BE-ja është ajo që po e lazdron Vuçiqin

Opinione

BE-ja është ajo që po e lazdron Vuçiqin

Xhavit Çitaku Nga Xhavit Çitaku Më 21 mars 2021 Në ora: 15:17
Aleksandar Vuçiq

Provokim i rëndë, provokim luftënxitës i presidentit serb Aleksander Vuçiq. Reagim nga të gjitha anët, por jo edhe aq konkret e me porosi të qartë ndaj këtij shteti gjithherë provokues. Kjo nuk është hera e parë që pasuesi i Milosheviqit provokon, ofendon dhe përzihet ashpër në punët e brendshme të Republikës së Kosovës, duke shprehur hapur apetitet gllabëruese ndaj tokës shqiptare nëpërmjet ndërhyrjeve me deklarata qoftë politike, qoftë duke nxitur komunitetin serb për të injoruar organet e institucionet tona. Ndërkaq, veprimi i tij i fundit i tejkalon të gjithë kufijtë politik e diplomatik karshi shtetit fqinjë Kosovës, sepse ai me paramendim po e shpalos ëndrrën e tyre mitike e të rreme për kinse Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë dhe shi për këtë, sipas tij, as që bëhet fjalë për njohje reciproke për një territor që ai e konsideron serbe. Këtë politikë të vrazhdë populiste, destruktive dhe në kundërshtim me parimet themelore për fqinjësi të mirë ndërmjet shteteve, udhëheqësi radikal serb po e bënë, në rend të parë, duke shfrytëzuar mos reagimin e mekanizmave përkatës të Bashkimit Evropian dhe të organizmave të tjerë ndërkombëtar të vendosjes dhe të sigurisë. Ndaj, lirshëm mund të thuhet se, sidomos, Bashkimi Everopian e ka lazdruar për së tepërmi presidentin serb, duke i bërë koncesione të pakuptimta në dëm të interesit nacional të Kosovës, posaçërisht me emërimin e sllovakut Lajçak si ndërmjetësues i dialogut Kosovë- Serbi, i cili faktikisht deri me tash është dëshmuar qartë se është i njëanshëm. Po ashtu, është mjaft simpotomatike se derisa kreu serb udhëheq një politik antishqiptare kudo në botë, por edhe evropiane, në anën tjetër BE-ja ndanë mjete të mëdha për zhvillimin kinse ekonomik dhe në fusha të tjera për shtetin serb, ndërkaq ajo ato mjete i shpenzon në blerjen e armatimit modern. Ndaj, edhe shtrohet pyetja se deri kur do të tolerohet ky mashtrues, i cili me tërë qenien e tij është i orientuar kah Rusia e Kina, por vetëm financiarisht nga Bashkimi Evropian.

Kjo ta përkujton fillimin e luftës në ish- Jugosllavi, të cilën siç dihet botërisht Serbia dhe kreu i saj fashist e nxiti, e filloi dhe bëri gjenocid ndaj popujve kroat, boshnjak e së fundi të atij shqiptar. Thënë konkretisht, diplomacia dhe politika ndërkombëtare injoruan veprimet destruktive të kasapit të Ballkanit, Milosheviq, duke u kënaqur me deklarata të brishta e me përmbajtje të vakët, të cilat nuk i lënin përshtypje atij dhe Shtabit të tij ushtarak të përgatitur për të pushtuar tërë territorin ish- Jugosllav. Ndaj, duke pasur parasysh pasojat e mëdha e gati të pariparueshme që shkaktoi lufta dhe agresioni serb në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe SHBA-të këtij regjimi duhet t’ia tërheqin vërejtjen seriozisht për të ndaluar këto provokime që po kërcënojnë paqën dhe stabilitetin jo vetëm në Ballkan, sepse më pastaj do të bëhet vonë.

Serbia duhet të kërcënohet me sanksione

Presidenti serb goxha me hapa të shpejtuar po ecë rrugës së trasuar nga ana e Milosheviqit, që do të thotë se edhe njëherë mund të përsëritet ajo histori e dhimbshme njerëzore që përfundoi dy dekada më parë. Kjo gatishmëri e këtij regjimi jo vetëm nga provokimi i fundit, por edhe nga armatimi modern që po siguron nga Rusia e Kina, detyrimisht e obligon Bashkësinë Ndërkombëtare që të ndërmerr masa të ngutshme preventive dhe kësisoj t’ia me dije Vuqiçit se nëse vazhdon me këtë politik kërcënuese të paqes dhe stabilitetit rajonal e më gjerë, pasojat për Serbinë do të jenë të rënda, përkatësisht se në “ lojë” mund të hyjnë edhe sanksionet, të cilat, siç dihet, e patën gjunjëzuar regjimin milovishiqian. Do të duhen të jenë mësuar tashmë aktorët kryesor evropian e ndërkombëtar se Serbia vetëm frikën e kupton dhe asgjë tjetër. Rasti i Kosovës këtë e dëshmon më së miri.

Si mund të përmbahet Kosova nga provokimet kaq të rënda serbe

në të gjitha rastet e ngjashme, Bashkimi Evropian reagoi me një tekst rutinor duke i përkujtuar shtetet e Ballkanit se duhet me u përmbajtur nga provokimet e pa nevojshme për hir të stabilitetit dhe paqes në rajon, e posaçërisht Serbia e Kosova që janë të përfshira në një dialog për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet këtyre dy shteteve. Pra, fajtori kryesor, grindaveci kryesor, luftënxitësi kryesor i gjithë kësaj loje të rrezikshme nuk përmendet si emër i përveçëm, por i përgjithësuar. Thënë konkretisht, as që bëhet fjalë për një reagim konkret ndaj një shteti që po luan me zjarrin e luftës , politikë kjo e zhvilluar me shekuj. Duke pasur parasysh provokimet dhe në ndërhyrjet në vazhdimësi në punët e brendshme të vendit tonë nga regjimi serb, shtrohet pyetja se përse nga Kosova kërkohet përmbajtje, kur ajo as nuk e bënë atë gjë e as nuk ka pse ta bëj. Kosova dhe udhëheqja e saj vetëm reagojnë ndaj kësaj politike antishqiptare që po zhvillon regjimi i Beogradit e asgjë më tepër. Së këndejmi, është koha e fundit që BE dhe faktorët tjerë relevant ndërkombëtar të ndërmarrin masat e nevojshme për të ndaluar këtë politikë të mbrapshtë e të rrezikshme që po e udhëheq presidenti serb dhe qeveria e tij karshi shtetit të Kosovës. Për ata që e dëshirojnë paqen e stabiltetit, këmbana po dëgjohet qartë.

Qeveria dhe institucionet e Kosovës nuk duhet të kënaqen vetëm me reagime në media

Është krijuar një praktikë e keqe nga qeveria dhe institucionet tjera të Republikës së Kosovës se gjatë gjithë provokimeve të pandërprera serbiane, ato reagojnë me deklarata, të cilat zënë vend kryesisht në mediat vendore e shumë më pak në ato evropiane e të mos flasim për ato me peshë ndërkombëtare. Kjo mënyrë e reagimit duhet sa më parë të braktiset, por të shfrytëzohet rruga zyrtare e njoftimit të Bashkimit Evropian, SHBA-së, Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe shteteve tjera miqësore për veprimet shumë të rrezikshme që po i bënë regjimi i Beogradit ndaj shtetit të Kosovës. Kjo do të ishte metoda më efikase që do të duhet të praktikojë qeveria e re në të ardhmen. Kështu veprojnë shtetet tjera në raste të ngjashme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat