Kosova me drejtësi kafenesh 

Opinione

Kosova me drejtësi kafenesh 

Nga: Hisen Berisha Më: 16 janar 2021 Në ora: 11:44
Hisen Berisha

Pas aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese që rrëzuan dy qeveri njëten pas tjetres, asnjë vlerë më nuk ka vota e lirë dhe se kush është i pari apo fituesi!

Tash e tutje demokracia vendoset në kafe. Nuk ka më asnjë rëndësi i pari.

Njëri aktgjykim e shkatërroj konceptin e të parit në sistemin tonë zgjedhor proporcional. Aktgjykimi i fundit, shkatërroj të drejtën për t'u zgjedhur.

Janë këto dy goditje fatale për demokracinë tonë përfaqësuese edhe ashtu të brishtë dhe ende në konsolidim.

Rikuperimi i këtij kaosi kushtetues mund të bëhet vetëm me ndryshim të Kushtetutës dhe një reformë zgjedhore rrënjësore.

Ndryshe, në një kaos të tillë juridik kushtetues “rruga” e merr ligjin në dorë në vendin tonë, kurse Serbia me aleatin e saj Rusinë tashmë po provojnë ta na bëhen “refer” anësor në kaosin tonë politik.

Pritjet qytetare janë se do të iket nga metodologjia jo e shëndetshme e përzgjedhjes së kuadrove, përkatësisht ti iket zgjedhjes së Inuitëve që si doktrinë ekonomike e kanë korrupsionin e si doktrinë politike kanë mendësinë Staliniste.

Historia e re dhe jo aq e largët kanë dëshmuar se drejtuesit politikë te ne, kanë instaluar njëfarë fryme të mitizimit të personaliteteve, të cilët gjatë gjithë kohës janë pjesë e historisë infromale, duke u ushqyer me lavdinë e së kaluarës.

Kjo kategori personalitetesh, jo vetëm që e kanë shkëputur kontaktin me realitetin, por janë bërë pengesë edhe për prurje të reja. Duke i parë të tillët si të “pazëvendësueshëm”, qytetarët marrin pjesë në zgjedhje më tepër për të dënuar një parti politike, se sa për të mbështetur ndonjë alternativë të re.

Zgjedhjet e 14 shkurtit do duhej të hiqnin dilemat dhe të motivojnë votuesit për të zgjedhur opsionet dhe individët me vizion për ndryshimin rrënjësor të situatës.

Si do që të shkojnë zgjedhjet, një është e ditur nga përvoja, se kur ato janë të jashtëzakonshme vetëm sa i riciklojnë të njëjtit njerëz në politik bërje dhe nëse për shkak të sistemit tonë zgjedhor, shkohet edhe në koalicione bashkë qeverisëse jo parimore në aspektin filozofik, atëherë vetëm sa do të gjenerojnë kriza.

Kosova dhe shqiptarët kanë nevojë për njerëz të pavarur dhe me përgatitje intelektuale, profesionale e shkencore, të cilët do të identifikojnë nevojat dhe agjendat kombëtare për zhvillimin e objektivave shtetëror afatgjatë, ku politikat zhvillimore janë konsekuencë e mendimit kompetent dhe dijeve shkencore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat