Pse po anashkalohet Fetah Berisha?

Opinione

Pse po anashkalohet Fetah Berisha?

Nga: Bejtullah Sokoli Më: 11 janar 2021 Në ora: 12:42
Fetah Berisha

Në botën e LDK-istëve Fetah Berisha gëzon respekt të madh, në saje të sakrificës dhe kontributit të tij në veprimtarinë atdhetare dhe atë politike e më gjerë. Ai përfaqëson jo vetëm nderin dhe krenarinë e familjes e të kombit, por historinë e një veprimtari të madh, që ka bërë historinë përmes thjeshtësisë së madhështisë së tij.

I njohur me epitetin Gjysh që nga viti 1982 sa ishte i burgosuri politik në burgun e Gjurakocit, ai është një nga themeluesit e parë të LDK-Dega në komunën vreshtare.

Disa vite ishte edhe kryetar dege, delegat në Kuvendin e Kosovës etj. E nga marsi i vitit 2014 Fetahu me vendimin e LDK-së do të shpallet Kryetar nderi i LDK-së Dega në Rahovec “Për angazhim, punë të përkushtuar dhe lidership të suksesshëm nga themelimi i LDK-së Dega në Rahovec”.

Mirëpo, sa vlen ky vendim dhe nderim kur Fetah Berishën si duket e harruan shpejt. Po anashkalohet me apo pa qëllim nga dega e LDK-së.

Hiq më larg se të shtunën, Gjyshi mungoi në tubimin e bashkëpartiakëve të tij ku ishte i pranishëm edhe kreu i degës,Avdullah Hoti, njëherësh edhe kryeministri në detyrë. Në disa fotografi të postuara në rrjete sociale, Berisha nuk shihet askund. Pse? Sepse,nuk ishte ftuar nga strukturat e degës. Kështu më deklaroi ndër të tjera ai.

Është ky një nga momentet më të turpshme të degës. Dhe nuk habit ky fakt. Nuk është hera e parë që ai nuk ftohet, si në takime të kryesisë ashtu edhe në takime e tubime tjera që mban kjo degë. Pra, prej disa vitesh Gjyshi është lënë në harresë. Deri kurrë kështu? Dhe, a ka fund ky anashkalim?!

Është e vërtetë se me statutin e LDK-së dega nuk obligohet ta ftojë Berishën në takime të sipërthëna, por do duhej që për hir të sakrificës dhe kontributit të dhënë ai duhet të ftohet, meqë pos që është edhe i pari Kryetar nderi i degës së LDK-së, njëherësh luan edhe rolin e një këshilltari me përvojë në jetën politike e më gjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat