30 vjetori i masakrës së 2 prillit të 1991!

Opinione

30 vjetori i masakrës së 2 prillit të 1991!

Nga: Besim Ndregjoni Më: 1 prill 2021 Në ora: 18:02
Heronjtë e  2 prillit...

E vërteta e 2 Prill 1991... në një bisedë me organizatorin  e protestës antikomuniste të shkodraneve trima që nuk mund të  pranonin në pluralizmin politik Partinë Komuniste të Shqipërisë si parti terroriste  që kishte kryer krime makabre ndaj Shkodrës e mbarë Shqipërisë,  antikomunistin dhe patriotin shkodran Fritz Radovanin!

Pa u errë nata në Shkodër ishte zv. ministri i brendshëm Hajredin Shyti, i cili, në bashkëpunim me Çapajev Taçin, Dilaver Paparen dhe Gjekë Celi i policisë kanë organizuar veprën terroriste që u realizuar me 2 Prill 1991, mu në atë shesh ku një natë ma përpara çdo veprim ishte demokratik.., dhe paqësor, po aty në mes të predhave dhe vrasjeve të organizuar nga presidenca terroriste e Ramiz Alisë, mbi trupat e të rinjve Arben Broci 21 vjeç, Besnik Bishanaku 22 vjeç, Nazmi Kryeziu 38 vjeç dhe Besnik Ceka 21 vjeç me 97 vetë tjerë të plagosur studentë, punëtorë dhe qytetar Shkodranë. Përkundër manipulatorve të sigurimit e policisë së Shkodrës e cila deklaronte 4 të vrarë e 20 të plagosur.

Porsa arrita aty, ishte Ferdinand Temali me Marina Rraboshtën, që hyjnë nën snajper për me i thanë sekretarit PPSH Xhemal Dymylja: “Kush asht ai terrorist që ka urdhëruar me gjuajttë mbi turmat e pambrojtura të studentëve të shkollës “Jordan Misja” e Popullit të Shkodrës, ndaloni zjarrin o drejtohuni kufinit e ikni, Populli do t’ju shqyejë për së gjalli!”

Kujtoj si tashti në rrugën para komitetit ekzekutiv një vajzë me flamurin e Shqipërisë e hupuni mbi një tank ushtarak, që ishte pushtuar prej Asaj Burrneshë Shkodrane!

Po drejtuesit e PD së Shkodrës ku ishin?.. Ma mirë se kushdo e di z. Tanush Mulleti... Cilat ishin parullat që u hodhën në rrugë Xhabijej e ma vonë tek Radio Shkodra? – Besoj i kujton mirë Populli i Shkodrës “ata” dhe rolin që ka luejt BSPSH, Ferdinandi, Marina Raboshta, Tanush Mulleti, Besnik Komi, Arben Borshi, Lela Zorba, Muhamet Gradeci, Zef Prela, Arben Hafizi, Leonard Kçira, etj., për ruejtjen dhe sigurimin nga djegia të Radios, Fototekës, hetuesisë dhe të vetë Prefekturës, me sa objekte të tjera të cilat i kemi mbrojt edhe me rrezik koke, kur snajperët e sigurimit ishin në gatishmëri dhe shkrepeshin mbi kokat tona në çdo qoshe. Edhe pse ishin vendosë në Prefekturë, Turizëm, teatër “Migjeni”, zjarrfiksa etj., ideali ynë e kishte mposhtë ndër ne frikën e komunizmit barbar.

Me datën 2 Prill, ora 19.15’ deri ora 20.00, intervista e dhanë nga Arben Borshi dhe Fritz Radovani për “L’Express” të Parisit, korespondentit Vincent Hugux, në Turizmin e Shkodres, u transmetua në ora 22.00 nga Franca. Ajo asht kenë ndër fitoret e mëdha të BSPSH, se  ajo Agjenci zbuloi para Evropës të gjitha planet djallzore të sigurimit të shtetit për gjakderdhjen që u bë dhe që, tinëzari vrasës Ramiz Alia, po u përgatiste me kujdes për me vazhdua kasaphanën pandërpremje në Shkodrën antikomuniste.

Po takimi me zv. ministrin e “pafajshëm” Hajredin Shyti në seli të BSPSH, besoj ju bie ndër mend të gjithë pjesëmarrësve bashkë me “përshëndetjet” që ne sindikalistët i kemi dërguar Tiranës vrastare komuniste, qendra e vetme e terrorit të mbetur në Ballkan!

Takimi i asaj darke në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit, me Esma Ulqinakun zbuloi fytyrën e vërtetë të veprimeve të datës 2 Prill. Ishte ora 21.30 kur gjithë grupi i BSPSh së Shkodrës dolëm nga salla e Kom. Ekz. Unë ishe me Arben Borshin, kur papritmas u gjetëm në dalje tek dera mes një grupi të madh ushtarësh të armatosur e, porsa i pashë i kam thanë Ferdinandit që kishe pranë: “Na prijë në këtë paradë Ferdinand, se asht e para herë në jetën teme që po kaloj në revistë...” dhe Ai, na prini kur bashibuzukët e Ramiz Alisë, të rreshtuam me forcat sampiste po qëndronin nga lart tek dera e sallës madhe të mbledhjeve të Prefekturës e deri poshtë tek rruga, me armë në gatishmëri.., kundrejt grupit tonë të BSPSh, që ishim jo vetëm fare pa armë por, edhe me duar ndër xhepa...

Po rezultati cili ishte? – Qeveria komuniste me dhanë dorëheqje sa ma parë, mbasi BSPSH do të organizojnë Grevë të Përgjithshme në gjithë Shqipërinë. Vrasësit e Arben Brocit me shokë ti kalohen organeve kompetente dhe shpejtë do të organizohen zgjedhjet e reja etj... Ne kërkonim emrat e shtatë personave që ngjarjet e 2 Prillit i ndoqën në TV të ndërtesës ku ishte kenë Ramiz Alia dhe Fatos Nano....

Me datën 3 Prill, ora 9.00 kemi shku bashkë me Arben Borshin tek komandanti i forcave të armatosura të Shkodrës, Enver Gaba dhe e kemi falënderuar për mosndërhyrjen e tyre mbi Popull me tanke dhe, nga ajo ditë ushtria ishte shpirtnisht “anëtare” e BSPSH...

Ky veprim nuk u prit mirë nga ministri mbrojtjes, zëdhënës i vrasësit Ramiz Alia.., që aso kohe kishte kalue në postin e “presidentit” të Kuvendit Popullor Haxhi Lleshi.

Rruga e BSPSH ishte krejt e papritur për Ramiz Alinë me shokët kriminel të presidencës së tij terroristë e vëllavrasës, ku fatkeqësisht ishte tashmë e qartë se “pa gjak” nuk merrej asnjë zyre rojesh apo “dezhurësh” të institucioneve të tyre...Ishte ajo kohë kur koka e komunistëve qelbun ulërinte: “Edhe gjak do bëjmë,..!” dhe, me të gjitha armët e tija të pista vriste bashkë me Fatos Nanon, Xhelil Gjonin dhe tradhtarë tjerë, Rininë Shqiptare kudo deri larg në piramidat kufitare... Ishte ajo kohë kur terroristja Nexhmije Hoxha vetëm mendonte si me nxjerrë jashtë shtetit me Sulo Gradecët thesaret e paketueme të lingotave t’arit, të plaçkituna dhe të vjedhuna nga mundi dhe djersa e Popullit Shqiptar.

Herojt e 2 Prillit u varrosën pa u bë autopsia, ndonëse mjekët Bardhyl Çipi, Xhemal Zeneli dhe Injac Simoni, vepruan si i urdhëroi sigurimi i shtetit dhe prokuroria komuniste. Ata kanë firmosur dokumenta pa hapë fare kufomat, mbasi autopsia e tyre u kërkua shumë kohë mbrapa nga grupi i BSPSh së Shkodrës në Prokurori të Përgjithshme, ku kam marrë pjesë unë dhe Ferdinandi me disa shokë të tjerë, para se të zhvillohej gjyqi dhe, kufomat u nxorën nga varrezat për autopsi nga mjeku ligjor Estref Myftari, ku mori pjesë edhe i ngarkuemi i BSPSH së Shkodrës z.Tanush Mulleti.

Konkluzioni ishte i njohun se: “Viktimat janë vra me armët e zjarrit nga policia”.

Komiteti i PPSH u dogj por jo, nga Populli, ishte vetë sigurimi i shtetit i dekompozuem që donte me mbulua me djegieje vrasjet e bame para atij komiteti pak orë përpara.

Me muej të tanë hetuesit Vladimir Meçe, Shefki Bejko, etj., bridhnin në Itali, gjoja duke kërkuar “fakte”, sepse një film ishte gjirua nga një italian prej apartamentit, nga hapësira e shkallës ku banonte qytetari Frano Preçi, i cili më ka tregue Ai vetë që e ka pa italianin duke gjiruar veprat makabre të Ramiz Alisë, Fatos Nanos, Haxhi Lleshit, etj. etj., që mbushnin faqe të tëra proces- verbalesh në mbledhjet e pafund në Komitetin Ekz. të Shkodrës, kur BSPSH me forcë kërkonte ideatorët dhe zbatuesit e terrorit, ndërsa “shërbëtorët” e presidencës ishin të mobilizuem me gjetë se: “kush e dogj komitetin e PPSH?” dhe, se vrasjet e Heronjve janë krye “mbasi asht djegë komiteti apo, legjenda e hetuesisë së përgjithshme se vrasjet janë krye nga gjuajtjet në mes të turmes nga njeni tjetri, po jo, nga policia, sigurimi...etj”. Që nga data 12 Prill, 23, 26 e deri me 1 Maji, BSPSH nuk ka ba veprim tjetër vetëm, ka shpartallua moralisht rezistencën e PPSH për mbajtje të pushtetit dhe ka demaskue botnisht organin e “paprekshëm” të asaj diktature të pashpirtë e mizore 47 vjeçare, sigurimin e shtetit, aqsa spijunët e sigurimit dhe oficerët besnik të tij me datën 2 Prill 1991, ora 14.00 nuk kanë pas të vumë asnjeri ndër dyer etiketat e emrave në apartamente.., duke filluar nga Çapajev Taçi e deri tek  Shyqyri Qoku.., që strukej si qen skutash për mos me u lagë...nga vesa e pranverës që po sillnin veprat gjakatare të tyre!

Ai takim më kujton edhe fjalët e R. Alisë, i cili i tha Ferdinandit kur po delte në një anë: “Ferdinand, ra vetja e më këputi, thonë andej nga Shkodra!” dhe, Ferdinandi iu përgjegjë: “Nuk i tradhtoj shokët!”. Ai ishte akti ma Heroik i Rinisë Shkodrane, kur në Tiranë, Stalini dhe Lenini i bënin shoqëri diktatorit tonë në sheshet qendrore! E, mos harroni, se ende ka nga Ata Djelmë që vazhdojnë me kenë të gjymtuam nga torturat e bame prej sigurimit në hetuesi, që nga data 14 Janar 1990... Koha ua hoqi “maskat” të gjithëve! Djemtë tonë Shkodranë u vranë po askush nuk ishte kenë “fajtorë”..!Burim i të gjitha pasojave dhe disfatave asht kenë atëherë e prap sot se nuk u dënuan krimet e komunizmit, strukturat e shtetit diktatorial nuk dolën para ligjit, Kjo solli pasoja rrënuese mbasi ish spiunët e vjetër, rimorën drejtimin e shtetit tue krijue një klasë politike të papengueshme e antikombëtare.

Menjëherë ata mbrojtën të paprekuna labirintet e sigurimit shtetit terrorist i cili riforcoi pozitat e korrupsionit dhe pasunoi në mënyrë të vrullshme hallkat e lidhjes së spiuneve, me komunistët e konvertuem në “demokrat”. Spijunët e njohun bane sikur u tërhoqën nga vendet e punës, por pushtetarët e rijë u ndejën gati tue u krijue mundësi të reja, si bie fjala në dogana, polici financiare, noter në gjykata apo zyre pasaportash, në zyra të kthimit të pronave e pak ma vonë edhe në firmat piramidale, ku lulëzoi neokomunizmi kapitalist i fortifikuam me ish oficerët e sigurimit, që i siguronin kushte largimi nga Shqipëria të gjithë hajdutëve e vagabondëve me anë të gomoneve e pasaportave false, që ishin në portet e blinduam detare. Njëherësh filloi trafiku i armëve, i drogës dhe i refugjateve t’huaj etj.

Komunistët “proletarë” filluan ekonominë e tregut me kioska dhe tavolina, duke shitë para dyerve të tyre mallra importi...Sabotimet për rrugën e demokracisë ishin të planifikuam direkt nga naltë.

Njerëzit e ndershëm që luftuan në ballin e luftës mbetën fukara dhe të vorfen pa asnjë fitim, për mos me thanë se humbën edhe të gjitha iluzionet e Fitores së Demokracisë...

Asht e domosdoshme të ripërsëris fjalët e Profesorit Arshi Pipa, që mi ka thanë personalisht mua: “...Jeni e vetmja Sindikatë e një vendi të vogël, por që keni rrezua një qeveri me të gjitha tiparet e terrorizmit komunist, gjë që deri sot nuk ka ndodhë në historinë e të gjitha Sindikatave të Botës!..”

Populli Heroik i Shkodrës me të gjithë ne të tjerët, Lloftarë të Demokracisë dhe të Lirisë! Sot jemi në vitin 2021, ne duhet të krenohemi me Ju. Rinia dhe Populli Shqiptar në zgjedhjet e 25 Prillit, duhet të Rikthejnë në gjurmët Tua dhe të Atyre Vëllezërve që derdhën Gjakun në lule të rinisë së Tyre, e dhanë jetën me 2 Prill 1991, për një Demokraci të vërtetë Evropianë Perëndimore! Heronjtë e 2 prillit nuk mund të jenë të qetë kur Shqipria nuk ndërtoi demokraci por demokraturë me vrasin dhe xhelatët e komunizmit. Heshtja ndaj të vërtetës , po glorifikim diktatorinn Enver HOXHA dhe xhelatët e sajë, sa mbas 30 vitesh dekorohen xhelatë si Shyqiri Coku, e Medi Bushati!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat