Letër e hapur kryeministrit në ardhje, z. Albin Kurti

Opinione

Letër e hapur kryeministrit në ardhje, z. Albin Kurti

Alban Krasniqi Nga Alban Krasniqi Më 25 shkurt 2021 Në ora: 20:38
Albin Kurti

I nderuari z. Kryeministër në ardhje,

Më në fund jeni fituesi plebishitar i zgjedhjeve të fundit. Fitorja Juaj, më shumë se e mirëpritur, është më se e nevojshme. Shtegtimi Juaj politik nuk ishte shtegtim dallëndysheje, por ishte shtegtim zgalemi. Me një fjalë, aktiviteti juaj nuk qe mund Sizifi.  

U bënë të gjithë kundër Jush: pozitë e opozitë, medie elektronike dhe medie të shkruara, analistë e opinionistë. Ata ju akuzuan, ashtu siç akuzonte Katilini Ciceronin. Sa herë mundoheshin t’ju deformonin, Ju krijonit formë më të veçantë; sa herë tentuan t’ju thyenin, Ju nxirrnit shkëndija. Kurrë nuk arritën t’jua japin formën e dëshiruar. Përballë këtyre akuzave, fyerjeve e sharjeve, Ju parapëlqyet të mbeteni një Sokrat i vuajtur e jo derr i kënaqur. Edhe përkundër kësaj fushate, qytetarët ju deshën dhe ju përkrahën, sepse, siç thoshte Kanti, Ju vepruat “gjithmonë në atë mënyrë që njerëzit i ke vetëm si qëllim dhe asnjëherë vetëm si mjet”.

Tani, kur Ju qëndroni aq lart, saqë lihet përshtypja se të tjerët i kundroni nga maja e Olimpit, s’do mend se përgjegjësia ju shtohet edhe më tej. Nevoja për ndryshim dhe plotësim të nevojave të qytetarëve  ju bëjnë të nguteni më shumë, sesa realizimi i premtimeve. Ngutuni ngadalë e mos u ngadalësoni nxitimthi. Siguroni vaksinën dhe vaksinoni qytetarët, vini drejtësinë në vend dhe promovoni shtetin e së drejtës, rriteni punësimin dhe udhëhiqe dialogun. Dialogu të bëhet për interesa të shtetit e të qytetarëve e jo për interesa të ndonjë diplomati, që prioritet ka karrierën politike apo pasurimin e CV-së së tij; bëje dialogun në emër të së drejtës e jo në emër të “miqësisë së përjetshme me aleatët tanë”. Përveç këtyre veprimeve, mos lini pa lëvizur gurë e dru për  t’ua prishur furrikun komuniteteve që mos të kenë vende të rezervuara, por veç sa mund të marrin në zgjedhje.

Këto prioritete janë edhe shumë, edhe pak; janë edhe të mëdha, edhe të vogla. Janë shumë për politikanët tjerë, por jo për Ty; janë të mëdha për të tjerët, por jo për Ty. Ti, që theve bastione, zhveshe mite e shembe idhuj, mund ta bësh edhe këtë. Intuita dhe mendja jote i përballon pa kurrfarë telashi dhe pa kurrfarë zgjatjeje kohore. Nuk do t’ju duhet më shumë se një mandat.

 

 

 

 

 

I nderuari z. Kryeministër në ardhje,

Përfundoni këto punë dhe drejtohu andej Drinit. Edhe andej është si mos më keq. Vendi dhe qytetarët vazhdojnë të sundohen prej një kaste narkomanësh dhe hajdutësh, aq sa i Gjati i vogël sillet si Qesari. (Kur fitoi veshgjati, trupgjati desha të them, të gjithë shpresuam për një dritë e ngrohtësi, por ajo shpresë e vyshkur sot na i kujton vargjet rrëqethëse të epikës sonë legjendare: “drita a dalë e dritë s’po bân, ka lé dielli e s’po nxeh”). Bëhu Augusti! Bashko shqiptarët! Kjo është dëshirë e jona e kamotshme, që buron nga ati, biri dhe shpirti. Mos i lini të tjerët të na nëpërkëmbin! Është turp se si një komb kaq i vjetër, një komb që i ka dhënë aq shumë jo vetëm rajonit, por edhe globit të katandiset në këtë mënyrë prej të vetëve dhe prej të huajve. Dikur Lamartini pati thënë: “Ky komb e ky popull nuk merret nëpër këmbë… Kjo është toka e heronjve të të gjitha kohëve… Homeri aty gjeti Akilin, grekët Aleksandrin e Madh, turqit Skënderbeun, njerëz këta të së njëjtës racë, të të njëjtit gjak”. Shpresojmë që me Ty në ballë do të ringjallet Moti i Madh. Ti mund ta bësh këtë. Ti duhet ta bësh këtë, sepse i ke dy cilësi praktike të dëshmuara: gjakftohtësinë në kohë rreziku dhe shpejtësinë rrufe në veprime; ke furtunën në kokë dhe zjarrin në kraharor. Të gjithë politikanët tanë pretendojnë se i dinë gjërat e mira, por vetëm Ti mund t’i bësh ato. Me një fjalë, jeni personi i duhur për ta rihapur Kutinë e Pandorës, që të rishfaqet shpresa për këtë brez të nëpërkëmbur. Mendo dhe vepro për to! Kujtoje Arkimedin, kur kërkonte një levë! Përmbyse këtë botë të çmendur e të shthurur! Përmbyse këtë pushtet narkomanësh dhe çoje atje ku Ali Podrimja e çoi hasmin, kur lypi me ia nda një copë tokë!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat