lidere duhet t’i mësojë dhe t’i aplikojë ato.

Kemi gjithashtu shumë liderë dhe lidere shqiptarë/shqiptare që janë shkolluar në Diasporë dhe tani janë në krye të politikës dhe institucioneve, siç është rasti me Dr. Vjosa Osmanin, një lidere që tani po dëshmohet si e tillë. Natyrisht ajo vlerësohet edhe për mënyrën dhe metodën se si ajo ju qaset problemeve dhe zgjidhjen e tyre, përmes dialogut, negocimit dhe përafërimit dhe punës adaptive.

Por lideri/ liderja sado i, e mirë që të jetë duhet të kemi kujdes që të mos e heroizojmë rolin e tij, të saj.

Në pyetjen se pse ne kërkojmë shpëtimin tek këta liderë/ lidere, po ju referohemi disa pikave bazë nga vepra e autorit të njohur nga shkolla amerikane „Kennedy School of Government“, Ronald A. Heifetz ribotuar në vitin 1994 (1951) „Leadership without easy answers“ nga shtypshkronja Harvard University Press Cambridge dhe më pas do i referohemi punimit të autorëve shqiptarë të Profesorit Fadil Çitaku dhe Hetem Ramdani dhe të tjerë (2012,2020).

Ky citat është mëse i vlefshëm: „Mos u mundoni ta bëni punën vetë; përkundrazi, siguroju ndjekësve tuaj një mjedis mbajtës brenda të cilit i sfidoni ata.“ (Heifetz 1994).

Pra, "udhëheqja" për autorin Ronal A. Heifetz është e dallueshme nga pozicionet e autoritetit të cilat zakonisht mendohet se janë pikënisja e tij. Sipas tij ne sot përballemi me një krizë në udhëheqje në shumë fusha të jetës publike dhe private. Megjithatë, ne e kemi keqkuptuar natyrën e këtyre krizave të lidershipit. Ne i atribuojmë problemet tona shumë lehtë politikanëve dhe drejtuesve tanë, sikur të ishin ata shkaku i tyre. Pakësia e udhëheqjes mund të përjetësojë vështirësitë tona, por rrallë është baza për to. Krizat politike janë si rezultat edhe i rrethanave të cilat rrjedhin nga pakontrollueshmëria e ekonomisë moderne dhe e jetës politike.

Lideri sipas këtij koncepti ndikohet edhe nga faktorët tjerë të ambientit. Këtu lind pyetja; sa jemi robust me organizmin tonë ndaj stresit – i cili induktohet nga klima, konkurrenca, furnizimi me ushqim, aktiviteti seksual ose trashëgimia nga prindërit, por edhe nga aftësia e trurit tonë për t´i kuptuar dhe pranuar gjërat ashtu si janë?

Gjithashtu rol të rëndësishëm luan aspekti social ose sa përshtatemi me normat dhe vlerat shoqërore. Këtu kemi parasysh zhvillimin organizativ dhe kapacitetin kulturor për të përmbushur nevojat tona dhe për të zgjidhur problemet me sukses duke u përshtatur rrethanave shoqërore. Dhe kur ka konflikte vlerash, të cilat ndodhin shpesh, sqarimi dhe integrimi i vlerave konkurruese bëhet vetvetiu si një punë adaptive.

Për më tepër, në një krizë të tillë ne priremi të kërkojmë llojin e gabuar te udhëheqja. Në vend që të gjejmë tek ta shpëtimtarin, ne duhet të bëjmë thirrje për udhëheqje që do të na sfidojë, të përballet me probleme për të cilat nuk ka zgjidhje të thjeshta, pa dhimbje. Dhe, kërkohet nga ne të mësojmë mënyra të reja të ballafaqimit.

Kosova për momentin ka shumë probleme të tilla si; gjyqësia e dobët, korrupsioni, pandemia, industria jokonkurruese, abuzimi me (drogën), varfëria, arsimi i dobët publik, rreziqet mjedisore, grindjet etnike në veri, të cilat e shoqërojnë Kosovën nga koha e paraluftës, deficitet buxhetore, zhvendosja ekonomike dhe pengesat në politikën e jashtme si dhe gjykimi në Hagë i ish- ushëheqësve të UÇK-së. Të bësh përparim në këto probleme nuk kërkon thjesht dike (një supermen ose supermene) që jep përgjigje nga lart, por ndryshimet në qëndrimet, sjelljet dhe vlerat tona. Siç thuhet; para se t´i ndryshojmë të tjerët, të fillojmë s´pari ta ndryshojmë vetveten. Për të përmbushur sfida të tilla, ne kemi nevojë për ide tjera të lidershipit dhe një kontratë të re shoqërore që të promovojmë kapacitetet tona adaptive, sesa pritjet e papërshtatshme nga autoriteti. Në këtë kuptim autori apelon për një çasje konstruktive dhe adaptive ose aktivizim. Pra, ne kemi nevojë për të rikonceptuar dhe gjallëruar jetën tonë qytetare. Lidershipi, sipas autorit në fjalë do të thotë të ndikosh në komunitetin, shtetin për t'u përballur me problemet e tij".

Lideri/liderja ka një grup të veçantë të atributeve fizike (i madh, i gjallë, i shpejtë, si saktë, i prerë, pohues). Autoriteti i tij konsiston në marrëdhënie reciproke me ambientin: Udhëheqësi funksionon si një pikë fokale e vëmendjes me të cilën pjesa tjetër e grupit në mënyrë instinktive organizon vetveten. Lidershipi barazohet me spikatjen dhe mbizotërimin. Në disa kultura ai vlerësohet ose merrë epitetet normative duke u vlerësuar si ´hero´. E këta si të tillë në ambientin tonë janë akoma larg të qenurit activist normal. Dhe kjo do të thotë: Ti si lider, duhet të jesh në front, jo vetëm në studio televizive por edhe në terren. Lideri i vërtetë nuk duhet t´i ngjajë një kalorësi i cili, përveç ndoshta pa dashje dhe strategji, përpiqet më shumë për të kapërcyer garuesit tjerë, por nuk është i aftë të udhëheq askend. E më së keqi kur ai nuk ka vlera, por ka të vetmen shprehi, të shtyhet me brryla.

Në këtë studim autori Heifetz do të përdor katër kritere për të zhvilluar një përkufizim të lidershipit që merr parasysh vlerat. Lideri sipas ketij koncepti "mobilizon", përkrahësitë ose masat, që nënkupton motivimin, organizimin, orientimin dhe përqëndrimin e vëmendjes, si një lloj aktiviteti. Lideri nuk lind, por bëhet. Nëse e kërkon nevoja, një i tillë pa qenë lider, ai i përvihet organizimit dhe pyet, çfarë mund të bëjë unë për të ndryshuar situatën egzistuese? Detyra më e vështirë dhe primare e liderit/lideres është avancimi i qëllimeve dhe hartimi i strategjisë që promovon punën adaptive. Lideri i vërtetë nuk i jep ilçe të skaduara popullit të tij duke u bazuar në populizëm, në frikësim dhe duke e luajtur kartën e manipulimit, prodhimit të thashethemeve brenda dhe në prodhimin e armiqëve të jashtëm dhe të brendshëm, siç e kishte bërë Hitleri me Gjermaninë dhe popullin gjerman. Së pari, lideri duhet testojë realitetin për të parashikuar prodhimin e rezultateve të dobishme shoqërore – i quajtur ky si procesi i peshimit, prej nga nxirret një interpretim i një problemi dhe ai do ishte i mirë nëse nuk orientohet kundër të tjerëve. Pra, tek Hitleri kishin dështuar përkufizimet e problemit dhe udhëheqja e tij kishte shkaktuar katastrofë njerëzore dhe mbi 50 milion viktima gjatë luftës. Për të prodhuar punë adaptive, një lideri i duhet të gjurmojë konturet e realitetit; duhet të ketë saktësi, dhe jo thjesht imagjinatë dhe thirrje për përkrahje e cila në rastin e Hitlerit u drejtua kundër popullit hebre dhe që kishte për qëllim pastrimin e Gjermanisë nga ata. Mbështjetja në vlera dhe kulturën e popullit tënd pa marrë parasysh të tjerat, është e rrezikshme. Thirrja e liderit vetëm në vlera të kulturës së tij është e mangët. Ajo duhet të lejojë vlerat e kulturave të ndryshme. Nuk mund dhe nuk duhet të jetë imperialiste. Përveç testimit të realitetit, puna adaptive përfshin respektimin e konfliktit, negociatat dhe një larmi pikëpamjesh brenda një komuniteti si; rritjen e kohezionit të komunitetit; zhvillimin e normave të marrjes së përgjegjësisë, të mësuarit, inovacionin dhe mbajtja e shqetësimit shoqëror brenda një niveli të durueshëm variacionesh– ballafaqim me sfidat etj.  Dhe, për një mori vlerash mjaft të çmuara si; liria, barazia, mirëqenia njerëzore, drejtësia dhe bashkësia, lideri ka përgjegjësi t´i ruaj dhe duhet të japin llogari për ato plotësisht. Në rastin e Donal Trump, sipas CNN Presidenti Trump më në fund kishte premtuar një transferim "të rregullt" të pushtetit tek Biden, ndërsa përsërit pretendimet e rreme në lidhje me zgjedhjet që çuan në një turmë që sulmoi Kapitolin. Prof. Çitakut kishte shkruar më 6 janar lidhur me ngjarjet në Uashington duke shkruar se ky ishte një episod i turpshëm në SHBA, për shkak të udhëheqjes jo kompetente se si liderët jo kompetentë manipulojnë trurin e pasuesve të tyre drejt vetëshkatërrimit. "Shikoni çfarë ndodh në SHBA sot, ky është episodi më i madh i turpshëm që kanë përjetuar SHBA-të. Kjo ndodh kur ju zgjidhni udhëheqës jo kompetentë, të cilët nuk kujdesen për kombin e tyre, por duan të kenë me çdokusht pushtet. Ne të gjithë, në të gjithë botën jemi të sëmurë nga udhëheqës jo kompetentë, të cilët janë kërcënimi më i madh për njerëzit në të gjithë botën. Shpresojmë që askush në SHBA të mos lëndohet, dhe këshillojmë qytetarët të ruajnë qetësinë dhe të mos lejojnë që të manipulohen.”

Kopetencat e lidershipit dhe vendimmarrjet efektive

Pjes a e dytë ose disa plotësime lidhur me lidershipin po ju referohemi shkurtimisht autorëve shqiptarë Prof. Dr. Fadil Çitakut dhe Prof. Hetem Ramadanit dhe të tjerëve nga veshtrimet shkencore të bëra nga viti 2012 dhe sidomos punimin nga viti 2020 me titull: Lidershipi, marrja e rreziqeve, marrja e vendimeve: Rezultatet më të reja nga shkenca e lidershipit.

Disa udhëzime të cilat i kam nxjerrur nga trajtimi i autorëve në fjalë nga lidershipi efektiv na rezulton se udhëheqësi i cili e do status quo-në së shpejti bëhet ndjekës. Dikush mund të mos pajtohet, por kurrë nuk duhet të jetë i papranueshëm.

Liderët/Lideret e mirë/mira duhet të kenë guximin për të bërë gabime, të mësojnë prej tyre dhe të vazhdojnë të ndjekin vizionin e tyre derisa ai, ose ajo të bëhet realitet. Në këtë kuptim udhëheqësit e mëdhenj janë vendimtar dhe të guximshëm dhe realist. Një udhëheqës, mbi të gjitha, shfaq një kokë të ftohtë - domethënë, ai përpunon objektivisht informacionin dhe vlerëson saktë ndikimin e tij në situatën e tij. Pa vendosmëri, cilësitë e tjera kanë pak vlerë. Rol vendimtar luan edhe inteligjenca. Udhëheqësi duhet të ketë një talent për ta kthyer çdo situatë në një avantazh, për krijimin e improvizimit të papritur, por të përshtatshëm, përballë pengesave.

Shumica e fatkeqësive që pushtojnë një organizatë në garë lindin nga hezitimi dhe frika e dështimit. Autorët apelojnë: Mos pranoni fajin për gabimet e bëra tashmë, përsosmëria është armiku i përparimit.

Lideri/Liderja/ kërkon një situatë në të cilën duhet të ketë jo vetëm pajtueshmëri dhe një konsensus, por ai duhet të arrihet përmes një debati serioz. Kjo është ajo poenta e cila e tregon liderin e vërtetë. E njëjta është deri diku edhe në opinionin publik dhe në gazetari. Ana e publikut është ora zbatuese e debatit kualitativ dhe një punë adaptive. Kjo i bie të jesh i sigurtë, të ndërtosh- të sigurosh mbështetje, para se të lansosh projektin. Vendimet efektive mbaten me përkrahje nga ata që e implementojnë një projekt, përndryshe nuk ka realizim të tij.

Kualiteti dhe vendimet të akceptueshme arrihen sipas autorëve në fjalë nga motivimi i njerëzve për të punuar së bashku për të arritur gjëra të mëdha. Prandaj, udhëheqja/lidershipi është një proces, jo pronë e një personi. Pra, siç tham, ajo përfshin një formë të veçantë të ndikimit i quajtur motivues, duke rezultuar në bashkëpunim në ndjekjen e një qëllimi të përbashkët, për të arritur atë dhe për të tjekaluar sfidat e botës moderne. Nga këndej del se gjëra të mëdha arrihen kur ato bashkohen, kur të akordohen ose kur ka një bashkëpunim dhe dyzim në mendjet e udhëheqësit/liderëve dhe të pasuesve.

Studiuesit e Lidershipit (ndërt ta edhe Çitaku/Ramadani 2020) bëjnë dallimin midis lidershipit/udhëheqjes, administratës dhe menaxhimit, pra mes liderit, menaxherit dhe administratorit. Ata sugjerojnë që lidershipi është sinonim i ndryshimit, ndërsa menaxhimi dhe administrata konsiderohen si mirëmbajtje. Të tre dimensionet identifikohen si funksione kritike të veprimtarisë organizative. Nga këndej, lidershipi mund të interpretohet si një mjet për formësimin e qëllimet, motivimet dhe veprimet e të tjerëve për të filluar ndryshimin ose për të ruajtur stabilitetin. Një zëri përkrahet teza, siç thekësuam më lart, se veprimtaria e udhëheqjes përcaktohet ose ndërtohet përmes ndërveprimit të liderëve dhe pasuesve gjatë ekzekutimit të detyrave të udhëheqjes. Pavarësisht tipareve, lideri/liderja bëhet vetëm kur përkrahet edhe nga përkrahësit në mënyrë vullnetare pa trysni, kur ka komunikim pa populizma e manipulime.

Karakteristikat personale të lidershipit shpesh duken të idealizuara. Autorët në falë i radhisin ndër ta edhe; vizionarët arsimorë, drejtuesit udhëzues të kurrikulës, ekspertët e vlerësimit, ekspertët e marrëdhënieve me publikun, të komunitetit, analistët e buxhetit, menaxherët e institucioneve, administratorët e programeve speciale, mbikëqyrësit ose ekspert të mandateve ligjore e kontraktuale dhe ata të politikave. Të gjitha këto karakteristika mendohet të karakterizonjë udhëheqësit efektivë.  Megjithatë, të gjitha këto tipare, sipas tyre nuk janë gjithsesi garantues të vlerësimit ose tiparet e efektivitetit të lidershipit. Edhe pse udhëheqësit efektivë mund të kenë një ndikim pozitiv në arritjet, udhëheqësit e dobët mund gjithashtu të kenë një „arritje“ margjinale.

Megjithatë nuk ka një përkufizim të përbashkët për një teori të përgjithshme të lidershipit. Lidershipi sipas autorëve Çitaku dhe Ramadani (2020) është përcaktuar në mënyrë pragmatike si një proces i motivimit të njerëzve për të arritur gjëra të mëdha, në thelb, për të qenë efektiv. Efektiviteti si i tillë është sipas tyre lehtësisht i matshëm, megjithatë, përcaktimi i kompetencave të kërkuara për një udhëheqje efektive është kompleks, i kuptuar jo sa duhet dhe shumë shpesh i drejtuar tepër nga tiparet.

Në studimin inovativ mbi këtë temë të kryer nga Çitaku et al. (2012) ishin të vlerësuara me kujdes 63 karakteristika në gjashtë vendet si në Austri, Kanada, Gjermani, Zvicër, MB dhe SH.B.A. Ky studim mori një numër të madh përgjigjesh dhe zbuloi variacione interesante në vlerësimin e kompetencave specifike të lidershipit. Ky studim gjithashtu zbuloi ndryshime interesante në vlerësimin e kompetencave specifike në varësi të gjinisë, gjuhës amtare dhe fushës së specializimit të të anketuarit, veçanërisht për fushat e përgjegjësisë sociale, inovacionit dhe orientimit në drejtësi.

Përfund: Nga e gjithë ajo çfarë u tha deri tani mund të aprovohen rekomandimet nga këto të gjetura të shkencëtarëve në fjalë lidhur me lidershipin se liderët ose udhëheqësit nuk duhet të vendosin ndjeshmërinë përpara autoritetit. Udhëheqësit duhet të jenë miqësorë, jo arrogantë ose egoist. Dhe duhet të ketë edhe ndryshim të gjeneratave, pas çdo 20 vjetesh. Kjo do të thotë elita politike e Isa Mustafës e Salih Berishës dhe e Edi Ramës duhet të përshëndetet nga skena politike. Ata duhet të jenë të gatshëm të falin.

Falja është shenja e një lideri të sigurt. Kuptimi që të gjithë bëjmë gabime, është një shenjë e udhëheqjes së mirë dhe vetëbesimit. Të dijmë të themi: "Më fal". Pra, liderët e vërtetë nuk kanë ego të brishtë. Ata e pranojnë se asnjë person i vetëm nuk mund të ketë të gjitha përgjigjet gjatë gjithë kohës dhe se ata gjithmonë mund të mësojnë nga të tjerët. Lideri i vërtet nuk lejon që egoja e tij t´i pengojë në veprimin e tij. Liderët/Lideret në kuptimin e plotë të fjalës e pranojnë publikisht kur të tjerët dinë më shumë, duke mbështetur të tjerët që të marrin pjesë në përpjekjet e grupeve për të marrur vendime ose për të vepruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat