Krijimi i standardit të ri politik!

Opinione

Krijimi i standardit të ri politik!

Nga: Florim Zeqa Më: 14 janar 2021 Në ora: 07:31
Florim Zeqa

Jo vetëm PDK e AAK, por edhe LVV dhe shumë subjekte të tjera që mbinën si “këpurdhat pas shiut” pas lufte në Kosovë, e shkëputën nga një pjesë të elektoratit të LDK-së. Megjithatë, sa ishte gjallë lideri historik Ibrahim Rugova, LDK-ja në zgjedhjet nacionale dhe lokale peshonte më rëndë se të gjitha partitë tjera shqiptare.

Sa është i nevojshëm ajri që e thithin, po aq sa është i nevojshëm ndryshimi për qytetarët e vendit tonë. Për aq sa dukej se ishim afër ndryshimit para zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, për aq jemi afër edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, mirëpo, pa lindjen e një alternative të re do të kemi vetëm ndërrim të pushtetarëve e jo edhe të mendësisë qeverisëse në vendin tonë, gjegjësisht të një ndryshim pozitiv dhe përmbajtësor në Kosovën e kapur dhe ngulfatur nga uzurpatorët e të gjitha llojeve e ngjyrave.

Mospërfshirja në listat e subjekteve politike të kandidatëve të dënuar për vepra penale, paraqet krijimin e një standardi të ri politik në Kosovë, ku më asnjëra parti nuk do ta ketë guximin të fusë në listën e saj kandidat që kanë pasur problem me ligjin përgjatë tre vjetëve të fundit.

Krijimi i standardit të ri politik, paraqet fillimin e ndryshimit epokal, pjesa tjetër u mbetët qytetarëve të vendit, nëse e duan ndryshimin apo vazhdimësinë!

Sikurse në zgjedhjet e kaluara, edhe në keto te 14 shkurtit, liderët dhe partitë politike do të garojne me kauzën e pushtetit e jo të ndërtimit të shtetit.

Sikur liderët ta kishin qëllimin e shtetit do t'i lenin menjëanë interesat partiake dhe do të bëheshin bashkë në koalicione të mëdha parazgjedhore për të mirën e shtetit dhe qytetarëve.

Duket qartë, se asnjërit liderë partiakë nuk po i intereson e ardhmja e shtetit nesër, por si do të duket partia e tyre një ditë pas zgjedhjeve.

Tendenca për dominim apsolut partiak dhe ambicie personale për pushtet e ka zbehur interesin për shtetin.

Me sistemin politik që ka Kosova, dominim apsolut partiak nuk ka pasur në periudhën e parë të pasluftës, nuk ka sot dhe nuk do të ketë as në të ardhmen e afërt.

Se cila parti ka shënuar ngritje e cila rënje të elektoratit gjatë këtyre muajve të fundit, do të jetë elektorati, ai që do t’ua jepë përgjigjën e merituar të gjithë rrahagjoksëve të partive politike.

Pa dashur të flas në mënyrë hipotetike për përqindjet e rezultateve zgjedhore dhe cila do të delë partia e parë, tri partitë e mëdha do të jenë në garë për vendin e parë.

Megjithatë, dy gjëra janë të ditura paraprakisht; e para, asnjëra prej partive politike nuk do ta arrijë të fitojë 50 % të votave të qytetarëve dhe e dyta, AAK-ja do të jetë partia e katërt shqiptare, e cila pavarësisht ngritjes apo rënjes në përqindje, do ta kushtëzojë koalicionin me partinë fituese apo koalicionin paszgjedhor me postin e presidentit.

Kushtëzimet e lidërve partiakë nuk janë standard i ri politik, por janë vazhdimësi e shantazhit ndaj rivalëve politik pa përfillur forcën elektorale dhe vullnetin e qytetarëve.

Rezultatet e partiive tjera minore dhe nismave qytetare do të jenë të papërfillshme në zgjedhjet e 14 shkurtit, pra rrezikojnë të mbeten jashtë pragut zgjedhor. Për t'i shpëtuar kësaj, do të jenë të detyruara të futen në listat e partive të mëdha.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat