Voto Vjosën e Albinin e jo Isën dhe Hashimin?!

Opinione

Voto Vjosën e Albinin e jo Isën dhe Hashimin?!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 12 shkurt 2021 Në ora: 07:50
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Jeta është e zgjedhje dhe vota është më shumë se sa zgjedhje. Eshtë edhe zgjidhje. Kosova është para një sprove si kjo. Të dielën qytetarët e saj do të shkojnë në kutitë e votimit dhe do të shprehin vullnetin e tyre për ndryshimin e madh. Ndoshta është hera e parë kur Kosovës i jepet shansi për të mos zgjedhur të ngajshmit. Para këtyre zgjedhjeve, deri diku edhe në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, qytetarët e Kosovës kanë zgjedhur midis dy të nëgjajshmëve: Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, ose më saktë akoma, midis LDK-së së Isës dhe PDK-së së Hashimit!

Pak ndryshim kishte nëse zgjedh njërin ose tjetrin. Nëse LDK ishte para PDK-së në zgjedhjet e kaluara, kjo ndodhi për shkak se njerëzit besuan të Vjosa e jo te Isa. Por kreu i LDK-së, si gjithnjë hilacak dhe intrigant, e vendosi Vjosën si kandidate për kryeministre dhe e largoi atë madje edhe nga bisedimet me VV për koalicionin e qeverisjes. Që këtu dukej disponimi i tij për koalicion me Hashim Thaçin. Çka do të thotë me të ngjajshmin e tij.

Të dielën nuk do të jetë kështu. Vjosa Osmani nuk i bën më derman Isa Mustafës. Ajo ka marrë rrugën e saj për të realizuar ndryshimin e madh në Kosovë. Në spektrin e partisë së Hashimit, pra në të majtë, është shfaqur Vetëvendosja e Albin Kurtit. Dikur ekstremist e revolucionar i spikatur, por prej së paku dy vitesh deri diku në ekulibër të admirueshëm. Ato 52 ditë në qeverisje I dhanë zotit Kurti mësimin e madh se vetëm ekuilibri dhe harmonia në qeverisje mund ta mbajnë atë në pushtet.

Por harmoni e ekuilibër nuk do të thotë pajtueshmëri me krimin e organizuar dhe korrupsionin e dy ish-liderëve që e zotëruan për 13 vite skenën politike të Kosovës dhe për këtë shkak shkuan deri te tjetërsimi i territoreve të vendit. Hashimi hapur dhe Isa si patericë e fshehtë e tij! Kreu i LDK-së nuk mundi të dalë nga tutela e Thaçit edhe kur ai ishte kryeministër, ndërsa kreu i PDK-së ishte ministër i jashtëm i kabinetit të tij.

Vjosa Osmani dhe Albin Kurti duhet të dëshmojnë lidership të ndryshëm nga dy paaradhësit e tyre. Të jenë të guximshëm për të dërguar çdo politikan shkelës të ligjit para drejtësisë. Ndryshe ata nuk do ta justifikojnë besimin e qytetarëve. Akti i parë i qeverisë së re do të duhet të jetë ndërprerja e lidhjeve kriminale të shqiptarëve e serbëve në veri të Kosovës, bllokimi i pasurive të paligjshme, deri te konfiskimi i aseteve pronësore dhe parave që politikanët e media e shitur të kriminelët ka bërë deri më sot.

Adresa e parë e hetimit do të duhet të jenë propagandistët e tipit Baton Haxhiu për ndarjen e Kosovës. Të gjitha gjasat janë se kjo kategori politikanësh dhe gazetarësh kanë bërë shërbimin e radhës ndaj Serbisë në këmbim të favoreve ekonomike e financiare. Dhe për Serbinë ka qenë shumë më e lehtë që të porositë trafikantët dhe kontrabandistët që veprojnë në zonën e pakontrolluar nga shteti i Kosovës në veri të vendit, me qëllim bashkëpunimin e kompenssimin e bashkëpunëtorëve shqiptarë të Beogradit! Por jo vetëm këta. Janë shumë kompani, ku aksionerë gjenden politikanë të lartë, të cilët bashkëpunojnë me krimin ekonomik në veri të vendit.

Lufta kundër këtij krimi dhe shkëputja e lidhjeve me elementin shqiptar është një detyrë e vështirë, por e domosdoshme për të rikthyer besimin dhe shpresën e qytetarëve të Kosovës ndaj ligjit, shtetit dhe institucioneve të Kosovës. Nëse këto detyra, si dhe objektivat e tjera të zhvillimit të Kosovës nuk do ti realizojnë as Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, atëherë qytetarëve do t'u këputej shpresa në mes. Vota e këtyre qytetarëve për VV+V është votë besimi te shteti, te politika, te institucionet, te ligji dhe kushtetuta. Ndaj dhe është detyrë e fituesve që ta ndërtojnë shtetin e së drejtës, duke përgenjështruar praktikisht akuzat e politikës së vjetër "për kapje të shtetit e institucioneve të tij" nga këta!

Të dielën zgjedhësit në Kosovë do të vendosin për t'i thënë jo politikave të derisotme të lidershipit politik në vend. Të dielën do të votohet për ndryshimin, për shtetin dhe shtetësinë, për ligjin dhe të drejtën. Barazia dhe drejtësia para ligjit është parimi themelor i ardhjes në pushtet të lidershipit të ri. Me zbatimin e këtij zotimi dhe ruajtjen e ekuilibrave demokratike e të balancës së pushteteve, zonja Osmani dhe zoti Kurti do të munden që të kenë sukses e jetëgjatësi në qeverisjen e Kosovës.

Ndërkaq këta të dy votohen edhe për angazhimin që t'i japin fund konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë, duke imponuar një zgjidhje të drejtë që respekton viktimën dhe detyron agresorin të kërkojë ndjesë. Dhe më mirë se ata askush tjetër nuk mund ta realizojë këtë objektiv. Të dy këta, si Vjosa, si Albini, kanë përgatitjen dhe përvojën e mjaftueshme për t'u përballur me sfidën e dialogut me Serbinë. Mbi të gjitha besohet se asnjëri prej tyre nuk është i kapur prej saj dhe nuk ka arsye pse tiI nënshtrohet presionit serb në këtë dialog. Pra, ata votohen që t'i japin fund edhe tranzicionit dhe të punojnë seriozisht për ta integruar Kosovën në NATO dhe Bashkimin Europian, çka do të thotë edhe ta çojnë atë në OKB!

Për këto arsye vota e të dielës duhet të shkojë për Vjosën e Albinin dhe jo për Isën dhe Hashimin! Për këto arsye duhet të votohet masivisht VV+V dhe jo klani PRONTO! Kosova ka nevojë për ndryshimin e madh! Kosova ka nevojë edhe për përgjegjësinë e madhe të qeverisjes së Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit. Njëra presidente dhe tjetri kryeministër i vendit do të duhet të besohet se janë garancia e një epoke të re!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat