5 arsye pse LDK duhet ta votojë Vjosën për presidente

Opinione

5 arsye pse LDK duhet ta votojë Vjosën për presidente

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 20 mars 2021 Në ora: 10:55
Vjosa Osmani

Kryetari i ri i LDK-së ndodhet në një situatë jo të favorshme. Lumir Abdixhiku ka përpara vetes shumë sfida, ndër të parat, marrja e vendimit për të votuar apo jo Vjosa Osmanin, ose për t’i bërë kuorumin apo vendi të shkojë në zgjedhje. Ka edhe brenda LDK-së njerëz që duan ta shohin dështimin e kryetarit të ri, ashtu siç nuk është jashtë mendjes të ketë edhe nga partitë rivale, e të cilat mezi presin ose shtyjnë Lumirin që mos të bëjë gabime. Lumiri ndodhet në një situatë jo të favorshme për LDK-në, të cilën duhet ta ngrit me qetësi, me urtësi dhe me mençuri. Pavarësisht se LDK është parti opozitare, dhe s’ka asnjë detyrim ndaj pozitës për t’ia bërë kuorumin, në rastin konkret duhet të merren parasysh disa gjëra, e të cilat një lider i përgjegjshëm i merr ato.

Së pari, për herë të parë në Kosovë një person i merr mbi 300 mijë vota, e të cilat flasin për mbështetje të paparë, e të cilët një lider i përgjegjshëm nuk mund ta injorojë. Nuk mund të injorohen 300 mijë qytetarë, ose edhe mundesh por pastaj më nuk mundesh se nuk e kalon as pragun. Këtë gjë, Lumiri duhet ta ketë parasysh.

Së dyti, personi për të cilin LDK duhet t’ia bëjë kuorumin nuk është askush tjetër, pos një ish LDK-iste, e të cilën e përjashtuan paraardhësit e tij në krye të partisë, prandaj edhe humbën. Lumiri, nëse “i shti brirët me Vjosën”, do ta ketë fundin e njëjtë si të Isës, gabim të cilin nuk duhet ta bëjë.

Së treti, përderisa LDK e bërë Hashimin president, pse mos ta bëjë Vjosën, e cila është ADN e LDK-së kundrejt Hashimit që ishte krejtësisht e kundërta. Diçka të tillë LDK nuk duhet ta bëjë me Lumirin, që në një rast të tillë do jetë gabim fatal.

Së katërti, nëse LDK nuk ia bën kuorumin Vjosës dhe vendi shkon në zgjedhje, krejt faji do t’i mbetet LDK-së, e cila do ndëshkohet edhe më shumë se në zgjedhjet e 14 shkurtit. Me një rezultat të tillë, do të ishte krejtësisht legjitime dhe e duhur që Lumiri të largohet për rezultat të dobët. Nëse nuk e bën, do të ketë njerëz edhe nga brenda partisë që do t’ia kërkojnë një gjë të tillë, edhe më të drejtë.

Së pesti, dhe jo më pak e rëndësishme, LDK ka nevojë për Vjosën. Hapi i pari drejt normalizimit të raporteve me Vjosën do të ishte t’ia bëjë kuorumin. Në të kundërtën, përfundimisht do shkëputet edhe mundësia e fundit që Vjosa të kthehet në LDK. Edhe Isa e nënvlerësoi Vjosën, por ku është sot Isa. Lumiri duhet ta kuptojë një gjë: në rast se nis një “luftë” me Vjosën e ka të humbur. Kështu që, le të merr vendim të guximshëm për të mirën e LDK-së dhe të tijen personale, ta votojë Vjosën; të fillojë reformat për të cilat LDK ka nevojë, që ta rikthejë atë përsëri në rrugën e drejtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat