Me kryetar apo me flamur të ri?

Opinione

Me kryetar apo me flamur të ri?

Nga: Fadil Lepaja Më: 11 mars 2021 Në ora: 09:47
Fadil Lepaja

Sllogani im parazgjedhor ishte: “PDK ka mbetur pa kokë, ndërsa LDK pa flamur”. Tash, a më e rëndësishme është koka apo flamuri, kjo është çështja. Zgjedhjet treguan se të mbetesh pa kokë është më pak e dëmshme sesa të mbetesh pa flamur, prandaj PDK doli e dyta. LDK kishte mendim të kundërt rreth kësaj dileme dhe morën nga elektoratiti i tyre një përgjigje që nuk u pëlqeu, sidomos jo kryetarit, tashmë në dorëheqje. Në këtë parti, këto ditë do të përcaktohen, sërish rreth kësaj dileme.

Sikurse edhe duket qartë, Lidhja Demokratike e Kosovës është bërë për frymëmarrje artificiale. Në rregull, nuk është se ka mbetur kush pa e kuptuar këtë fakt dhe nuk pretendoj se thash diçka të re apo kushedi sa të mençur. Por, askush nuk po arrin të kuptoj se si një parti e cila kishte fituar zgjedhjet e para të pasluftës pa bërë as fushatë madje, thjesht kishte fituar me duar në xhepa, tash kur bëri një fushatë të fortë ra në gjunjë përpara një lëvizjeje reformuese e cila kësaj radhe thtuajse nuk kishte bërë fare fushatë. Së paku nuk kishte bërë debate nëpër televizionet, nëpër të cilat për para mund të krijosh për veten edhe profil të atillë, të cilin as vet se beson. Në fakt vet e besuan, por elektorati jo.

Kështu, në fund të dekadës së tetë të shekullit të kaluar, degë të tëra të Lidhjes Socialiste po kalonin në Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila u bë formë dhe mënyrë e ikjes kolektive të qytetarëve nga sistemi, nga robëria. Ikja bëhej kolektive sepse pasojat ishin të rënda dhe individët i përballonin me vështirësi, sidomos diferencimin familjar e shoqëror, “leçitjen” mesjetare dhe represionin e një shteti autoritar dhe të huaj. Tash, ikjen masive të votuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas tridhjetë vitesh, drejt një Lëvizjeje tjetër, pak kush po arrin të e kuptojë, e sidomos këtë nuk arrin të e bëjë udhëheqja e kësaj partie e cila ka merita të mëdha, në fakt më të mëdhatë për rrënimin e saj. A do të bëjë vetëm zëvendësime teknike kjo parti, apo do të rikthej flamurin e humbur rrugës?

Kryetari i saj në dorëheqje, duke ju referuar mediave, e qortoi elektoratin besnik për tridhjet vite, ose më saktë njëzet e pesë vite besnik. Kur vdiq kryetari historik i kësaj partie, asokohe edhe presidenti i vendit, Ibrahim Rugova besimi i qytetarëve u luhat, por me inercion vazhduan të ndjekin flamurin e tij që po e mbanin në dorë, shpeshherë edhe grupet e konfrontuara brenda saj. Edhe kryetari aktual e përdori edhe familjen e ish presidentit si flamur, por me largimin e zonjës Osmani, ja dhanë edhe flamurin me vete.

Ai ankohet se nuk e ka të qartë përse të dënohet kështu nga elektorati, partia e tij, një parti dhe një qeverisje “e pa korruptuar dhe e suksesshme”. “Përse, përse”, pyetet në vete akademiku i cili vetëm para disa muajsh mendonte se dinakëria është kulmi i politikës, ndërsa parimet dhe premtimet janë për të u shkelur, apo për të u shitur, mjafton të mbetesh në pushtet. Në prag të këtyre zgjedhjeve, për të paralajmëruar koalicionin e ri, ai po e mendonte sloganin e tij: “Kurrë (më) në koalicion me....”.

Për dallim prej tij, z. Rugova dikur mendonte se parimet janë të rëndësishme dhe se pazaret me pushtet duhen bërë për të ruajtur parimet dhe jo të bëhet pazar me parimet për pushtet.

Tash vijmë te fillimi i këtij shkrimi, pra përse fitoi pas lufte Lidhja Demokratike e Kosovës, pa e “shkrepur” asnjë premtim të madh në fushatë apo ruana zot, pa shkrepur diçka më ndezëse se premtimet? Zoti Rugova e kuptonte asokohe që kundërshtarët e tij do të bënin fushatën më të mirë për të. Duke e ditur se kundërshtarët e tij e donin pushtetin për motive krejtësisht të tjera nga ato që ai i kishte deklaruar dhe u përmbahej, ai synonte vetëm pushtetin moral, ndërkohë që qeverisjen ua la të tjerëve të cilët për shkak të rrethanave historike apo fuqisë së organizuar kishin mund të prishnin gjithçka ishte krijuar me aq mund. Me këtë ai u bë flamur, përhapës i frymës së bashkimit, qytetarisë dhe paqes. Pas vdekjes së tij, lufta për pushtet, në këtë parti theu të gjitha parimet e proklamuara dhe të jetësuara të z. Rugova. Emri i tij u bë flamur dhe rrugë për të ardhur në krye të kësaj partie e nuk ishte më flamur që printe për të ndërtuar një shoqëri demokratike dhe të begatë.

Këto ditë, 40 vjet pas demostratave që e nisën rënien e ish-Jugosllavisë, 30 vjet pas lindjes së kësaj partie, 20 vjet pas çlirimit dhe 12 vjet pas shpalljes së pavarësisë, kjo parti ndodhet në udhëkryq: do të zgjedh një kryetar që do bëhet flamur i ri, apo një flamurtar të ri për flamurin e rugovozmit. Lëvizja vetvendosje i mori elektoratin sepse paraprakisht kishte marrë në listën e saj, zonjën Osmani me gjithë flamurin e Rugovës, para varrit të të cilit u patën përkulur së bashku Albin Kurti dhe Vjosa. Ata u përkulën përpara Ibrahim Rugovës dhe Adem Demaçit, dy liderëve që nuk arritën të jenë nën një flamur partie asnjëherë, por që ishin bashkë nën flamurin e lirisë dhe të Kosovës.

Çfarë do të zgjedhë LDK-ja: një kryetar apo një flamur të ri?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat